0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Ju ka ardhur Ramazani

Më të lexuarat

Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar. Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Allahut, i Vetëm dhe i Pashoq, dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguar Tij. I Dërguar i mëshirës, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi të gjithë shokët e tij e këdo që pason rrugën e tij.

Është e natyrshme që njeriu ta shprehë gëzimin në momente të veçanta; disa gëzohen për çështjet e kësaj bote të përkohshme, disa gëzohen kur u jepet rasti për të shpalosur adhurimin ndaj Allahut përmes asaj që Ai ka urdhëruar.

 

Pa dyshim, besimtari i përkushtuar gëzohet kur thërret mysafiri dhe troket në derë, kështu me nderimet më të larta, shprehjet më të bukura dhe me respektin më të sinqertë i uron mirëseardhjen.
Ky hadith është bazë për urimin dhe përgëzimin e njëri tjetrit me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit.

Po vjen Ramazani me bereqete, atëherë duhet t’i kemi në konsideratë mysafirin e nderuar me begatë. I Dërguari i Allahut, Muhamedi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të), i përgëzonte shokët me këtë rast të veçantë duke i thënë: “Ju ka ardhur Ramazani, muaj i bekuar. Allahu ua ka obliguar agjërimin e këtij muaji. Në këtë muaj hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e xhehenemit, lidhen në pranga shejtanët. Allahu në këtë muaj ka (veçuar) një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj. Ai që privohet nga të mirat e kësaj nate, është privuar nga çdo e mirë.”1

Të nderuar besimtarë!
Me këtë rast të gjithëve u shprehi urimet dhe përgëzime me rastin e fillimit të muajit mëshirës dhe faljes.
Pse mos të gëzohet besimtari me muajin e bereqetit, dhuratave, namazit, durimit, faljes, pendimit, devotshmërisë, mëshirës, pastërtisë, bamirësisë, fitores dhe ngadhënjimit?

Mirësevjen mysafir i nderuar dhe ne gëzohemi inshaAllah me ramazanin, muajin më të nderuar ndër muajt dhe ditët më të ëmbla.
Mirësevjen pas një pritjeje të gjatë e të përmallueshme.
Mirësevjen i nderuari mik, me erën tënde të këndshme do të kënaqen zemrat tona, me vizitën tënde do të na pastrosh nga gjynahet dhe do të na mbulosh të metat tona.

Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Vetëm Mirësisë së Allahut dhe Mëshirës së Tij le t’i gëzohen. Kjo është më e mire se ajo (pasuri) që ata grumbullojnë.’’2

Të nderuar muslimanë!
Dymbëdhjetë muajt janë si shembulli i bijve të Jakubit, alejhi selam, muaji i Ramazanit në mesin e muajve është si Jusufi, alejhi selam, në mesin e vëllezërve. Ashtu siç ishte Jusufi, alejhi selam, më i dashur te Jakubi, alejhi selam, kështu muaji ramazan është njëri ndër muajt më të zgjedhur të Krijuesi. Jusufi, alejhi selam, ishte i sjellshëm dhe mëshirshëm ndaj vëllezërve përkundër sjelljes së tyre të egër, ai me butësi dhe falje i mishëron duke thënë: “Asnjë qortim për ju në këtë ditë, Allahu ju fali dhe Ai është më Mëshirëploti se çdo mëshirues!’’3

Po kështu, ky muaj do të jetë falje dhe mëshirë për besimtarët, prangosje për shejtanët.. Gëzohu me faljen e Allahut të Lartësuar. Gëzohu që Ai të dha mundësinë e përmirësimit dhe pendimit. Gëzohu me hapjen e dyerve të xhenetit dhe mbylljen e dyerve të xhehenemit.

Vëlla agjërues!
Ç’pret, pra? Lidhe kontratën (marrëveshjen) për ripërtëritjen e imanit, duke kryer veprime që e kënaqin Allahun, duke e rifreskuar shpirtin me adhurim dhe duke stopuar veten nga çdo ndalim. Kthehuni te Allahu i Lartësuar me pendim.

Të nderuar muslimanë!
Muhamedi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Natën e parë të muajit Ramazan prangosen shejtanët dhe xhinët, mbyllen dyert e xhehenemit dhe nuk hapet asnjë derë. Hapen dyert e xhenetit dhe nuk mbyllet asnjë derë. Thërret një thirrës: “O kërkues i së mirës, urdhëro, kurse ti o kërkues i së keqes ngurro. Allahu në çdo natë liron njerëz nga zjarri i xhehenemit.” (Tirmidhiu)

Urdhëroni besimtarë dhe besimtare, drejtohuni kah Krijuesi juaj të penduar dhe të përulur!
Po nëse edhe në këtë muaj nuk mendon për pendimin, nuk e di kur do të pendohesh!
Po nëse edhe në këtë muaj nuk e ndien mëkatin, nuk e di kur do ta ndiesh!
Le të jetë ky muaj fillimi i pendimit të sinqertë dhe të vërtetë para Allahut.
Vëlla, mos shiko madhësinë e mëkatit, por shiko kujt po i bën mëkat!
Vëlla, mendo për mbikëqyrjen e Allahut ndaj teje!
Vëlla, kujto se mëkatet të shndërrohen në të mira: “Allahu do t’ua shndërrojë gjynahet në vepra të mira dhe Allahu është vazhdimisht Falës i madh, kurdoherë Mëshirëplotë.’’4

Allahu t’i zëvendëson të këqijat me të mira, sa dhunti dhe fitim i madh!
Muhamedi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) thotë: “Allahu gëzohet më shumë me pendimin e robit të Tij sesa njeriu që gjendet në shkretëtirë, të cilit i ka humbur deveja, në të cilën ka pasur ushqimin e tij, dhe e gjen.” (Buhariu dhe Muslimi)

Allahu i Lartësuar gëzohet për pendimin e robit të Vet, prandaj shpejto të pendohesh dhe të kërkosh falje.

I nderuari agjërues!
Në fund e lus Allahun e Lartësuar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të Larta të na ndihmojë në përkujtimin dhe falënderimin e Tij të sinqertë.
Allahu im, na mundëso që në këtë muaj të shijojmë kënaqësinë e adhurimit Tënd.
Me admirim dhe kënaqësi shijoni Ramazanin me mirësitë e Allahut drejt xheneteve të larta.
“Ata nuk do ta dëgjojnë as zërin më të lehtë të tij (xhehenemit) dhe do të banojnë ku ata të dëshirojnë. As tmerri më i egër e më i madh (në Ditën e Kiametit) nuk do t’i shqetësojë ata dhe melekët do t’i takojnë ata (me përshëndetjen): “Kjo është dita juaj e cila ju qe premtuar.”5

Agjëruesi është i përkushtuar për të garuar në devotshmëri, nëse rreh të përjetojë dhe shijojë gëzimin dhe lumturinë. Gëzohet shpirti i muslimanit sepse aktiviteti i tij do të jetë përpjekja dhe gara për të fituar një mbiemër cilësor, një shprehje të bukur artistike, me karakteristika lavdërimi, pra epitetin “i devotshëm”.
Ata të cilët dëshirojnë të cilësohen “të devotshëm”, le të urdhërojnë dhe të rreshtohen mos ta humbin rastin.

 

1 Transmeton Ahmedi.
2 Junus, 58.
3 Jusuf, 92.
4 Furkan, 70.
5 Enbija, 102- 103

 

Ulvi Fejzullahu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit