1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Joschka Fischer – Nyja siriane

Më të lexuarat

Joschka Fischer

Prej katër vjetësh një luftë e përgjakshme është ndezur në Siri. Ajo që filloi si një kryengritje demokratike kundër diktaturës së Bashar al-Assad është kthyer në një ngatërrese konfliktesh, që pjesërisht reflektojnë një luftë brutale të deleguar që zhvillohet mes Iranit, Turqisë dhe Arabisë Saudite për dominim rajonal. Kjo luftë, ashtu siç ka treguar luftimi në Jemen, ka potencialin për të destabilizuar të gjithë rajonin. Dhe tani Rusia, përmes ndërhyrjes ushtarake në emër të Assad, po kërkon të rrisë statusin e vet si një fuqi globale përballë Perëndimit (dhe Shteteve të Bashkuara në veçanti).

Ndaj konflikti në Siri po ndodh në të paktën tre nivele: lokal, rajonal dhe global. Dhe, për shka se luftimet janë lejuar të rriten dhe të përhapen, rreth 250,000 njerëz kanë vdekur, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara. Këtë verë, Agjencia e OKB për Refugjatët e çoi numrin e refugjatëve që ishin larguar nga Siria në katër milionë, përveç 7.6 milionë njerëzve të zhvendosur brenda vendit. Ndërkohë, vala e refugjatëve sirianë në Evropë ka krijuar një nga sfidat më të mëdha që Bashkimi Evropian ka hasur.
Lufta civile siriane është bërë gjithashtu një nga terrenet më të rrezikshme të shumimit të terrorizmit islamik, siç kanë treguar sulmet nga Shteti Islamik në Ankara, Beirut dhe Paris, si dhe bombardimi i një avioni pasagjerësh rus mbi gadishullin e Sinait. Për më tepër rrëzimi i një luftë-avioni rus nga Turqia ka shtuar rrezikun e përplasjes direkte të fuqive të mëdha. Mbi të gjitha, Turqia, si një anëtare e NATO-s, do të merrte ndihmën ushtarake të Aleancës nëse do të sulmohej.

Për të gjitha këto arsye, lufta siriane duhet të marrë fund sa më shpejt që të jetë e mundur. Jo vetëm që katastrofa njerëzore që përkeqësohet thuajse çdo ditë; por burojnë edhe rreziqe sigurie nga lufta.

Pas sulmeve terroriste të 13 nëntorit në Paris, një mundësi e re për t’i dhënë fund agonisë së Sirisë është shfaqur, sepse të gjithë aktorët e rëndësishëm (përveç ISIS) janë gati të ulen në një tavolinë negocimi. Por megjithëse të gjithë aktorët kanë rënë dakord të luftojnë së pari ISIS, çështja mbetet nëse do ta bëjnë këtë vërtetë.

Kurdët në Sirinë veriore dhe në Irak janë luftëtarët më efektivë kundër ISIS, por ambiciet e tyre kombëtare i vënë ata përballë Turqisë. Irani dhe Arabia Saudite po luftojnë kryesisht kundër njëri-tjetrit për dominim rajonal, duke u mbështetur te aktorët jo-shtetëtor. Rusia po lufton për status global dhe kundër çdo forme të ndryshimit të regjimit.

Rusia kështu e gjen veten në aleancë me Iranin në mbështetje të diktaturës së Assadit, ndërsa Irani, si këmbim, po ndjek interesat e vet gjeopolitik duke mbështetur aleatët shiitë në Liban, Hazbollahun, për të cilët rrethina siriane është e domosdoshme. Franca është më serioze se kurrë për të luftuar ISIS, ndërsa Gjermania dhe evropianë të tjerë ndihen të detyruar ta ndihmojnë – dhe të ndalojnë rrjedhën e refugjatëve në rajon.

SHBA-ja ndërkohë, po operon me frenat e dorës ngritur. Presidenti Barak Obama së pari do të shmangë përfshirjen e SHBA-së në një tjetër luftë në Lindjen e Mesme përpara se t’i japë fund mandatit të tij. Me fuqitë botërore që kanë mbetur në anë, megjithatë, rezultati i pashmangshëm ka qenë një vakum shumë i rrezikshëm i pushtetit, që presidenti rus Vladimir Putin po kërkon ta shfrytëzojë.

Në veçanti, sepse SHBA refuzon të drejtojë dhe Evropa është shumë e dobët ushtarakisht për të ndikuar zhvillimet në Siri vetëm, ka një kërcënim të një aleance evropiane de fakto me Rusinë e Putinit. Ky do të ishte një gabim i rëndë, duke qenë se çdo lloj bashkëpunimi me Rusinë nuk do të kufizojë apo t’i japë fund luftës në Siri: në fakt, ekziston frika e së kundërtës. Çdo bashkëpunim ushtarak me Assad – që është synimi i Putinit dhe çmimi – do të çonte një shumicë myslimanësh suni në armët e islamikëve radikalë.

Një tendencë e tillë është tashmë e dukshme në Irak. Qeveria e dominuar nga shiitët e ish-kryeministrit Nouri al-Maliki luajti një rol vendimtar në radikalizimin e synive irakianë dhe bindjen e tyre për të mbështetur ISIS. Do të ishte gabim trashanik të përsëritej i njëjti gabim me vullnet të liri në Siri. Në fakt, bërja e një ujdie të tillë nuk do të kishte lidhje me politikën reale, sepse lufta në Siri nuk mund të marrë fund duke ekzistuar ende ISIS apo Assad.

Çdo bashkëpunim perëndimor me Rusinë duhet të shmangë dy rezultate: lidhjen e Sirisë me Ukrainën (negociatat me Iranin në limitimin e programit bërthamor dolën me sukses pa një lidhje të tillë) dhe bashkëpunim ushtarak me Assad. Një përpjekje duhet të bëhet për të lidhur një ndërhyrje ushtarake kundër ISIS kryer nën syrin e Këshillit të Sigurisë së OKB, me një marrëveshje në një proces tranzicioni politik që lëviz nga një armëpushim në një qeveri kombëtare të bashkuar për Sirinë dhe fundin e regjimit të Assad.

Dhe ka sfida të tjera madhore që përvijohen përtej Sirisë: zhytja në kaos e Irakut, lidhur ngushtë me tragjedinë siriane, kërcënimet për të kthyer në një teatër të ri të konfliktit mes Iranit dhe Arabisë Saudite. Nëse kjo luftë për hegjemoni rajonale nuk kufizohet, luftëra të tjera të deleguara – me të gjithë rreziqet që sjellin – janë të pashmangshme.

Së fundmi, beteja vendimtare me ekstremizmin islamik do të ndodhë brenda komunitetit suni. Cila formë e islamit suni do të prevalojë – versioni saudit vahabist apo një version më modern dhe më i moderuar? Kjo është pyetja vendimtare në luftën kundër ISIS dhe lloji të tij. Në këtë kontekst, një faktor i rëndësishëm do të jetë mënyra se si perëndimi i trajton myslimanët – si shtetas të mirëpritur me të drejta dhe detyrime të barabarta apo si të huaj të përhershëm dhe ushqim për rekrutuesit xhihadistë.

(Autori ishte ministër i Jashtëm gjerman dhe zëvendëskancelar nga viti 1998 deri në 2005 dhe lider i Partisë së Gjelbër Gjermane për rreth 20 vite. Shkruar për “Project Syndicate”, Marrë nga: reporter.al)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit