1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Jo bashkëpunëtor i Stanišić-it, por punëtor i Stijović-it

Më të lexuarat

Përmbajtja

Shkëlzen Gashi

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, në një intervistë të transmetuar para disa ditësh në televizionin publik, tha se drejtori i një televizioni në Kosovë kishte lidhje me shefin e shërbimit sërb të sigurisë, Jovica Stanišić-in. E vërteta është se në vjeshtë të vitit 1997, Stanišić-i i kishte kërkuar përgjegjësit të vet për territorin e ‘Kosovës dhe Metohisë’, Zoran Stijović-it, që t’ia aranzhonte një takim me ish-udhëheqësin komunist kosovar, Mahmut Bakallin, për ta diskutuar gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e Kosovës.

Për këtë qëllim, Stijović-i – siç rrëfen vetë në një dokumentar të televizionit B92, të prodhuar rreth një dekadë më vonë – e kishte kontaktuar informatorin e vet në Prishtinë, tani drejtor i një televizioni në Kosovë. Detyra e informatorit të atëhershëm, përkatësisht drejtorit të tanishëm, ishte që ta bindte Bakallin për këtë takim dhe ta çonte me veturë në vendtakimin në Brezovicë. Pra, drejtori i televizionit në fjalë nuk kishte lidhje atje lart me Stanišić-in, por këtu poshtë me Stijović-in, lidhje kjo që datonte që nga fundi i viteve ‘80 në gazetën studentore ‘Bota e Re’, përkatësisht ‘Novi Svet’.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje! tha gjatë intervistës edhe se Stanišić-i, përmes ish-funksionarit komunist Mahmut Bakalli, synonte të krijonte në Kosovë një qeveri autonomiste. Për hir të korrektësisë dhe për të shmangur çfarëdo keqkuptimi eventual, e ndjej se edhe këtu duhet një sqarim: nga transkripti i bisedës Stanišić-Bakalli del e qartë kristal se qëllimi i Stanišić-it ishte një autonomi për Kosovën, e ky mund të ketë qenë edhe qëllimi i punëtorit të Stijović-it, tash drejtor i një televizioni në Kosovë, por duhet nënvizuar se nuk kishte qenë edhe qëllimi i Bakallit. Prandaj, ndoshta është mirë që të botohet transkripti i plotë i takimit Stanišić-Bakalli, për ta zbardhur se në këtë takim Bakalli këmbëngulte për Republikë të Kosovës.

Për fund, fillova ta lexoja kundërpërgjigjen e këtij drejtori televizioni në Kosovë ndaj intervistës së Kryetarit të Vetëvendosje!-s, por nuk arrita ta përfundoja për shumë arsye. E ndërpreva aty ku thoshte se Albin Kurti kishte prani minimale në UÇK. Me qenë sekretar politik në Zyrën e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së në Prishtinë, të udhëhequr nga Adem Demaçi, prej gushtit të vitit 1998 e deri në mars të vitit 1999, do me thënë me pasë prani maksimale në UÇK. Për më shumë, punëtori i Stijović-it në kundërpërgjigjen e vet kërkonte që Kurti “…të mbajë përgjegjësi të madhe morale, politike dhe historike për largimin e tij në rrethana lufte”.

Duhet saktësuar se Kurti nuk ishte larguar nga UÇK-ja, por se e gjithë Zyra e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së kishte dhënë dorëheqje, sepse nuk kishte më kurrfarë kuptimi të vazhdonte të mbetej përfaqësi politike e një UÇK-je që e kishte pranuar Marrëveshjen e Rambouillet-së për autonomi substanciale të Kosovës nën Sërbi/RFJ. Ndoshta përgjigjja më e mirë për kërkesën e punëtorit të Stijović-it është përmbledhja e dhjetë vërejtjeve që Zyra e UÇK-së në Prishtinë i kishte radhitur në tri faqe me arsyet se pse Marrëveshja e Rambouillet-së ishte krejt e papranueshme:

1. Nuk e identifikon askund Sërbinë dhe regjimin sërb si agresor e okupator;

2. Nuk parasheh që Kosova të ketë sigurim shtetëror, por vetëm sigurim publik, e kjo d.m.th. se policia e ardhshme do të mund t’i ndjekë vetëm hajnat, pëllumbaxhinjtë dhe taksistët e paregjistruar;

3. Shqiptarët nuk i trajton si popull, por si pjesëtarë të bashkësisë kombtare shqiptare në Kosovën shumetnike, e siç dihet, bashkësitë kombtare nuk kanë të drejtë për referendum dhe, për më shumë, një tjetër bashkësi kombtare mund të konsiderojë se referendumi do t’ia cenonte interesat e vet nacionalë;

4. Garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të RFJ-së, e me nënshkrimin e këtij dokumenti shqiptarët për herë të parë do ta pranonin sovranitetin dhe integritetin territorial të RFJ-së;

5. Nuk e përmend askund UÇK-në dhe ajo, sipas kësaj marrëveshjeje, trajtohet në nivelin e njësive paramilitare sërbe; për më shumë, në bazë të kësaj marrëveshjeje, 2.500 policë dhe 1.500 ushtarë të RFJ-së dhe të Sërbisë mbesin në Kosovë;

6. Parasheh që Kosova të përfaqësohet në Kuvendin e Sërbisë dhe në Dhomën Qytetare të RFJ-së, por të mos përfaqësohet në Dhomën e Republikave të RFJ-së, që është më pak sesa parashihte Kushtetuta e vitit 1974;

7. Parasheh kompetenca për komunat dhe bashkësitë kombëtare në Kosovë, të cilat i hapin rrugë copëtimit të Kosovës dhe gllabërimit pjesë-pjesë të territorit të Kosovës nga Sërbia;

8. Kërkon nga shqiptarët që ta pranojnë një shtet të paqenë, RFJ-në, të cilën as vetë BE-ja, ShBA-ja dhe organizatat ndërkombtare nuk e kanë pranuar;

9. Parasheh që Sërbia t’i mbledhë taksat e tatimet dhe nuk parasheh dëmshpërblim për 150 mijë punëtorët e përjashtuar dhunshëm nga puna dhe as kompensim të pasurive të dëmtuara të Kosovës a të dëmeve të luftës;

10. Nuk e përmend referendumin, por vetëm thotë «në bazë të vullnetit të popullit», pa specifikuar kund në bazë të cilit popull; për më shumë, në të njëjtën fjali bashkë me togfjalëshin «vullnetit të popullit» radhit edhe mbështetjen në Aktin Final të Helsinkit.

Pra, siç po shihet, po të nënshkruhej Marrëveshja e Rambouillet-së nga Slobodan Milošević-i, shefat aktualë politikë në Kosovë do të ishin deputetë në Kuvendin e Sërbisë, bashkë me Basri Pllanën e Vojislav Šešel-in, e drejtori i tanishëm i këtij televizioni në Kosovë, përveçse punëtor i Stijović-it, do të ishte sërish drejtor televizioni, veçse i televizionit BK të Bogoljub Karić-it, filiali për Kosovën.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit