Videoklipi më i fundit Rapstar (Ylli i rrepit) i botuar në YouTube të enjten, pas të premtes kaloi 1 milionë shikime.
Fabula e këngës nuk ndryshon shumë prej rrymës së artit të realizmit kriminal, rrymë të cilën e kemi analizuar edhe më parë në Exit News. Kjo rrymë ka qëllim përhapjen e një kodi vlerash dhe pikëpamjesh për jetën, që bazohen kryesisht te rruga, dhe, në disa raste, te krimi. Efekti në shoqëri është normalizimi i kriminales dhe standardizimi i modelit të kriminelit.
Artistët që e ndjekin jo gjithmonë thonë të vërteta, por jo gjithmonë gënjejnë.
Në Rapstar, Noizy thotë se ka realizuar ëndrrat e vegjëlisë – edhe pse në këngë të tjera ka thënë se ka ëndërr miliarderash. Në këngën e re thotë se jeta e “nisur nga zero, me lagje nga ghetto” dhe “plot surpriza, plot me kriza” nuk e pengoi t’u “ngjiste lart” dhe t’i blinte nënës një vilë – ashtu siç thotë se ia kishte premtuar.
Megjithatë ai thotë se përpara muzikës ka qenë “gangster” por që tani ka statusin “Rapstar”. Me këtë status ai duket se ka të legjitimuar pasurinë, famën dhe çdo insinuatë që bën nëpër vargje.
Autori i himnit të hashashit në Shqipëri – 3 Fletshat: Duhen do rizla man, duhet pak Lazarat, du me i pa shkrepsat nalt se na i kallim 3-fletshat – thotë në një varg të këngës së fundit “dikur i iknim policisë tash’ i gjujna me euro” (Rapstar).
Ky varg mund të ketë shumë nënkuptime. Një i tillë është edhe ai i korrupsionit, prej së cilit arrihet paprekshmëria, ëndërr e çdo shkelësi të ligjit.
Arti i realizmit kriminal mburret nëpër këngë se e blen paprekshmërinë duke korruptuar sistemin. Kjo gjen vend edhe në vargjet e artistëve të tjerë të kësaj rryme, si për shembull të artistëve që po u japin famë bandave shqiptare në Zvicër, Gjermani e Britani të Madhe.
“Ej! Shok’t n’burg t’u ja çu funin zholit (Jo! Jo!), jeta tyne halà n’dor’ t’prokurorit. E thirri babën e pys qysh-tek o kursi, me i çu do lek n’Kosov e m’i nxjerr pi ati muti.”
(Mozzik, A Milly)
Sigurisht jo çdo gjë nëpër këngë është e vërtetë, por po ashtu, jo çdo gjë është e gënjeshtërt.
Për shembull mund të themi se nëse makinat, luksi dhe paratë janë të gënjeshtërta, armët e ekspozuara nëpër videoklipe janë të vërteta – dhe e kundërta.
Kjo qëndron të thuhet edhe për insinuatat që Noizy bën shpesh në vargje se ai është pjesë e narkotrafikut.
“Ti-ti je kon’ n’gjum’, unë çut në or’t e vona, ti je kon n’shtrat, une n’kom t’u bo miliona, and da coke white, coke white… si Madonna”
(Noizy Kallabllak)
“Google my name! Google my name! Thjesht do t’dali këng’tari, por nësë ti sheh pak ma thell’, hëhë! Dije, n’k’to punë jam i pari”.
(Noizy 100 kile)
Për ata që ndjekin rrymën e artistëve si Noizy, i cili thotë se është “kundra ligjit, kundra djallit” (Nuk kan’ besu) vlen të theksohet se ëndrra dhe shembulli i jetës nuk duhet të jetë, ky për një status vlerash të rreme.
Kështu realizmi kriminal standardizon dhe normalizon kriminalen, mburr blerjen e paprekshmërisë duke korruptuar sistemin, ekspozon armët, jetën luksoze dhe rikoncepton vlerat dhe statuset në shoqëri.
Fatkeqësisht, për një shoqëri që në pavetëdije ka kthyer në vlerë krimin, konsumimi kaq i madh – 1 milionë shikime në 24 orë – i rrymës së realizmit kriminal duhet të ishte sinjal alarmi për mesazhet që vijnë prej saj.