Në studimin shkencor të Institutit kanadez për hulumtime klinike të publikuar në revistën mjekësore “The Lancet”, është konkluduar se njerëzit që kanë jetuar në zonën 50 metra nga rruga me trafik të rëndë kishin 7% më shumë të ngjarë të zhvillonin dementinë në krahasim me ata që kanë jetuar në një distancë më të madhe se 300 metra larg nga rrugët e ngarkuara, transmeton KD.
Çështja është se substancat që e ndotin ajrin futen në gjak dhe shkaktojnë inflamacione të lidhura me sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje si diabeti. Përveç kësaj, këto grimca mund të arrijnë edhe në gjak dhe në tru dhe të shkaktojnë probleme neurologjike.
Sëmundjet e trurit si sëmundja e alzheimerit shkaktojnë dementinë. Sëmundja e alzheimerit e nënkupton vdekjen e qelizave të trurit dhe rënien e funksionit kognitiv, orientimit në hapësirë dhe paaftësinë për të kryer aktivitete të përditshme.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitin 2015, 47.5 milionë njerëz kanë vuajtur nga demenca, ndërsa me zgjatjen e jetëgjatësisë rritet edhe numri i tyre.
Hulumtimi është kryer ashtu që shkencëtarët i analizuan 6.5 milionë banorë të Ontarios të moshës 20 deri 85 vjet, duke i mapuar njerëzit e sëmurë nga dementia dhe duke e marrë parasysh largësinë nga rrugët kryesore.
Rritja e rrezikut nga dementia ishte 4% tek ata që jetonin 50 deri në 100 metra nga trafiku intensiv dhe 2% tek ata që ishin në një distancë prej 101-200 metra. Në distanca më të mëdha, rrezik nuk kishte.
Është interesante se janë analizuar edhe dy çrregullimet e tjera të lidhura me dementinë; sëmundja e parkinsonit dhe skleroza e shumëfishtë, por nuk është vërtetuar ndonjë lidhje me jetën afër trafikut të rëndë.
Studiuesit shpresojnë se gjetjet e tyre do t’i ndihmojnë planifikuesit urban dhe drejtuesve të qyteteve gjatë planifikimit të qyteteve që janë në rritje.