-1.6 C
Pristina
Monday, December 30, 2024

Jeta dhe veprimtaria e Hoxhës nga Dukagjini: Isa efendi Haxhijaj

Më të lexuarat

Në përkujtim të alimëve tanë

MYDERRIZ ISA EFENDI HAXHIJAJ

 (1916 – 1991)

Vehbi SHATRI

 

Në plejadën e hoxhallarëve të dalluar të Dukagjinit e më gjerë, të cilët u shkolluan në medresetë që vepruan në mes të dy luftërave botërore, në Pejë, dhe që lanë gjurmë në kujtesën e popullit për dituri islame, për mençuri, trimëri dhe devotshmëri, veçohen: Mulla Jahja Daci, Mulla Zekë Byrdyna, Mulla Ramush Shatri, Mulla Iljaz Broja, Mulla Sadik Hoxha, Mulla Isa Haxhijaj e të tjerë. Këta ishin krenaria e myslimanizmit dhe patriotizmit. Ishin të tillë meqë ishin predikues të shkëlqyeshëm të Ilsamit dhe të arsimimit kombëtar.

Pa dyshim se i tillë ishte edhe Myderriz Isa H. Rexhë Haxhijaj, nga fshati Dubovë e Madhe, komuna e Pejës.

Familja Haxhijaj e Dubovës së Madhe është e njohur si familje fetare, atdhetare, patriotike, humane, familje bujare dhe përparimtare. Familja e ngushtë e Mulla Isës, në çdo situatë dhe rrethanë politike-shoqërore dhe ekonomike, ishte në ballë të aksioneve, qoftë në mbrojtjen e fshatit kur ishte koha e plaçkitjeve dhe djegive dhe rrënimit të shtëpive shqiptare nga barbarët serbë e malazezës, qoftë duke ndihmuar materialisht familjet në nevojë.

Mulla Isa si fëmijë u rrit dhe u arsimua në kushte të rënda, kur Kosova ishte e okupuar nga serbët dhe malazezët. Babai, Rexha, një njeri i urtë, i mençur e me vizione të qarta, qysh nëfëmijëri të djalit të tij, Isait, e pa zgjuarsinë e tij. Këtë zgjuarsi u mundua ta zhvillonte te Isai i vogël, duke e dërguar në shkollën fillore serbe të kohës. Në Kosovë, në periudhën në mës të dy luftërave botërore, vepruan shkollat fillore vetëm në gjuhën serbe, sepse gjuha shqipe dhe tekstet shkollore ishin të ndaluara rreptësisht. Po t’i gjendej ndokujt një libër në gjuhën shqipe, ai pësonte jo vetëm si person, por me tërë familjen. Prandaj, në ato rrethana Isai edhe nuk kishte mundësi të shkollohej në gjuhën shqipe. Shkollën fillore (katërklasëshe) në gjuhën serbe e filloi dhe e mbaroi në Novosellë. Përveç kësaj, krahas shkollës fillore mësoi në mejtepin e fshatit Dubovë, te hoxha, Mulla Ejup Efendiu.

Myderriz Isa Haxhijaj me shokun e tij Mulla Hysen Efendiun, gjatë kohës së studimeve

 

Pas kësaj regjistrohet në Medresenë e Madhe në Gjakovë, e cila veçohej për kontributin e dhënë në përgatitjen profesionale të hoxhallarëve të ardhshëm. Medreseja e Madhe e Gjakovës ishte shkollë e rangut të shkollës së mesme tetëvjeçare, sepse në atë kohë të gjitha shkollat e mesme vepronin me kohëzgjatje të tillë. Vijuesit e Medresesë së Madhe ishin të sistemuar në konvikt, e shpenzimet i mbulonte Vakëfi i Gjakovës. Në Gjakovë Mulla Isa pati mundësi të takohet me shumë të rinj që ishin vijues të kësaj shkolle.

 

 

Foto pas ceremonisë së diplomimit në Medresenë e Madhe në Gjakovë (i pari në këmbë, nga e majta: Isa Efendiu)

 

Në mesin e tyre ishin: Mulla Ragip ef. Ademaj, Mulla Hysen ef. Zymberaj, Mulla Musa ef. Gashi, Mulla Zekë ef. Bërdyna, Mulla Ramush ef. Shatri, etj. Shok të jetës dhe idealit e kishte Mulla Hysenin, nga Ruhoti i Pejës.

Gjatë shkollimit Mulla Isa tregoi sukses të shkëlqyeshëm. Në këtë medrese dhanë mësim myderrizi i famshëm, Fahri Efendi Ilazi, nga Gjakova, që ishte i derës së myderrizëve të famshëm të Gjakovës, ndërsa ligjërues i kësaj medereseje ishte edhe Hasan ef. Nahi.

Pas diplomimit në Medresenë e Madhe të Gjakovës Mulla Isa shërbeu si imam Ramazani, për 10-15 vjet, në fshatin Ozdrim të Pejës.

Gjatë periudhës së viteve 1941-1944 Kosova ishte e okupuar nga Italia, Gjermania dhe Bullgaria. Zona italiane e okpuimit është e njohur si “Tokat e Lirueme”. “Tokat e Lirueme” vepruan në Dukagjin. Gjatë viteve 1941-1944 u hapën shkollat fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe. Përveç mësimit të rregullt u hapën edhe kurset për zhdukjen e analfabetizmit, si dhe kurset pedagogjike për mësues të rinj, të cilët më parë kishin kryer ndonjë shkollë të mesme apo ishin të angazhuar si mësues. Kurse të tilla janë organizuar në qendrat më të mëdha, si: në Pejë, në Prizren, në Prishtinë etj. Një kurs të tillë e ndoqi edhe Mulla Isa. Në Pejë u organizua kursi pedagogjik menjëherë pas luftës. Shqiptarët, edhe pse të okupuar gjatë kësaj periudhe, frymuan më lirshëm. Isa Haxhijaj në këtë periudhë, edhe pse i ri, u angazhua si anëtar i rinisë Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH), për bashkimin e trojeve shqiptare, gjatë vitit 1942-1945, e gjatë këtyre viteve është zgjedhur si sekretar i Frontit në Rozhajë, Kolashin, Tutinë, si dhe ka qenë i propozuar nënprefekt i Rozhajës, në vitin 1943.

Edhe pas vitit 1944 u organizuan kurse pedagogjike për mësues që do të punonin me nxënës/fëmijë, për t’ua mësuar shkrimleximin. Kurse të tilla u organizuan në Pejë, në Gjilan, Gjakovë etj. Këto kurse u mbajtën gjatë muajve të verës. Në vitin shkollor 1945/46 prej rreth 300 mësuesve shqiptarë sa punuan në shkollat fillore të Kosovës, rreth 200 prej tyre ishin kursistë. Njëri prej tyre ishte edhe Mulla Isa. Në këto kurse, që zgjatnin rreth 2 muaj, ishin angazhuar mësuesit më të dalluar të ardhur nga Shqipëra, si: Mehmet Gjevori, Tajar Hatipi, Salih Kolgeci, Sami Raça etj. Kurset pedagogjike mbaheshin gjatë pushimeve verore për disa vite, sepse kishte disa nivele të kurseve.

Mulla Isa Haxhijaj u angazhua si mësues nga viti 1945, së pari në fshatin Ozdrim. Në Ozdrim misionin e shenjtë të mësuesit e ushtroi në vitet 1945-1950. Vijues të kësaj shkolle ishin nxënësit e fshatit Ozdrim dhe Dubovë e Madhe, si dhe të fshatrave të tjerë të afërt (Vitomiricë). Gjatë kësaj kohe, mbahet mend nga ish-nxënësit e tij, ai ishte mësues i përgatitur e me njohur profesionale e pedagogjike. Për nxënësit ishte i dashur, i respektueshëm dhe shumë i suksesshën. Kushtet e shkollës ishin të pavolitshme: nuk kishte higjienë në shkollë, nuk kishte ujë për pije, nuk kishte nxënës të mjaftueshëm, por mësuesi i ri, Isa Efendiu, të gjitha këto i përballonte me vullnet të jashtëzakonshëm, duke e ditur së është në shërbim të popullit dhe atdheut. Në vitin e parë punoi me klasë të kombinuar me nxënës të klasës I dhe të II. Pothuajse në të gjitha shkollat fillore të Kosovës, në mungesë të mësuesve, punohej me klasë të kombinuara, apo me dy klasa paralel. Mosha e nxënësve ishte heterogjene, kishte nxënës të moshës 7-8 vjeçare, por edhe të moshës 14 vjeçare. Mulla Isa kontribut të jashtëzakonshëm kishte dhënë në përfshirjen e femrës shqiptare në shkollë. Duke shkuar derë me derë, ai kishte arritur që në vitin 1945 t’i përfshinte 14 vajza në klasën e parë.

Nxënësit e tij me admirim flasin për mësuesin Isa. Njëra prej tyre ishte Adile Shala Loxhaj, tani 77 vjeçare, nga fshati Dubovë, e martuar në Banjë. Nga fjalët e zonjës Adile veçojmë: “Vetëm vitin e parë kam mësuar në shkollë te mësuesi Mulla Isa, pastaj në kullën e Ahmed Rexhës gjashtë muaj kam mësuar në kursin për analfabet. Mulla Isa ishte shumë mësues i mire e i kulturuar. Kisha 8 fëmijë, me djalin që më vdiq, e që të gjithë të arsimuar si: psikolog, ekonomist, kirurg, gjinekolog, patolog, farmacist, biolog, dhe sa herë që e takonim Hoxhën, më thoshte: “Adile, burrin e ke jurist, ti nuk e ke vazhduar shkollën, por fëmijët të kanë ngjarë ty sepse ke qenë e zgjuar dhe intelegjente”, vazhdon rrëfimin e saj znj. Adile.

Ish-nxënësi tjetër i Mulal Isës, Bajrush Hasan Muzlijaj, tani 80 vjeçar, nga fshati Dubovë, thotë: “Isha në gjeneratën e parë të shkollës, dhe mësues e kisha Isën. Hoxha, si mësues ishte shumë pedant dhe korrekt, dhe kishte metodë të mirëfilltë pedagogjike. Gjuhës dhe matematikës i jepte rëndësi të veçantë, meqë konsideronte se nëse i mësonim këto dy lëndë mësimore, lehtë do t’i mësonim të gjitha lëndët tjera. Ai na jepte disa lëndë, sepse ishte mësues i nivelit të ulët. Pasi mbarova mësimet, e më pastaj edhe studimet, fillova të punoj mësues në fshat. Interesohesha që fëmijët e fshatit të vazhdojnë mësimet në shkolla të mesme dhe në fakultete. Gjatë viteve sa punova në shkollë kishte probleme të theskuara për vijimin e mësimit të femrave shqiptare, andaj duhej një punë e madhe jo vetëm e mësuesve, por edhe të komunitetit. Një ndihmë të jashtëzakonshme në motivimin e femrës shqiptare për shkollim, dhe thyerjës së barierës (të prindërve) për dërgimin e saj në shkollë Mulla Isa e jepte vazhdimisht. Ai edhe në ndeja e potenconte rëndësinë e shkollimit të rinisë shqiptare, e posaçërisht të femrës. E mbaj mend një rast, deklaron ish-nxënësi i tij, të një vajzë nga fshati, Nushe Ali Spahijaj, që e kishte të atin në burg e të dënuar me vdekje, e pastaj të shndërrar në burgim të gjatë. Nusheja ishte e zgjuar dhe kishte prirje për arsim, por gjyshja e saj e ndalonte nga shkolla. Me të kuptuar për këtë pengesë, bashkë me Hoxhën shkuam në familjën e saj. Hoxha filloi të flasë për rëndësinë dhe përparësitë e arsimit, se Islami nuk e ndalon shkollimin e femrës, siç ishte ngulitur në kokat e njerëzve të pashkolluar. Përveç burrave, në odë ishte edhe gjyshja e Nushes, e cila u prek në sedër. Kështu, falë ndihmës dhe këshillave të Mulla Isës, ata e lejuan Nushen t’i vazhdonte mësimet, dhe ajo sot ushtron detyrën e infermierës në Banjë- Iligje.”

Metë Osman Prekaj, tani 83 vjeçar, nga fshati Dubovë, po ashtu ish-nxënës i Mulla Isës, pohon: “Unë klasën e III dhe të IV i kam mbaruar për një vit. Hoxha në shkollë vinte pa uniformë. Mbaj mend që njëherë pati thënë: “Me pasë mundësi ju jap mendjen dhe zemrën time”.

Avdi Shaban Zogaj, tani në moshën 79 veçare, po ashtu pohon: “Kam mësuar te Mulla Isa, e ai së pari na i mësonte shkronjat, e pastaj na mësonte tabelën e shumëzimit. Kur na mësonte leximin, nuk na ngarkonte me shumë shkronja përnjëherë, por pak nga pak, në mënyrë që t’i mësonim sa më mirë e mos t’i harronim. Hallall i qoftë edhe ajo kur na qortonte ndonjëherë, se shkollën e mësimin prej tij e kemi”, kujton 79 vjeçari.

Pas fshatit Osdrim, mësuesi Isa kaloi në Banjë, ku punoi dy vjet, nga viti 1950 deri në vitin 1952. Në Banjë përveç mësuesit Isa punonte edhe mësuesi tjetër Basri Agolli nga Mitrovica. Mulla Isa Haxhija, si mësues punoi edhe në fshatin Isniq të komunës së Deçanit. Nga nxënësit e tij në shkollën e fshatit Isniq ishin shumë, por ne patem rastin të bisedojmë me disa prej tyre.

Prej tyre, Mehmet Bojku nga fshati Isniq, në moshën 72 vjeçare, kujton: “Në klasën e tretë, gjysmëvjetorin e pare, unë e pata mësues Hoxhën, dhe për këtë ndihem i nderuar dhe i privilegjuar, sepse kisha një mësues si Mulla Isa. Hoxha atëherë mbante në kokë kapuç të kuq (fesin turk). Ishte orator i zoti, dhe në fshatin Isniq kishte respekt dhe autoritet të madh. Kur mblidheshin burrat dhe të moshuarit e fshatit, e ftonin Hoxhën për t’ua hijeshuar dhe nderuar ndejën e tyre”.

Hoxha punoi si mësues derisa drejtorati i arsimit të atëhershëm i dha ultimatum: “O do të jesh mësues, o hoxhë”. Hoxha, edhe pse ishte mësues, fenë kurrë nuk e kishte braktisur. Në mes të dy thirrjeve (profesioneve) e zgjodhi atë për të cilën i rrihte zemra, thirrjen e imamit, për të cilën ishte përgatitur me shkollë dhe zemër. Pas këtij rasti hoxha u detyrua ta braktisë punën si mësues, për ta ushtruar detyrën si imam xhamie, pasi dhe ishte i diplomuar si i tillë.

Por, Hoxhën nuk e linin të qetë UDB-ja, me provokime dhe biseda informative, edhe pse aspak nuk mundën ta pengonin në idealin e tij, fenë dhe atdheun.

Kur Mulla Ejupi, imami i xhamisë së fshatit, sëmuret dhe ndërpret punën e imamit në xhaminë e fshatit Dubovë e Madhe, aty vendoset imam Myderriz Mulla Isa Haxhijaj, ku edhe shërbeu për rreth 45 vjet, deri në vdekje. Mulla Isa ka shërbyer edhe në mejtepin e xhamisë së fshatit, dhe ishte i rreptë ndaj nxënësve që nuk i ndoqnin me seriozitet mësimet e tij.

Mulla Isa ishte pengesë për pushtetin e atëhershëm, prandaj nuk iu ndanë torturat e kohës së famëkeqit Rankoviç, i cili kishte pushtetin që nga viti 1956 deri në 1966. Në stacionin policor në Pejë e torturuan aq sa shallin e bardhë që e mbante hoxha përreth kapuçit, milicia e detyruan që ta kapërdinte, bile i jepnin edhe ujë që ta çonte poshtë. Hoxhën e maltretuan aq sa mbeti pa vetëdije, mandej e morën zvarrë dhe e rrokullisën nga një lartësi disa metrash, teposhtë në rrugë, derisa një serb nga Banja, në atë mbrëmje kur po kalonte trotuarit, u përplas (u ndërthua) në trupin e Hoxhës. Serbi e mori Hoxhën dhe e afroi në hyrje të fshatit Dubovë e Madhe, por nuk kishte guxim ta dërgonte te familja e tij, prandaj edhe e kishte lënë afër rrugës. Sa qendroi në burg, aq kishte rënë në peshë sa kur e panë familjarët e tij u befasuan, meqë kishte rënë në 30 kg. Shumë herë ka pasur biseda informative, të cilat shumë herë edhe mbaruan me maltretime fizike, në Sekretariatin e punëve të brendshme në Pejë, që në atë kohë ishte në Karagaq të Pejës. Përsëri në vitin 1985 një akuzë dhe maltretim i rëndë i bëhet në stacionin policor në Ozdrim. Ky maltretim i bëhet me pretekst të një shqiponje që ishte e gdhendur mbi derën e xhamisë, e që gjendet edhe sot në xhaminë e fshatit Dubovë e Madhe.

 

Xhamia e fshatit Dubovë e Madhe

 

Gjithashtu Mulla Isa ishte kundër shpërnguljeve të shqiptarëve për Turqi, duke dëshmuar se shpërnguljen e organizonte Serbia, me qëllim të spastrimit etnik të Kosovës. Ai ishte njohës i mirë i dokeve, riteve dhe kulturës popullore në përgjithësi, prandaj edhe merrte pjesë në pleqni, maresa, pajtesa etj. Hoxha ishte guximtar i fortë dhe orator. Njihej si hoxhë i “pazakontë”, që shfrynte mllefin publikisht, e që shumë herë xhemati ia zinte për të madhe pse bënte ashtu. Por ai, si zakonisht, i kishte fjalët në “xhep”: “unë nuk i shaj njerëzit e ndershëm, por shpiunat, tradhtarët dhe të pafetë”. Njeriu i pafe sipas tij nuk ka e as që mund të ketë atdhe. “Personin që nuk e do populli, nuk e do as Zoti”, thoshte ai.

Tregohet një rast, kur me babain e Rrahman Morinës kishte qenë kolegë në arsim, e kur i vdes shoku (babai i Rrahmanit), Hoxha shkon për të pame, dhe aty prezent ishte edhe Ukë Idrizi. Hoxha i ishte drejtuar Rrahman Morinës –“Rrahman, a u mërzite për babë?” – “Po”, – i ishte përgjigjur Rrahmani. – “Zoti të lashtë shnosh, o Rrahman, se babën e mirë e ke pasë, a ti, mërteqyp je!” Pas këtyre fjalëve të Hoxhës e tërë oda e burrave kishte mbetur në heshtje. Pas njëfarë kohe, i thane: “Folna Hoxhë diçka!” E hoxha ua ktheu: “I keqi mos leftë, po në leftë, mos u rritë, e nëse rritet, mos u shtoftë, e nëse shtohet, kurrë mos u gëzoftë, po edhe nëse ka farë gëzimi, në pozitë kurrë mos shkoftë, po edhe nëse hip në pozitë, mallku qoftë!”

Mulla Isa ishte martuar me Emine Mehaj nga Prigoda- Istog. Pas vetes la pesë fëmijë: Muhamedin- kimist, Zijaudidin- doktor (i zhdukur gjatë luftës), Rifatin-biolog, Xhelaludinin, dhe Adilen të mbaruar shkollën fillore. Myderriz Mulla Isa Haxhijaj vdiq në fshatin e tij të lindjes, në Dobovë e Madhe, më 26.12.1991, e në varrimin e tij morën pjesë shumë hoxhallarë, bashkëfshatarë, si dhe popullata nga fshatrat e Pejës dhe Istogut, si dhe nga Bashkësia Islame e Kosovës. Namazin e xhenazes, në shënje respekti, ia fali Dr. Rexhep Boja, i cili edhe mbajti fjalë rasti. Sot rruga kryesore e fshatit Dubovë e Madhe e mban emrin “Isa Haxhijaj”.

 

Referencat:

 

  1. Më 08.03.2015 në Hotel Park -Banje. Nga: Rifat Isa Haxhijaj mosha 56 vjeçar.
  2. Mehmet Gashi mosha 85 vjeçar me 08.03.2015 ora 14:30 min dhe 28.03.2015 prej 12:25 min deri 15:30 min, vizitën te nxënësit e bëmë se bashku.
  3. Metë Osman Prekaj 83 vjeçar më 28.03.2015 ora 14:00 min.
  4. Bajrush Hasan Muzlijaj 80 vjeçar më 28.03.2015 ora 13:30 min.
  5. Adile Shala Loxha 77 vjeçar më 28.03.2015 ora 13:00 min.
  6. Avdi Shaban Zogaj 79 vjeçar më 28.03.2015 ora 14:29 min.
  7. Mehmet Bojku 72 vjeçar në Isniq-Deçan ora 15.04.2015 ora 12:20 min.
  8. Historiku i shkurtër i Shkolles fillore “Sami Frashëri” në Ozdrim.
  9. Sadik Bicaj, Historiku i shkollave fillore shqipe të komunes së Istogut, nga fq. 57.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit