-0.5 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Jeta “aromatike” e sirianit në Kosovë

Më të lexuarat

Bekri Shishman mirëpret klientët e tij në shqipe të rrjedhshme në dyqanin e parfumerisë në qendër të Prizrenit. Ai e filloi këtë biznes të vogël tre vite e gjysmë më parë kur u largua nga Siria.

48-vjeçari pranon se i kishte aftësitë në gjuhën shqipe kohë më parë, mësuar prej familjes. “Nëna ime ishte një shqiptare nga Gjakova dhe ne gjithnjë flisnim shqip”, thotë ai.

Babai i tij, një psikiatër, studioi në Sarajevë të Bosnjës dhe takoi atje shqiptarë. Pas disa vizitave në Kosovë ai takoi nënën e Shishman. Gjithashtu, Shishman u njoh me një shqiptare nga Prizreni kur po vizitonte Kosovën. Ata kanë tre djem.

Shishman thotë se ai dhe familja e tij u ndjenë të detyruar të largohen nga Siria për shkak të luftës civile mes grupeve të armatosura kundër presidentit Bashar al-Assad, si dhe militantëve nga DAESH.

“Unë kam lindur në Alepo. Kur filloi lufta, u bë shumë keq. Kemi pritur një vit e gjysmë por situata po bëhej edhe më e keqe, kështu që u larguam,” tha Shishman për BIRN.

Ai thotë se ishte posaçërisht i brengosur për djemtë e tij sepse regjimi i Asadit do t’i rekrutonte ata në ushtri posa të përfundonin studimet në universitet.

Siriani Bekri Shishman dhe djali i tij, brenda dyqanit në Prizren

Në vendin e tij, Shishman ka qenë profesor i gjuhës arabe. Po ashtu, ai ka shitur parfume pas përfundimit të mësimit.

“Çdokush në Siri e ka pasur një punë të dytë. Ndryshe nuk mund të jetosh mirë,” thotë ai. Ai ka vazhduar biznesin e njëjtë në Prizren dhe është i lumtur se si po i ecën puna.

Shishman tregon një laptop dhe paraqet një lajm në arabisht për iniciativën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të mbështetur një marrëveshje paqësore për Sirinë. “Ata po thonë se diçka mund të bëhet në gjashtë muaj por unë dyshoj së bisedimet mund të fillojnë së shpejti,” thotë ai.

Ai i përcjell lajmet për situatën në vendin e tij çdo ditë. Motra e tij është ende në Alepo dhe ata mbajnë kontakte përmes internetit.

Ndërsa, lajmet nga qyteti i dytë më i madh i Sirisë janë larg së qeni të mira. “Ajo më thotë se energji elektrike ka nga gjysmë ore në ditë ndërsa uji vjen një ditë në tri javë,” tha Shishman.

Ai më së shumti fajëson Presidentin Asad për shpërthimin e luftës civile, për të cilën disa aktivistë dhe OKB-ja vlerësojnë se kanë vdekur 250,000 Sirianë deri tani.

Shishman beson se Asadi mund t’i zgjidhte lehtësisht protestat kundër qeveritare kur ato shpërthyen në mars të vitit 2011.

Ai thotë se kërkesat e protestuesve ishin për lirimin e disa të rinjve të cilët ishin arrestuar dhe torturuar e të cilët kërkuan më shumë drejtësi, liri dhe barazi.

Në vend të kësaj, Shishman thekson, se forcat e sigurisë së Asadit hapën zjarr mbi demonstruesit të cilët rriteshin në numër.

“Asadi po ashtu lironte shumë të burgosur për t’i shtypur demonstruesit,” thotë ai.

Shishman thotë se shumica e njerëzve luftuan për më shumë drejtësi dhe ai fajëson qeverinë për ngritjen e ISIS-it. “ISIS është prodhim i Asadit.”

Ai merr si shembull kur ISIS mori kontrollin mbi një qytet, forcat e Asadit nuk i sulmuan ata – por bënë të kundërtën kur Al-Nusra, një grup kundërshtar i ISIS-it, morën përsipër kontrollin në atë qytet.

Shishman thotë se Rusia i ka ofruar një marrëveshje të mirë për të ndihmuar Asadin, për t’i kthyer disa ndere shumë të rëndësishme. Ai thotë se Asad ka refuzuar që tubacionet e gazit të kalojnë nëpër Siri nga Katari fqinj, që kishte për qëllim që të shiste gaz në Evropë, me kërkesë të Rusisë.

Ai po ashtu insiston se myslimanët në Siri kanë jetuar në paqe me të krishterët, kurdët, ortodoksët e shumë të tjerë.

Për të, lufta ka shumë pak të bëjë me Islamin. “Nuk ka pasur vahabista, as kësi me mjekra në Siri. Kemi jetuar shumë mirë,” thotë ai.

Ai thotë se kosovarë nuk po i bashkëngjiten ISIS-it për para por sepse ata besojnë se janë duke ndihmuar për kauzën fetare. “Synimin e kanë të mirë ndoshta por punën e kanë keq atje,” thotë ai.

Shishman thotë se gratë në Siri kanë jetuar një jetë me dinjitet. “Gratë tona kanë festuar nëpër dasma deri herët në mëngjes. Mbuluar me flori deri në bërryla por askush nuk i ka ngacmuar,” kujton ai.

Ndërkohë, Shishmani është i gëzuar me jetën e tij të re në Prizren. Dy djemtë janë në universitet.

Por ai do të kthehet në Siri nëse mbaron lufta, për shkak se ai la atje një shtëpi, dy apartamente, zyrën e të atit dhe një depo. “Unë dua që të kthehem në vendin tim,” përfundon ai.

shishman2-533x400

Marrë nga Kallxo.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit