Sot jemi dëshmitarë të dimensionit më brutal të dhunës dhe terrorit në historinë e njerëzimit në Halep, ka thënë Çavuşoğlu në Ankara
ANKARA (AA) – Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, sot në Ankara deklaroi se qyteti sirian Halep sot dëshmon dimensionin më brutal të dhunës në historinë e njerëzimit, dhe se vendi i tij nuk do të hesht për këtë, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu sot në Ankara, u takua me Ministrin e Jashtëm të Çekisë Lubomir Zaoralek, kurse pas takimit me dyer të mbyllura është mbajtur konferencë për media.
Ministri turk tha se gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve, dhe komentoi mbi situatën në Siri.
Në lidhje me takimin e nesërm të zyrtarëve të Turqisë dhe Rusisë në lidhje me ngjarjet në Siri dhe qytetin e Halepit, Çavuşoğlu theksoi se vendi i tij po bën përpjekje të mëdha për t’i dhënë fund dhunës në Siri.
“Jemi duke bërë përpjekje të mëdha për t’i dhënë fund dhunës në Halep dhe në Siri. Në këtë kontekst, ne jemi duke negociuar në nivel bilateral me vendet të cilat nga afër meren me Sirinë, Iranin dhe Rusinë, si dhe vendet e tjera, për të vendosur armëpushimin, civilët morën ndihma humanitare për të arritur një zgjidhje politike”, ka thënë Çavuşoğlu.
Ai shtoi se Turqia deri tani ka ofruar propozime konkrete për zgjidhjen e çështjes siriane.
“Ne kemi ofruar propozime konkrete, por kemi parë se shumë vende nuk janë të sinqerta. Kemi parë se e braktisën Halepin, se pavarësisht premtimeve të një armëpushimi vazhduan të bombardojnë qytetin. Armëpushimi është veçanërisht i nevojshëm për evakuimin e civilëve nga rajoni. U bombarduan spitalet që njerëzit të mos jenë në gjendje që të shërohen”, ka thënë Çavusoglu.
“Sot jemi dëshmitarë të dimensionit më brutal të dhunës dhe terrorit në historinë e njerëzimit në Halep. Përgjegjës për këtë është regjimi i Asadit dhe aleatët e saj. Nuk po lejohet madje as evakuimi i të plagosurve. Njerëzit po vdesin nga uria. Me pak fjalë, gjithçka çnjerëzore që ekziston sot po ndodh në Halep”, tha ai.
Çavuşoğlu tha se nëse të gjithë do të heshtin, Turqia nuk do të hesht.
“Ne do të vazhdojmë me përpjekjet dhe negociatat me të gjitha palët që kam përmendur, ashtu që kjo çështje të zgjidhet. Për krimin në Halep janë përgjegjës ata që e kanë nisur, por edhe ata që po e heshtin”, tha ministri i Jashtëm turk Çavuşoğlu.