Qeveria japoneze ia ka dhuruar Kosovës 43 kamionë për mbledhjen e mbeturinave. Të martën paradite, në terminalin doganor në Han të Elezit, ka arritur kontigjenti i parë 14 kamionësh.
“Ky donacion e kapërcen shumën prej 4,5 milionë eurosh”, ka theksuar Nezakete Hakaj, udhëheqëse e Divizionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. “Sot ka arritur kontigjenti i parë prej 14 kamionësh, ndërsa deri në fund të shtatorit do të arrijnë edhe 29 të tjerë”, ka thënë Hakaj. Ajo ka nënvizuar se kamionët e dhuruar janë të rinj e të papërdorur, të prodhuesit japonez “Mitsubishi”. Hakaj e ka falënderuar Qeverinë japoneze për donacionin e vlerësuar në funksion të menaxhimit më cilësor të mbeturinave. Ndërkaq, Shefqet Zeka, zëdhënës i MMPH-së, i ka thënë “Kohës Ditore” se kamionët e dhuruar janë të dedikuar për komunat e rajonit të Prishtinës dhe të Prizrenit. “Dhjetë kamionë janë të dedikuar për komunat e rajonit të Prishtinës, ndërsa 33 për ato të rajonit të Prizrenit”, ka sqaruar zëdhënësi Zeka./koha/kohaislame