Kryeministri japonez, Fumio Kishida tha se janë dakorduar me presidentin rus, Vladimir Putin për të vazhduar negociatat e tyre të paqes pas luftës mes dy vendeve
Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida tha se janë dakorduar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin për të vazhduar negociatat e tyre të paqes pas luftës mes dy vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas fillimit të detyrës së re, kryeministri Kishida ka folur për gazetarët pas një bisede telefonike të zhvilluar me Putinin ku ai vuri në dukje se diskutuan zhvillimet dypalëshe dhe ato rajonale.
Kishida theksoi se me Putinin janë dakorduar për vazhdimin e negociatave të marrëveshjes së paqes mes dy vendeve pas Luftës së Dytë Botërore dhe se do të përpiqet të zgjidh statusin e 4 ishujve nën kontrollin e Rusisë të cilët ndodhen në rajonin Kuril në verilindje të Hokkaidos.
Duke bërë me dije se dëshiron zhvillimin në mënyrë reciproke të marrëdhënieve Japoni-Rusi, Kishida theksoi se Putin ka shprehur dëshirën për të vazhduar dialogun në shumë fusha.
Po ashtu Kishida shtoi se ka uruar presidentin rus për ditëlindjen e tij.
Ministria e Jashtme e Japonisë lidhur me bisedën që zgjati 25 minuta, njoftoi se Putin ka thënë se dëshiron të takohet ballë për ballë me kryeministrin Kishida në një periudhë sa më të afërt.
Agjencia e lajmeve Kyodo në lajmin e saj të bazuar në një zyrtar të ministrisë, vuri në dukje se Putin në bisedë përdori shprehjen “Unë pres të punoj me Kishidën, i cili i njeh mirë marrëdhëniet dypalëshe” duke iu referuar që ai ka qenë “ish ministër i Jashtëm i Japonisë”.
Dy liderët kanë diskutuar për programet bërthamore dhe të zhvillimit raketor të Koresë së Veriut. Më tej thuhet se Kishida ka kërkuar ndihmë nga Rusia për zgjidhjen e problemit të shtetasve japonezë që Koreja e Veriut ka arrestuar.
Problemi për Ishujt Kuril
Bashkimi Sovjetik në fund të Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945 aneksoi Ishujt Kuril të Japonisë, që shtrihen rreth 1.300 kilometra dhe ndajnë Oqeanin Paqësor dhe Detin Ohotsk.
Palët nuk arritën rezultat në negociatat e zhvilluara për të nënshkruar marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Japonisë për shkak të mosmarrëveshjes për pjesën territoriale të cilën Japonia pas aneksimit i ka emërtuar si “Rajonet Veriore”.