-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Jam i mërzitur, do bëj vetëvrasje! – Hoxhë Bekir Halimi

Më të lexuarat

Çka duhet të bëjë njeriu të cilit i është ngushtuar dynjaja, ndien ngushticë në gjoksin e tij, nuk ndihet i lumtur, dëshiron të bëje vetvrasje, nuk ban punë të mira, sepse ato nuk kanë asnjë vlerë tek ai?!

Kjo është një pyetje e cila shpesh herë na parashtrohet edhe përgjigja rreth saj ka shumë dimensione: atë psikik, atë medicinal, atë emocional edhe atë fetar.

Ne në këtë trajtim do mundohemi të japim një përgjigje me përmbajtje fetare, duke e lutur Allahun, që secili që mendon kështu të largohet nga këto mendime të këqija edhe të vazhdon rrugën e ballafaqimit edhe kundërshtimit të pengesave që i dalin në rrugën e jetës deri sa të triumfojë mbi to.

  1. Asnjëherë asnjë njeri nuk duhet ta ketë si opsion vetvrasjen, sepse vetvrasja fetarisht është vepër e ndaluar dhe mëkat i madh, kurse realisht nuk e ndihmon njeriun që të zgjedh problemin por vetëm se ia shton edhe rrit problemin në të cilin ishte.

Allahu i Madhërishëm thotë:

“Mos e vritni veten, me të vërtetë Allahu është i mëshirshëm ndaj jush”. (En-Nisa: 29).

Kurse Pejgamberi, , thotë:

“Ai që vret veten me hekur, do lëndohet nga ai hekur në barkun e tij në zjar të xhehenemit për krejt kohën që do mbetet përgjithmonë në xhehenem. Ai që pi helm dhe e vret veten, do e pin helmin edhe në zjar të xhehenemit për krejt kohën që do mbetet në zjar të xhehenemit përgjithmonë. Ai që hidhet nga kodra edhe e mbyt veten, ai do hidhet nga kodra në xhehenem për krejt kohën që do mbetet në xhehenem përgjithmonë”. Buhariu dhe Muslimi

  • Secili njeri duhet ta kuptojë se lumturia e vërtetë fitohet vetëm duke kërkuar strehim te Allahu, me pendim të sinqertë, afrim tek Ai, pasim e ligjeve të Tija, largim nga mëkatet, veprim i vazhdueshëm për të fituar kënaqësinë e Allahut, pasimin e udhëzimit të Pejgamberit, ﷺ, etj.

Krejt brengat, pikëllimet, ngushticat e gjoksit, vuajtjet e jetës, krejt këto zakonisht i vijnë njeriut si rezultat i mëkateve të veta, pasi që mëkatet lënë gjurmë të këqija dhe japin shije të hidhur njeriut në jetën e tij.

Allahu i Madhërishëm thotë:

“Ai që largohet nga përkujtimi im ai do jetojë jetë të vështirë dhe do e ringjallim në ditën e gjykimit të verbër”. (Taha: 124).

  • Pejgamberi, , na ka mësuar lutje konkrete të cilat na ndihmojnë të kalojmë këto gjendje.

Pejgamberi, , thotë:

“Secilin që e godet një brengë apo mërzi e thotë: o Allah, unë jam robi yt, biri i robit tënd dhe biri i robëreshës tënde, balli im është në Dorën Tënde, Gjykimi Yt ndodh në tërë jetën time, Gjykimet e Tuaja janë të drejta, të lus me çdo emër që ke, ke emërtuar me te Veten, apo i ake mësuar dikujt nga krijesat Tuaja, apo e ke zbritur në ndonjë libër Tëndin, apo e ke mbajtur fshehur në dijen Tënde, që ta bësh Kuranin pranverë të zemrës time, dritë të gjoksit tim, zhdukjen e mërzisë time dhe largimin e brengës time, sigurisht se Allahu do ia largoje atë brengë dhe atë mërzi dhe do ia zëvendësoje me gëzim . I thanë: a ta mësojmë, o i Dërguar i Allahut? tha: po ai që e dëgjon duhet ta mësojë. Ahmedi, sahih sipas shejh Albanit.

Na transmeton Imam Buhariu në Sahihun e tij nga Enesi, radijallahu anhu, i cili thotë:

Shpesh e dëgjoja Pejgamberin, ﷺ, duke u lutur me këtë lutje:

“O Allah! Kërkoj strehim tek Ti nga brenga, mërzia, paaftësia, dembelia, koprracia edhe frikacakllëku”. Buhariu.

Ebu Seid el-Hudriu, radijallahu anhu, na rrëfen se një ditë Pejgamberi, ﷺ, hyri në xhami edhe pa një njeri nga ensarët që quhej Ebu Umameh. I tha: Ebu Umameh, pse të shoh duke qëndruar në xhami në këtë kohë që ska namaz për tu falur? Tha: brengat e borxhet nuk më ndahen, o i Dërguar i Allahut! Pejgamberi, ﷺ, i tha: a të mësoj disa lutje që nëse i thua, Allahu të largon ato brenga e ato mërzia? I thashë: gjithsesi o i dërguar i Allahut. Tha: thuaj në mëngjes e mbrëmje:

O Allah! Kërkoj strehim tek Ti nga brenga dhe mërzia, kërkoj strehim te Ti nga paaftësia edhe dembelia, kërkoj strehim te Ti nga frikacakllëku edhe koprracia dhe kërkoj strehim te Ti nga mbulimi me borxhe edhe mposhtja nga njerëzit. Tha: e thash këtë lutje edhe Allahu më largoi brengat dhe pikëllimet dhe më lau borxhet. Ebu Davudi, sahih.

  • Veprat që na ndihmojnë të kemi zemërgjerësi.

Imam Ibën Kajimi në librin e tij “Zadul-Mead” i përmend disa shkaqe të cilat i sjellin muslimanit zemërgjerësi. Nëse muslimani vepron që ti posedojë këto shkaqe edhe largohet nga të kundërtat e tyre, atëherë ai do jetojë zemërgjerë, i lumtur dhe në rehati.

Ai mes tjerash tha: prej shkaqeve më të mëdha që sjellin zemërgjerësinë është

  1. Teuhidi, adhurimi monoteist i Allahut.

Aq sa i fuqishëm është teuhidi, aq sa i plotë që është ky besim monoteist, aq sa më shumë që rritet ky besim, aqë njeriu e ka zemrën e gjerë edhe të rehatshme.

Allahu i Madhërishëm thotë:

“A është njëlloj si ai që Allahu ia ka hapur gjoksin për të pranuar Islamin, duke qenë kështu në dritën e Zotit të vet, (ashtu edhe ai që e ka zemrën të mbyllur ndaj besimit?!)”. (Ez-Zumer: 22).

Allahu thotë:

“Allahu ia hap zemrën për (të pranuar) Islamin atij që dëshiron ta udhëzojë, ndërsa atij që dëshiron ta lërë në humbje, (ia mbyll zemrën e) ia shtërngon gjoksin si të jetë duke u ngjitur në qiell”. (El-En’am: 125).

Udhëzimi dhe monoteizmi janë prej shkaqeve më të mëdha të zgjerimit të gjoksit, kurse idhujtaria (shirku) edhe devijimi janë prej shkaqeve më të mëdha të ngushtimit të gjoksit edhe sikletit.

  • Dritën e besimit, të cilën Allahu e fut në zemrën e besimtarit.

Kjo dritë e besimit shkakton zgjerimin e gjoksit, rehatinë brenda gjoksit edhe gëzimin e zemrës.

Nëse humbet kjo dritë nga zemra e njeriut, i ngushtohet gjoksi edhe i shtohet sikleti, i duket sikur e ka zemrën në burgun më të ngushtë edhe më të rëndë.

Njeriu fiton zemërgjerësi po aq sa ka nga ky nur (dritë).

Gjithashtu në këtë drejtim ndikon edhe drita edhe errësira konkrete, edhe ajo jep zemërgjerësi apo ngushticë e siklet.

  • Dituria.

Dituria i jep njeriut zemërgjerësi dhe rehati, saqë bëhet me e gjerë se sa kjo botë. Kurse injoranca shkakton ngushticë, kufizim edhe burgosje.

Aq sa më shumë i shtohet dituria njeriut aq më tepër i shtohet zemërgjerësia dhe fiton rehazi e stabilitet.

Këtë rezultat në mënyrë të sigurtë dhe të drejtëpërsëdrejtë e jep dituria e trashëguar nga Pejgamberi, ﷺ. Kjo është dituria e dobishme. Ata që kanë këtë dituri ata janë zemërgjerë, kanë zemra të mëdha, kanë sjelljen e mirë dhe kanë jetesën e këndshme.

  • Pendimi dhe kthimi te Allahu.

Dashuria ndaj Allahut me gjithë zemër, drejtimi i fytyrës, mendjes dhe zemrës kah Allahu, të ndjesh kënaqësi me adhurimin e tij, janë gjëra që i japin besimtarit një zemërgjerësi të veçantë.

  • Përmendja e Allahut (dhikri).

Përmende vazhdimisht Allahun, në çdo rast edhe çdo vend. Dhikri, përmendja e Allahut ka ndikim të çuditshëm në zgjerimin e gjoksit, në jetën e këndshme të zemrës, kurse gafleti, shkujdesi nga përmendja e Allahut ka ndikim të madh në ngushtimin e gjoksit, burgosjen e zemrës edhe ndëshkimin e saj.

  • Bamirësia ndaj njerëzve.

Ndihmoju njerëzve, bëhu i dobishëm për ta me çka do që ke, me pasuri, me autoritet, me ndihmë fizike, me lloje të ndryshme të humanizmit e bamirësisë, sepse njeriu bujar dhe bamirës është njeriu më zemërgjerë, me jetesë më të këndshme dhe me zemër më të rehatshme.

Koprraci, tek i cili nuk gjindet humanizmi e bamirësia, ai njeri është zemërngushtë, ka jetesë të rëndë dhe vazhdimisht ka brenga e pikëllime.

Pejgamberi, ﷺ, ka sjell shembullin e atij që është koprrac edhe atij që është bujar sikur të posedonin dy parzmore nga hekuri dhe çdo herë që njeriu bujar donte të jepte lëmoshë, i rritej dhe zgjerohej parzmorja saqë filloi të tërhiqte zvarë për toke dhe të linte gjurmë në dhe, kurse çdo herë që koprraci donte të jepte lëmoshë, çdo hallkë rrinte në vendin e vet dhe nuk rritej e as nuk zgjerohej. Ky është shembulli se si ia zgjëron gjoksin lëmosha njeriut bujar dhe ia shton rehatin dhe si i ngushtohet zemra koprracit edhe i shtohet sikleti. Përfundoi citati nga Imam Ibën Kajimi.

 

Si duhet ta trajtojë shoqëria këtë fenomen?

Në momentet që paraqiten raste të tilla në shoqëritë tona reagimet janë të ndryshme edhe të llojllojshme.

Fatmirësisht të gjithë kanë qëndrim negativ ndaj këtij fenomeni edhe e gjykojnë dhe kundërshtojnë.

Por që qëndrimet tona të jenë produktive edhe të mos mbeten biseda kafenesh e çajtoresh apo rrjetesh sociale, kishim këshilluar shtresat relevante të shoqërisë si vijon:

  • Prindërit:
  • Lidhne mendjen edhe zemrën e tyre me Allahun.
  • Lidhni personalitetin e tyre me modelin e përkryer, Muhammedin, ﷺ.
  • Lidhni ata me adhurimet islame, namazin në veçanti.
  • Mbajni kontakte të afërta me fëmijët dhe bisedoni vazhdimisht me ta.
  • Ushqeni shpirtërisht edhe emocionalisht fëmijët para se të kujdesin për aspektin materijal të tyre (ushqim, veshmbathje e shetitje).
  • Edukoni që të kenë durim në arritjen e qëllimeve të tyre në jetë.
  • Edukoni që të jenë luftarak në ballafaqimin me problemet e ndryshme që i shfaqen në rrugën e përpjekjve të tyre.
  • Mos i nënçmoni kapacitet e tyre.
  • Inkurajoni në inicijativat e tyre edhe jepuni këshillat e duhura për të rritur kualitetin edhe suksesin e tyre.
  • Lutuni vazhdimisht për ta.

 

  • Institucionet shtetërore:
  • Ritne kualitetin e jetesës në shtetet tona.
  • Ritne sasinë e drejtësisë në qeverisjet e shteteve tona.
  • Shtone efikasitetin e aparatit shtetërorë.
  • Shtoni psikologët edhe sociologët në shkollat fillore dhe të mesme.
  • Futne mësimbesimin si lëndë obligative në shkollat fillore dhe të mesme.
  • Hapni qendra studimi dhe analizimi të këtyre fenomeneve. (të mos mbetet kjo detyrë e gazetarëve edhe opinionistëve jo profesionist).
  • Hapni qendra trajtimi të problemeve psikologjike.

 

  • Stafit arsimdhënës në shkollat tona:
  • Trajtoni nxënësit si fëmijët tuaj.
  • Krijoni raporte afërsie me ta.
  • Nxitni ata vazhdimisht në forma të ndryshme që të merren seriozisht me mësimet.
  • Insistoni që mësimbesimi fetar të jetë i pranishëm në shkollat tona.
  • Tregoni vazhdimisht për vlerën e dijes edhe përfitmin që ka njeriu nga dituria e madhe.
  • Mbushni vazhdimisht me energji pozitive.
  • Kritkoni vazhdimisht fenomenet negative të pëthapura në shqoërinë tonë edhe tregoni pasojat e tyre për individin e shoqërinë.
  • Luftone bullizmin i cili herë pas here shfaqet në mesin e nxënësve.

 

 

Për fund

Nga krejt kjo që paraqitëm e shohim se lidhja e zemrës me Allahun edhe kujdesi që do ketë njeriu karshi veprimeve që e mbajnë afër Allahut edhe ikja nga veprimet që e cenojnë lidhjen e tij me Allahun dhe e largojnë nga Allahu, janë shkaqet kryesore e një jete shpirtërore të qetë, plot harmoni, me fuqi për tu ballafaquar me situatat e pakëndshme dhe tejkalimin e tyre. Njeriu me një zemër të këtillë, me një zemër të mbushur me besim edhe dritë hyjnore, ka aq energji pozitive edhe aq lumturi brenda saj, saqë çka do që i ndodh në jetën e tij, nuk i shkon mendja për vetvrasje, sepse e di se kjo gjë është kalimtare edhe e vogël. Një njeri me një besim monoteist edhe që vepron sipas udhëzimeve të Allahut, nuk mundet asnjëherë të merr guximin për të bërë vetvrasje, sepse vetvrasja është mëkat i madh edhe është kundërshtim i vendimeve të Allahut dhe rebelim karshi caktimeve të Allahut.

Edhe pse në të gjitha studimet edhe këshillat e psikologëve edhe sociologëve nuk përmendet feja si element i rëndësishëm në trajtimin, parandalimin edhe shërimin e kësaj dukurie, edhe kur përmendet, përmendet shumë kalimthi, ne insistojmë që në trajtimin e kësaj problematike medoemos vend të rëndësishëm ti jepet fesë dhe së bashku me studimet shkencore, psikologjike, medicinale edhe sociologjike të trajtojmë problemin edhe të asgjësojmë apo pakësojmë pasojat e këtij problemi.

Allahun e lusim që të na ruan neve e familjarët tanë nga këto raste edhe gjithashtu Atë e lusim që të na mbron krejt neve nga e keqja e vetes dhe e keqja e veprave tona!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit