1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Ja si presidenti amerikan mund t’i ndalë tmerret në Gaza

Më të lexuarat

Ashtu si Regani para tij, ai mund t’i japë fund masakrës aktuale me një telefonatë të vetme…

Nga Mehdi Hasan*

Përfytyroni këtë skenë. Një kryeministër izraelit nis sulmet ajrore ndaj një popullsie arabe. Me mijëra civilë vriten. Një president amerikan, i habitur dhe i tronditur nga skenat e masakrës që sheh në ekranin e televizorit të tij, i bën një telefonatë homologut të tij izraelit. Dhe … brenda pak minutash … bombardimet ndalojnë.

Tingëllon si diçka e pabesueshme? Apo ndoshta e thjeshtuar? Mbase edhe naive?

E megjithatë, ishte viti 1982. Ai që supozohej të ishte një inkursion i kufizuar në Libanin jugor nga ushtria izraelite gjatë verës, nën udhëheqjen e Ariel Sharon, atëherë ministër i mbrojtjes (e mbani mend atë?), u shndërrua në një rrethim një-muajor të Bejrutit dhe një sulm të gjithanshëm ndaj Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO). Midis qershorit dhe gushtit, izraelitët ndërprenë ushqimin, ujin dhe energjinë për kryeqytetin libanez në përpjekje brutale për të shkatërruar PLO-në, luftëtarët e së cilës ishin të izoluar brenda një rrjeti tunelesh poshtë Bejrutit. (Ju duket e dëgjuar?)

Më 12 gusht, në atë që më vonë do të quhej “E enjtja e zezë”, avionët izraelitë bombarduan Bejrutin për 11 orë rresht, duke vrarë më shumë se 100 njerëz. Po atë ditë, Ronald Reagani i tmerruar i bëri një telefonatë Menachem Begin-it, kryeministër i Izraelit në atë kohë, për të “shprehur zemërimin e tij” dhe për të dënuar “shkatërrimin e gjakderdhjen e panevojshme”.

– “Menachem, ky është një holokaust,” i tha Regani Beginit.

Po, një udhëheqës amerikan përdori fjalën me H në bisedë me një udhëheqës izraelit. Begini u përgjigj me sarkazëm, duke i thënë presidentit amerikan se “Unë besoj se e di se çfarë është një holokaust”. Reagani, megjithatë, nuk u tërhoq, por këmbënguli në “domosdoshmërinë” e një armëpushimi në Bejrut.

Njëzet minuta. Kjo është e gjithë koha që iu desh Begin-it të telefononte dhe t’i thoshte presidentit se kishte urdhëruar Sharonin të ndalonte bombardimet. Kishte mbaruar. “Unë nuk e dija se kisha atë lloj fuqie,” i tha një Regani i habitur një ndihmësi, pasi uli telefonin.

Pas 42 vitesh, sulmi izraelit në Gaza ka zgjatur tashmë dy herë më shumë se rrethimi i Bejrutit. Në vitin 1982, thuhet se Regani ishte prekur nga imazhi i një fëmije të vetëm libanez të plagosur. Që nga java e kaluar, më shumë se 12,300 fëmijë palestinezë janë vrarë në Gaza dhe dhjetëra mijëra të gjymtuar dhe plagosur, në vetëm katër muaj.

Pastaj, erdhi lajmi i natës. Tani, ne të gjithë kemi Instagram. “Komuniteti ndërkombëtar vazhdon ta braktisë popullin palestinez,” tha avokati irlandez Blinne Ní Ghrálaigh para gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë (ICJ) në Hagë muajin e kaluar, “pavarësisht nga tmerri i gjenocidit kundër popullit palestinez që transmetohet drejtpërdrejt nga Gaza në vendin tonë në telefonat celularë, kompjuterët dhe ekranet e televizorit. Gjenocidi i parë në histori ku viktimat po transmetojnë shkatërrimin e tyre në kohë reale me shpresën e dëshpëruar, deri tani të kotë, se bota mund të bëjë diçka.”

Harrojeni botën. Joe Bideni,  ashtu si Regani para tij, mund t’i japë fund masakrës aktuale me një telefonatë të vetme drejtuar Benjamin Netanyahut. Edhe ai e ka “atë lloj pushteti”.

Mos i besoni askujt që ju thotë të kundërtën. Ata në media që thonë se “Amerika po zbulon kufijtë e ndikimit të saj ndaj Izraelit”. Ata në Kongres që argumentojnë se presidentët amerikanë “nuk kanë aq ndikim mbi Izraelin sa mendonin”. Ata në Shtëpinë e Bardhë që pretendojnë se “ata nuk janë në gjendje të ushtrojnë ndikim të madh mbi aleatin më të ngushtë të Amerikës në Lindjen e Mesme për të ndryshuar drejtimin e tij”.

E gjithë kjo është marrëzi e pakuptimtë. Është e tillë nëse do të citoja kritikun e medias Adam Johnson, i ci li e konsideron këtë si një “pafuqi të shtirur” e cila mbështetet, vëren ai, nga një seri “rrjedhjesh vetëshërbyese” nga Shtëpia e Bardhë e Bidenit që këmbëngulin se presidenti “ka gjasa të jetë i merzitur” me veprimet e Izraelit.

E vërteta është se komandanti i përgjithshëm i vendit më të pasur në historinë e botës nuk është aspak i pafuqishëm dhe, si çdo komandant i përgjithshëm para tij, ka mjaft gjëra në dorë.

Si e dimë këtë? Së pari, sepse anëtarët e institucionit të mbrojtjes amerikane e thonë këtë. Merrni për shembull Bruce Riedel-in, i cili ka kaluar tre dekada në CIA dhe në këshillin e sigurisë kombëtare, e ka këshilluar katër presidentë të ndryshëm. “Shtetet e Bashkuara kanë një ndikim të jashtëzakonshëm,” vuri në dukje Riedel-i në një intervistë të fundit. “Ne i sigurojmë Izraelit çdo ditë raketat, dronët dhe municionet që i nevojiten për të çuar përpara një fushatë të madhe ushtarake si ajo në Gaza”.

E megjithatë, pranon Riedel-i, “Presidentët amerikanë kanë qenë veçanërisht të ndrojtur që ta përdorin këtë për arsye politike të brendshme.”

Së dyti, ne e dimë se Bideni ka ndikim të madh, pasi anëtarët e institucionit të mbrojtjes izraelite – siç kanë theksuar shumë vëzhgues – e thonë këtë. Në fund të tetorit 2023, ligjvënësit izraelitë sfiduan Yoav Gallant-in, ministrin e mbrojtjes, lidhur me vendimin për të lejuar (pak) ndihma humanitare në Gaza, përpara lirimit të ndonjë pengu. Si u përgjigj Gallanti? “Amerikanët këmbëngulën dhe ne nuk jemi në pozitë t’u themi jo. Ne mbështetemi tek ata për aeroplanë dhe pajisje ushtarake. Çfarë duhet të bëjmë? T’u themi jo?”

Muajin pasues, gjenerali izraelit në pension Yitzhak Brick-u shkoi edhe më larg se Gallant-i. “Të gjitha raketat tona, municionet, bombat me perçizion, të gjithë aeroplanët dhe bombat, të gjitha këto janë nga SHBA-të,” tha Brick në një intervistë në nëntor. “Në momentin që ata mbyllin rubinetin, nuk mund të vazhdoni të luftoni. Ju nuk keni aftësi… Të gjithë e kuptojnë se ne nuk mund ta luftojmë këtë luftë pa Shtetet e Bashkuara. Pikë.”

E kuptuat? Izraelitët nuk mund t’u “thonë jo” amerikanëve. Në fakt, presidenti i SHBA-së mund të “mbyllë rubinetin” – municionet , bombat , inteligjencën – dhe në këtë mënyrë të përfundojë atë që GJND-ja e ka konsideruar si një gjenocid të besueshëm në Gaza.

Së treti, ne e dimë se Bideni ka fuqinë që ta ndalojë Netanyahun të vrasë palestinezët masivisht në Gaza, pasi… ai e ka bërë këtë më parë. Në maj 2021, Izraeli bombardoi Rripin e Gazës për 11 ditë rresht, duke vrarë më shumë se 100 palestinezë, përfshirë 66 fëmijë. Gjatë të njëjtës periudhë, Hamasi dhe grupet e tjera të armatosura palestineze në Gaza hodhën më shumë se 4000 raketa mbi Izraelin, duke vrarë 14 civilë. Si atëherë, ashtu edhe tani, Netanyahu hodhi poshtë thirrjet për një armëpushim – nga Hamasi, po ashtu dhe nga Franca, Egjipti dhe Jordania.

Por merreni me mend se kujt nuk mund t’i thoshte jo? Pikërisht! Presidentit të Shteteve të Bashkuara. “Ne duhet të arrijmë më shumë,” u lut Netanyahu kur Bideni e thirri atë më 19 maj, sipas gazetarit Franklin Foer. Përgjigja e presidentit? “O burrë, po na mbarojnë pistat e avionëve. Ka marrë fund kjo punë.”

Dy ditë më vonë, u shpall një armëpushim. Dhe, më pak se një muaj më vonë, kryeministri izraelit u hoq nga detyra.

Lind pyetja, pse atëherë e jo tani? Ndoshta sepse Bideni, ashtu si miliona amerikanë dhe të tjerë në mbarë botën, janë tmerruar nga terrori me të cilin u përballën izraelitët më 7 tetor. Por ku është tmerri i tij mbi terrorin e vazhdueshëm në Gaza? Aty vriten mbi dy nënat palestineze çdo orë,  mbi 10 fëmijëve palestinezë ë u amputohen njëra ose të dyja këmbët  çdo ditë, një në katër palestineze që literalisht po vdes nga uria në Gaza tani.

A mos ndoshta Bideni e vlerëson jetën e arabëve më pak se … Regani? “Presidenti nuk duket se e njeh humanitetin e të gjitha palëve të prekura nga ky konflikt,” tha një ish-zyrtar i administratës Biden për Mother Jones në dhjetor. “Ai ka përshkruar vuajtjet izraelite me shumë detaje, ndërsa vuajtjet palestineze lihen të mjegulluara, os e nuk përmenden fare”.

Admiruesve të presidentit u pëlqen t’i referohen atij si “kryengushëlluesi”. Ndihmësit e tij e quajnë atë një “katolik të devotshëm”. Ai vetë ka folur, prekshëm dhe gjatë, për pikëllimin, humbjen dhe dhimbjen. Atëherë si e zë gjumi natë Bidenin, ndërsa bombat e prodhuara nga SHBA-të vazhdojnë të bien mbi të pafajshmit në Gaza? Si e justifikon mosveprimin dhe bashkëfajësinë e tij? Këtu po flasim për një burrë që ka përjetuar tragjedi personale shkatërruese, duke humbur gruan e tij 29-vjeçare dhe vajzën një-vjeçare në një aksident me makinë dhe më pas, dekada më vonë, humbi një djalë nga kanceri i trurit. Megjithatë, ai tani ka në dorë fuqinë, unike midis 8 miliardë njerëzve që jetojnë në këtë planet, që të marrë telefonin e të thërrasë një numër që fillon +972 dhe të ndalojë vrasjen e përditshme të qindra grave dhe fëmijëve.

Është me të vërtetë kaq e thjeshtë.

Pra, zoti President, nuk ka kuptim të “shfryni” zhgënjimin tuaj privatisht dhe t’u thoni vetëm ndihmësve tuaj se lufta “duhet të ndalet”.

Thuajani këtë Netanyahut. Bëjëni atë telefonatë. Jepini fund këtij gjenocidi. /Tesheshi.com/

*Mehdi Hasan është gazetar, autor dhe ish-prezantues në MSNBC. Ai aktualisht është kolumnist i The Guardian në SHBA.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit