-1.2 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Izraeli tenton sërish të ndalojë thirrjen e ezanit

Më të lexuarat

Në Parlamentin e Izraelit (Knesset) ka mbërritur projektligji që parashikon ndalimin e transmetimit të thirrjes së ezanit me altoparlant nga xhamitë, duke pretenduar se kjo “shkakton ndotje akustike”.

 

Projektligji është pritur me reagime nga Hamasi dhe deputetët arabë në Knesset.

Në komunikatën me shkrim të lëshuar nga Hamasi, pas pranimit të projektligjit në komisionin e ligjeve dhe dërgimit në parlament për shqyrtim e miratim, teksti cilësohet “i rrezikshëm” dhe paralajmërohet qeveria izraelite për reflektimet që do të ketë miratimi i një projektligji të tillë.

“Ndalimi i thirrjes së ezanit përveçse provokon ndjenjat fetare të myslimanëve, është një ndërhyrje e papranueshme ndaj ushtrimit të besimit (ibadetit) dhe simboleve fetare”, thuhet në komunikatën e Hamasit.

Projektligji në fjalë është në kundërshtim me ligjet dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë të drejtat fetare dhe historike si dhe vendet e shenjta, nënvizon komunikata dhe i bën apel shoqërisë ndërkombëtare dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e njeriut të angazhohen për të ndaluar sulmet kundër xhamive dhe shkeljet e të drejtave të myslimanëve.

Kurse në deklaratën e Listës së Përbashkët Arabe në parlamentin izraelit (Knesset) thuhet se projektligji që parashikon ndalimin e ezanit është një hap racist që shkel të drejtën e ushtrimit të besimit (ibadetit).

“Elementët fashistë të një qeverie radikale përpiqen të ndalojnë thirrjen e ezanit me mbështetjen edhe të Kryeministrit Beniamin Netanjahu. Ky është një zhvillim i rrezikshëm. Është një tentativë raciste ndaj lirisë së ushtrimit të besimit për të gjitha fetë dhe në veçanti për myslimanët”, thuhet në këtë komunikatë, e cila dënon cilësimin e thirrjes së ezanit si “zhurmë” nga Netanjahu. “Ezani nuk është vetëm një praktikë fetare, është një nga simbolet më të rëndësishme të kulturës dhe qytetërimit të popullit palestinez”, vijon komunikata.

Ezani do të vazhdojë të jehojë në Jerusalem dhe në qytetet ku jetojnë myslimanët. Me një “ligj islamofobik” qeveria e ekstremit të djathtë po shkon drejt akteve që nxisin urrejtje, zemërim dhe provokim ndaj qytetarëve myslimanë, bëjnë të ditur deputetët arabë në parlamentin izraelit përmes reagimit të tyre.

Lista e Përbashkët Arabe me këtë komunikatë paralajmëron edhe qeverinë e Tel-Avivit, ndërsa thekson se synimi në nxjerrjen e ligjit në fjalë është zhdukja e identitetit mysliman të arabëve, të cilët janë të zotët e vërtetë të vendit.

Sipas lajmeve që kanë dalë në median izraelite, për zyrtarizimin e projektligjit, i cili do të ndalojë transmetimit të thirrjes së ezanit me altoparlant nga xhamitë, me pretendimin se kjo shkakton “ndotje akustike”, pritet që projektligji të miratohet pasi të diskutohet në 3 seanca të ndryshme, që do të mbahen në parlament.

Projektligji në fjalë ka ngjallur reagime të mëdha në mesin e palestinezëve dhe botës islame dhe ishte sjellë edhe më parë shumë herë në rend të ditës, por nuk ishte ligjësuar.

Kurse Kryeministri i Izraelit, Beniamin Netanjahu, në deklaratën me shkrim që kishte bërë të dielën kishte mbështetur projektligjin që parashikon ndalimin e ezanit me pretendimin se thirrja e tij “i shqetëson njerëzit përmes zhurmës që bën”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit