Forcat izraelite nuk lejojnë që burrat nën moshën 65 vjeç dhe gratë nën moshën 50 vjeç të hyjnë në Mexhid Al-Aksa
Qeveria izraelite ka vendosur kufizim moshe për ata që duan të falin namazin e xhumasë në Mesxhid al-Aksa këtë javë, siç bëri edhe javën e kaluar, raporton Anadolu.
Në kohë normale, palestinezët që jetojnë në Kudsin Lindor të pushtuar dynden në Xhaminë Al-Aksa, kibla e parë e muslimanëve, për të falur namazin e xhumasë.
Megjithatë, këtë javë, ashtu siç bëri javën e kaluar, Izraeli vendosi kufizime të moshës për palestinezët që duan të vijnë në Xhaminë Al-Aksa për faljen e xhumasë.
Sipas deklaratës së bërë për Anadolu nga Administrata e Vakëfeve Islame të Kudsit, forcat izraelite nuk lejojnë që burrat nën moshën 65 vjeç dhe gratë nën moshën 50 vjeç të hyjnë në xhaminë e shenjtë.
Policia izraelite ngriti barrikada
Nga ana tjetër, policia izraelite ngriti barrikada rreth qytetit të vjetër të Kudsit Lindor, ku gjendet Xhamia Al-Aksa.
Disa nga palestinezët që duan të hyjnë në Xhaminë Al-Aksa për faljen e xhumasë u lejuan të hynin pas kontrollit të identitetit të tyre.
“Nëse dëshiron të shkosh në Aksa për t’u falur, ajo është e mbyllur për të rinjtë”
Hashim Taha, i cili prej 50 vitesh është tregtar në Qytetin e Vjetër, në një deklaratë për Anadolu tha se Izraeli ka vendosur kufizim moshe për palestinezët që duan të falen në Xhaminë Al-Aksa.
Duke thënë se ai ka lindur në Qytetin e Vjetër, Taha tha: “Gjithmonë është njësoj, por këtë herë ata i shkaktuan shumë probleme popullit palestinez dhe nëse doni të shkoni në Aksa për t’u falur, ajo është e mbyllur për të rinjtë. As kjo nuk është diçka e re, këtë e bëjnë gjatë gjithë kohës”.
“Nuk do t’i braktisim këto toka”
Taha tha se rrugët e Qytetit të Vjetër, ku mijëra njerëz vijnë çdo të premte në kohë normale, kanë mbetur bosh dhe tha:
“Këtu nuk ka mbetur punë, sepse ka luftë dhe nuk ka punë askund. Arsyeja e vetme që ne hapim dyqanet tona është për t’u treguar njerëzve dhe qeverisë izraelite se ne jemi ende në këto toka. Ne nuk do t’i braktisim këto troje, nuk do të braktisim shtëpitë, vendet e punës dhe rrugët tona. Rrugët e Qytetit të Vjetër të Kudsit janë bosh sepse qeveria izraelite nuk i lejon njerëzit të vijnë këtu ose në Al-Aksa. Meqenëse njerëzit nuk mund të hyjnë në Qytetin e Vjetër, ai është bosh. Nëse nuk do të kishte problem, mijëra njerëz do të shkonin në Mesxhid Al-Aksa”.
Javën e kaluar u njoftua se vetëm 5 mijë palestinezë arritën ta falën namazin e xhumasë në Mesxhid Al-Aksa për shkak të kufizimit të moshës të vendosur nga Izraeli, ku normalisht, mesatarisht 70 mijë deri në 100 mijë njerëz e falin namazin e xhumasë.