9.6 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Izraeli ndalon me ligj flamurin palestinez

Më të lexuarat

Ministria e Jashtme palestineze paralajmëron se ky projektligj do të çojë në përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

Parlamenti izraelit (Knesset) miratoi të mërkurën një projektligj të ri që ndalon ngritjen e flamurit palestinez.

Sipas faqes së internetit të Knessetit, projektligji i titulluar “ndalimi i ngritjes së flamurit të një entiteti armiqësor” u propozua nga partia e ekstremit të djathtë Forca Hebraike (Otzma Yehudit) e udhëhequr nga ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir.

Projektligji u mbështet nga 54 deputetë ndërsa 16 ishin kundër. Projektligji parashikon se ngritja e flamurit palestinez ose flamujve të tjerë të shteteve të klasifikuara si armike të Izraelit, brenda një asambleje “përbën vepër penale që dënohet me një vit burg”.

Projektligji u miratua në seancën e parë të Parlamentit dhe për të hyrë në fuqi i nevojiten edhe tri seanca të tjera. Në janar, Ben-Gvir tha se kishte udhëzuar policinë të largonte flamujt palestinezë nga hapësirat publike.

Policia dhe ushtarët izraelitë edhe përpara projektligjit të ri, kishin autoritetin për të hequr flamujt palestinezë në rastet kur gjykonin se kishte një kërcënim për rendin publik.

Ministria e Jashtme palestineze dënoi miratimin e projektligjit kundër flamurit palestinez, duke e konsideruar atë “dëshmi se regjimi në pushtet në Izrael po shkon drejt fashizmit”.

Ministria paralajmëroi se miratimi i projektligjit do të përshkallëzojë më tej konfliktin.

“Dështimi i komunitetit ndërkombëtar për të kontrolluar shkeljet e Izraelit e inkurajon atë të shkojë më tej me planet koloniale dhe politikën e aparteidit”, tha Ministria e Jashtme palestineze.

AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit