1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Izraeli lë 459 familje palestineze pa shtëpi në sulmet e fundit ndaj Gazës

Më të lexuarat

Izraeli ka lënë pa shtëpi në Gaza 2.516 persona, thuhet në deklaratën ku theksohet se 1.180 prej këtyre personave janë fëmijë, 688 gra, 97 të moshuar dhe 3 persona me aftësi të kufizuar

Të paktën 459 familje kanë mbetur pa shtëpi për shkak të shkatërrimeve të shkaktuara nga sulmet e fundit të Izraelit në Rripin e Gazës nën bllokadë, transmeton Anadolu.

Ministria e Zhvillimit Social në Rripin e Gazës në një deklaratë informoi lidhur me situatën e përgjithshme të familjeve palestineze pas sulmit që Izraeli filloi më 9 maj. Në deklaratë thuhet se “459 familje kanë mbetur pa shtëpi në sulmet e fundit izraelite kundër Gazës”.

Izraeli ka lënë pa shtëpi në Gaza 2.516 persona, thuhet në deklaratën ku theksohet se 1.180 prej këtyre personave janë fëmijë, 688 gra, 97 të moshuar dhe 3 persona me aftësi të kufizuar.

Po ashtu në deklaratë vihet në dukje se zhurma e avionëve dhe e shpërthimeve ka frikësuar shumë fëmijët, ka lënë tek ata efekte psikologjike të thella. Madje, disa fëmijë kanë humbur jetën për shkak të frikës që kanë përjetuar.

Në deklaratën e ministrisë thuhet se në fazën e parë është siguruar ndihmë prej gjysmë milioni dollarë për të prekurit nga sulmi. Institucioneve ndërkombëtare dhe rajonale u bëhet thirrje “për mbështetje ndaj familjeve që janë dëmtuar në sulmet e Izraelit”.

– Sulmi i Izraelit ndaj Gazës

Izraeli më 9 maj filloi sulme në rajone të ndryshme të Gazës duke mbrojtur idenë se ka vendosur në objektiv stafin drejtues të Lëvizjes Xhihadi Islamik. Në sulme deri më tani kanë humbur jetën 33 palestinezë, përfshirë 6 fëmijë dhe 3 gra ndërsa janë plagosur 93 të tjerë përfshirë 32 fëmijë dhe 17 gra.

Ndërsa grupet palestineze iu përgjigjën këtyre sulmeve duke lëshuar nga Gaza drejt Izraelit mbi 1.000 raketa dhe predha mortajash, në qytetin Rehovot humbi jetën një izraelit.

Palët ranë dakord për një armëpushim në orët e natës së 13 majit.

– Në sulmet izraelite u dëmtuan mbi 2 mijë banesa

Zyra për media e qeverisë në Gaza në një deklaratë më 14 maj njoftoi se në sulmin e fundit të Izraelit janë dëmtuar mbi 2 mijë banesa.

Më tej thuhet se 93 prej tyre janë plotësisht të papërdorshme, 128 të pabanueshme dhe se sipas përcaktimeve paraprake dëmet materiale që kanë shkaktuar sulmet është rreth 9 milionë dollarë.

Ndër të tjera në deklaratë bëhet e ditur se vlera e dëmeve në sektorin bujqësor është rreth 3 milionë dollarë.

/aa/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit