Izraeli refuzoi vendimin e administratës amerikane për rihapjen e konsullatës së saj të përgjithshme në Kudsin Lindor të okupuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryediplomati amerikan: Washingtoni do të rihap konsullatën në Kuds
Ambasadori izraelit në Washington, Gilad Erdan, i tha Korporatës Publike të Transmetimit të Izraelit se Tel Avivi kundërshton vendosmërisht lëvizjen e tillë të SHBA-së për të rihapur konsullatën e saj për palestinezët brenda asaj që ai e përshkroi si “territorin sovran të Izraelit”.
Megjithatë ai përjashtoi mundësinë që kundërshtimi izraelit do të shkaktojë ndonjë krizë me SHBA-në.
Sipas gazetës “Jerusalem Post”, çështja u ngrit gjatë takimit të Kryeministrit Izraelit, Benjamin Netanyahu, me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, të martën.
Blinken tha të martën se Washingtoni do të rihapë konsullatën e tij në Kuds, e cila historikisht kishte shërbyer si zyrë e ngarkuar për marrëdhëniet diplomatike me Palestinën.
Komentet e tij erdhën gjatë një konference shtypi pas takimit me Presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, në Ramallah në kuadër të vizitës zyrtare në territoret e okupuara të Palestinës.
Në vitin 2018, administrata e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, mbylli konsullatën në Kudsin Lindor pasi njohu Kudsin si kryeqytet të Izraelit. /aa