Sulmet kishin në shënjestër disa shtëpi dhe objekte në kampin e refugjatëve Jabalia dhe lagjen Al-Mashrooh në Beit Lahia
Avionët luftarakë izraelitë kryen sulme ajrore intensive në veri të Gazës sot herët, ndërsa raportohet për viktima.
Sulmet kishin në shënjestër disa shtëpi dhe objekte në kampin e refugjatëve Jabalia dhe lagjen Al-Mashrooh në Beit Lahia, sipas reporterit të Anadolu-së në terren.
Dhjetëra palestinezë raportohen të vdekur nga sulmet. Ministria palestineze e Shëndetësisë ende nuk ka konfirmuar viktimat.
Të premten, ushtria izraelite paralajmëroi 1,1 milion banorë në veri të Gazës që të evakuohen “brenda 24 orëve” në gjysmën jugore të rripit.
OKB-ja ka paralajmëruar se do të ishte e pamundur që palestinezët në Gaza t’i binden urdhrit pa “pasoja shkatërruese humanitare”.
Një javë më parë, forcat izraelite nisën një fushatë të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës në përgjigje të një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.
Konflikti filloi të shtunën e kaluar kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm me shumë drejtime, duke përfshirë një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.
Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për bastisjet ndaj Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.
Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.
Përgjigjja e Izraelite është shtrirë deri në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nën një rrethim paralizues që nga viti 2007.
Më shumë se 3.300 njerëz janë vrarë që nga shpërthimi i konfliktit, duke përfshirë 1.900 palestinezë dhe 1.400 izraelitë.