huhet se në sulm ka të vrarë dhe të plagosur
Izraeli kreu sulm ajror ndaj kampit të refugjatëve “Nuseirat” që ka popullsi të dendur në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.
Sipas informacioneve që gazetari i AA-së ka marrë nga burimet e shëndetësisë, avionët izraelitë vendosën në objektiv shumë shtëpi në kampin e refugjatëve “Nuseirat” i cili ndodhet në pjesën qendrore të Gazës. Thuhet se në sulm ka të vrarë dhe të plagosur.
Dëshmitarët thanë se sulmi izraelit ka shkaktuar shembje masive në rajon ku shtëpitë ndodhen të ngjitura me njëra-tjetrën.
– Konflikti Izraeli-Palestinë
Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit, mëngjesin e 7 tetorit njoftoi nisjen e sulmit gjithëpërfshirës të emëruar “Tufani i Aksa-së” kundër Izraelit.
Nga Gaza në drejtim të Izraelit u lëshuan mijëra raketa ndërsa grupet e armatosura palestineze kryen bastisje dhe morën kontrollin e pikës kufitare Beit Hanoun-Erez në kufirin Gaza-Izrael.
Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet izraelite ndërsa ushtria izraelite filloi sulme ndaj Rripit të Gazës me dhjetëra avionë luftarakë. Në sulmet e kryera nga Gaza përfshirë 286 ushtarë kanë humbur jetën 1.300 izraelitë, ndërsa janë plagosur 3.968 të tjerë.
Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se në sulmet e Izraelit në Gaza janë vrarë 2.750 palestinezë ndërsa janë plagosur 9.700 të tjerë.
Në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar janë vrarë 58 palestinezë dhe janë plagosur rreth 1.250 të tjerë. Gjithashtu në sulmet e Izraelit kanë humbur jetën 10 gazetarë, prej të cilëve 9 në Gaza dhe një në Liban.
Ndërsa në konfliktet e shënuara në kufirin izraelit në jug të Libanit mes Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite që nga 8 tetori e deri më tani, kanë humbur jetën 3 civilë, 4 milicë të Hezbollahut dhe 2 anëtarë të Lëvizjes së Xhihadit Islamik Palestinez. Në sulmet e kryera nga ana e Libanit humbën jetën 3 ushtarë izraelitë.