Dega Palestineze e Lëvizjes Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve, ka konfirmuar se numri i fëmijëve palestinezë të vrarë nga Izraeli që nga fillimi i vitit ka arritur në 40
Lëvizja Ndërkombëtare e Mbrojtjes së Fëmijëve me bazë në Gjenevë raportoi se Izraeli ka vrarë 40 fëmijë palestinezë që nga fillimi i vitit 2023, transmeton Anadolu.
Ayid Abu Katish, një nga zyrtarët e Degës Palestineze të Lëvizjes Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve, ka bërë një deklaratë për agjencinë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA.
Duke kujtuar se 17-vjeçari palestinez, Remzi Fethi Hamid, i cili u plagos nga zjarri i hapur nga roja i sigurisë së vendbanimit të paligjshëm hebre në Bregun Perëndimor të pushtuar, vdiq në spital mëngjesin e sotëm, Abu Katish tha se numri i fëmijëve palestinezë të vrarë nga Izraeli që nga fillimi i vitit ka arritur në 40.
Abu Katish deklaroi se gjatë kësaj kohe forcat izraelite ose kolonët hebrenj vranë 33 fëmijë në Bregun Perëndimor dhe 7 fëmijë në Rripin e bllokuar të Gazës.
Ai gjithashtu tha se autoritetet izraelite aktualisht po mbajnë 160 fëmijë palestinezë të burgosur.
Duke theksuar se mosndëshkimi për krimet do të thotë një dritë jeshile për kolonët hebrenj për të vrarë fëmijët palestinezë, Abu Katish tha se sulmet nga kolonët hebrenj që rezultuan në vdekjen e fëmijëve mbeten gjithmonë të pandëshkuar.
Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se 17-vjeçari Hamid, i cili u qëllua disa ditë më parë në vendbanimin Silvad, në lindje të Ramallahut, ka ndërruar jetë në spital mëngjesin e sotëm.
/AA/