Izraelitët kanë mbajtur demonstrata çdo të shtunë kundër reformës gjyqësore të qeverisë së koalicionit të ekstremit të djathtë të udhëhequr nga Netanyahu
Dhjetëra mijëra izraelitë dolën në rrugë të shtunën për të protestuar ndaj politikave të krahut të djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe reformës së planifikuar që do të kufizonte kompetencat e gjyqësorit, raporton Anadolu.
Izraelitët kanë mbajtur demonstrata çdo të shtunë kundër reformës gjyqësore të qeverisë së koalicionit të ekstremit të djathtë të udhëhequr nga Netanyahu.
Ata dolën sërish në rrugë të shtunën në javën e dhjetë radhazi të protestave të mbajtura në dhjetëra qytete, duke përfshirë Tel Avivin, Haifan, Kudsin Perëndimor, Beersheban dhe Netanyan.
Përfaqësues nga OJQ të ndryshme mbajtën fjalime pro-demokracisë në një skenë të ngritur në sheshin Kaplan të Tel Avivit pranë kompleksit qeveritar.
Demonstruesit brohoritën gjithashtu parulla kundër Netanyahut, ministrit të Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir dhe ministrit të Financave Bezalel Smotrich.
Yair Lapid, ish-kryeministër dhe udhëheqës i partisë opozitare Yesh Atid, mori pjesë në protestën në qytetin jugor Beersheba.
“Së bashku me më shumë se 10 mijë protestues të fuqishëm në Beersheba, duke luftuar për shtetin”, shkroi Lapid në Twitter.
Propozuar nga ministri i Drejtësisë Yariv Levin, plani i reformës, nëse miratohet, do të ishte ndryshimi më radikal ndonjëherë në sistemin e qeverisjes në Izrael.
Ndryshimi do të kufizonte ndjeshëm fuqinë e Gjykatës së Lartë të Drejtësisë, do t’i jepte qeverisë kompetenca për të zgjedhur gjyqtarët dhe do t’i jepte fund emërimit të këshilltarëve ligjorë në ministri nga prokurori i përgjithshëm.
Netanyahu, i cili është në gjykim për korrupsion, ka këmbëngulur se plani i tij do të përmirësojë demokracinë.