Protestuesit premtuan se do të mbajnë demonstrata të ngjashme në të gjithë vendin për të rritur ndërgjegjësimin për fushatën e bojkotit
Në shenjë solidariteti me Palestinën, në kryeqytetin e Italisë, Romë, u organizua një protestë ndërsa të tubuarit u bënë thirrje qytetarëve të bojkotojnë produktet izraelite, raporton Anadolu.
Në rrugën “Filarete” në Romë, të premten rreth 100 protestues mbajtën një tubim në mbështetje të Palestinës kundër sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës, duke i bërë thirrje publikut të gjerë të bojkotojë produktet që lidhen me Izraelin.
Tubimit iu bashkuan edhe përfaqësues të disa organizatave joqeveritare me mbishkrimet “Bojkoto Izraelin” dhe “Ndal gjenocidit”.
Ata kërkuan bojkot të produkteve dhe shërbimeve të disa korporatave shumëkombëshe si dhe produkteve izraelite.
Protestuesit brohoritën slogane pro-palestineze dhe premtuan se do të mbajnë demonstrata të ngjashme në të gjithë vendin për të rritur ndërgjegjësimin për fushatën e bojkotit.
Ushtria izraelite vazhdoi sulmet e rënda në të gjithë Rripin e Gazës të premten herët pas përfundimit të pauzës humanitare dhe të paktën 178 palestinezë u vranë dhe 589 u plagosën të premten, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
Që kur Izraeli filloi sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor, më shumë se 15.000 palestinezë, përfshirë 6.150 fëmijë, janë vrarë, sipas autoriteteve në Gaza.
/aa/