Projektligji u kundërshtua nga ligjvënësit e partive opozitare në komisionin parlamentar të mjedisit, të cilët thanë se nëse do të miratohej, do të kufizonte lirinë e fesë
Një parti e koalicionit të krahut të djathtë në qeverinë italiane e udhëhequr nga kryeministrja Giorgia Meloni ka përgatitur një projektligj që synon të ndalojë hapësirat e faljes së muslimanëve jashtë xhamive, tha media lokale, transmeton Anadolu.
Projektligji i propozuar nga partia Vëllezërit e Italisë (FdI), për të cilin aktualisht po debatohet në komisionin parlamentar të mjedisit, synon të ndalojë përdorimin e garazheve dhe depove industriale si xhami, raportoi të shtunën e përditshmja “24 Ore”.
Organizatat kulturore dhe fetare që nuk kanë nënshkruar një marrëveshje me shtetin italian nuk do të lejohen të përdorin pronat si vend adhurimi, shkruan e përditshmja, duke shtuar se komuniteti musliman i vendit nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje të tillë me shtetin. Projektligji, sipas të përditshmes, u kundërshtua nga ligjvënësit e partive opozitare në komisionin parlamentar të mjedisit, të cilët thanë se nëse do të miratohej, do të kufizonte lirinë e fesë.
Sami Salem, imam në Xhaminë Magliana në Romë, ka thënë për të përditshmen se “Është një projektligj që diskriminon qartë muslimanët dhe nuk respekton Kushtetutën italiane që mbron të gjithë qytetarët që jetojnë në Itali”.
Izzeddin Elzir, një tjetër imam i komunitetit musliman në provincën veriore të Firencës, po ashtu ka shprehur shqetësimet e tij për ligjshmërinë e projektligjit.