12 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Israja, Mi’raxhi dhe namazi

Më të lexuarat

Israja dhe Mi’raxhi janë dy terme të cilat tregojnë për një ndodhi, një ngjarje që ka të bëjë me Pejgamberin e Allahut Muhamedin alejhi selam, e që ka ndodhë brenda një pjese të shkurtë të natës. Me fjalën Isra’, që edhe një kaptinë në Kuran mbanë emrin Kaptina Isra’ , ka për qëllim udhëtimin e Pejgamberit prej Mekës deri në Mesxhidul Aksa ( që gjendet në Palestinë), brenda një pjese të natës, me shpirt dhe me trup. Ndërsa fjala Mi’raxh, që gjuhësisht ka kuptimin e ngjitjes dhe ngritjes, ka për qëllim ngjitjen dhe ngritjen e Pejgamberit prej Mesxhidil Aksas gjerë në qiejt më të lartë. D. m th me fjalën Isra’ është për qëllim udhëtimi tokësorë i të Dërguarit të Allahut prej Qabesë në Mesxhidul Aksa. Ndërsa me fjalën Mi’raxh kemi për qëllim udhëtimin qiellorë të Pejgamberit, duke filluar nga toka e deri në qiellin më të lartë.
Ndodhia e Israsë dhe Mi’raxhit ishte dhe mbetet një mrekulli e madhe, me të cilën Allahu theu ligjet e natyrës së Tij. Këtë e bëri vetëm për robin e Tij, që ta forcoj edhe më shumë në misionin e tij. Në atë ngjarje i Dërguari i Allahut pa mrekullitë e Allahut. Këto dy ngjarje që i kanë ndodhë Pejgamberit, Allahu i ka shënuar në dy vende në Kuran. Udhëtimin e Pejgamberit prej Qabesë e deri në Mesxhidul Aksa e përshkroi në ajetin e parë në suren Isra’ ku tha: “I lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij (Muhamedin) natën nga Xhamia e Shenjtë (në Mekë) në Xhaminë e Largët (të Jeruzalemit), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona. Ai, me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë” ( Isra’ 1). Ndërsa ngjitjen dhe ngritjen e Pejgamberit prej tokës në qiell, Allahu e përshkroi në kaptinën Nexhm, ku tha: “Vallë, a do ta kundërshtonit atë për çfarë ka parë, ndërkohë që ai e ka parë atë edhe një herë tjetër, te Sidretul Munteha-ja, ku ndodhet Xheneti i Strehimit. Kur Sidrën çfarë nuk e mbulonte?! Shikimi i tij nuk u shmang dhe as nuk e kaloi masën, por ai pa disa nga mrekullitë më madhështore të Zotit të tij! ( Nexhm 12-18).
Israja dhe Mi’raxhi ndodhën në vitin e dhjetë të dërgimit të Pejgamberit, pasi që në atë vit i vdiqën Pejgamberit dy përkrahësit më të mëdhenj të misionit të tij. Ishte Axha i tij, Ebu Talibi i cili ishte një muri i fuqishëm, në të cilin mbështetej i Dërguari i Allahut. Për shkak të pozitës që kishte në popullin e tij, intrigat dhe dredhitë që ia mendonin Pejgamberit armiqtë e tij, ai i kthente mbrapa dhe e mbronte Pejgamberin para tyre. Ndërsa përkrahësi i dytë ishte bashkëshortja e tij Hadixheja, e cila përveç që përkrahte Pejgamberin moralisht, duke i dhënë kurajo dhe duke e forcuar shpirtërisht, ajo edhe ishte sponsorja më e madhe në përkrahjen e Pejgamberit materialisht. Ishte grua shumë e pasur, ndërsa tërë pasurin e saj ia la në shërbim Pejgamberit për misionin e tij. I Dërguari i Allahut u pikëllua shumë për vdekjen e tyre, sa që këtë vit e quajti viti i pikëllimit, për shkak pikëllimit të madh që i shkaktoi Pejgamberit vdekja e tyre. Ajo që shtoi edhe më shumë pikëllimin dhe mërzinë e Pejgamberit ishte edhe refuzimin dhe kundërshtimin që ia bënë populli i Taifit, një qytet rreth njëqind kilometra nga Meka. I Dërguari i Allahut pas vdekjes së dy ndihmëtarëve më të mëdhenj të tij, i dëshpëruar nga populli i tij, me qëllim që misioni i tij të gjej përkrahjen dhe pranimin e njerëzve u drejtua për në qytetin e Taifit për të i thirrur njerëzit në rrugën e Allahut. Ata nuk mjaftuan vetëm me refuzimin që ia bënë, por nxorën në rrugë mendjelehtit e tyre dhe e gjuanin Pejgamberin me gurë, gjersa të përgjakur e dëbuan nga vendi i tyre. Në këtë gjendje tejet të rëndë dhe tejet pikëlluese për Pejgamberin, siç thotë populli ishte i mbështetur për muri, nuk kishte nga t’ia mbajë më. Në këtë moment kur edhe banorët e Mekës bllokuan dhe nuk i lejonin kthimin në shtëpinë e tij, në këtë gjendje kaq të rënd në shpirtin e Pejgamberit, Allahu e thirri në Fqinjësinë e Tij, dhe ndodhi Isaraj dhe Mi’raxhi. Sikur Allahu me këtë deshi ti thotë të Dërguarit të Tij, se nëse banorët e tokës heqin dorë nga tij, dije se vlera e jote te banorët e qiellit është e madhe. Nëse banorët e tokës kanë heqë dorë nga tij, ti e ke Allahun, ti e ke Ndihmëtarin më të fuqishëm. Ti je i lartë dhe gëzon një autoritet të madh, ti je i dashuri Ynë, ti do të jesh mysafirë në Fqinjësinë Time.
Të nderuar vëllezër besimtarë: I Dërguari i Allahut në këtë udhëtim kishte takime me Pejgamberët e Allahut, u fal me ta duke iu prirë në namaz. Në këtë takim ai pa edhe xhenetin edhe xhehenemin, pa edhe banorët e xhenetit dhe punët e tyre, por pa edhe banorët e xhehenemit dhe punët e tyre. Ndoshta në mënyrë më detaje se çka ka parë i Dërguari i Allahut në xhenet dhe xhehenem, do ta themi ndonjë herë tjetër. Por, ajo çka është më e rëndësishmja, dhe që ndërlidhet kjo ngjarje me përditshmërinë tonë sa të jemi gjallë është obligueshmëria e namazit brenda kësaj ngjarje madhështore. Obligueshmëria e namazit në këtë eveniment kaq madhështorë tregon për vetë rëndësinë e namazit. Sikur myslimanët ta njohin realitetin e momentit në të cilin është obliguar namazi, nuk do ta linin atë asnjëherë. Allahu e ngriti vlerën e këtij obligimi dhe dëshiroi që jo përmes ndonjë ndërmjetësuesi ta obligoj atë, por në formën direkt ta bëjë atë. Nuk ishte obligim sikur obligimet tjera duke qenë Pejgamberi n tokë. Por, ky u obligua mbi shtatë palë qiej. Dhe është i vetmi obligim fetarë që Pejgamberi kërkoi lehtësimin e tij, vetëm që myslimanët ta kryejnë në formën më të mirë. Pasi që Allahu e obligoi namazin pesëdhjetë herë në ditë, i Dërguari i Allahut duke zbritur u takua me Musain alejhi selam dhe kur dëgjoi për obligimin e namazit pesëdhjetë herë në ditë, i kërkoi Muhamedit alejhi selam që të kthehet te Allahu dhe t’ia lehtësoj njerëzve këtë obligim. Muhamedi alejhi selam u kthye disa herë tek Allahu me kërkesë të lehtësimit, gjersa erdhi ky obligim në pesë kohë brenda ditës dhe natës. Edhe pesëdhjetë namaze do të ishin të mundshme për neve. Sepse, Allahu nuk e obligon robin e Tij me atë që nuk mund ta bartë. Por kjo ishte mëshira e Allahut për robërit e Tij. A nuk është turp për besimtarin që për një obligim që ke zbritje për 90% në kryerjen e tij, ndërsa në shpërblim është sa 100%, dhe prapë ta neglizhoj atë.
Pra, obligimi i vetëm në fe që është obliguar në qiellin e shtatë dhe pa ndonjë ndërmjetësues është namazi. Andaj, ka një lidhshmëri të fuqishme mes kësaj ngjarje dhe namazit tonë:
=Ashtu sikur që për Pejgamberin kjo ngjarje ishte një mrekulli, një nderë dhe një privilegje e lartë, ashtu edhe për neve është nderë dhe privilegje, sepse na dhuroi dhuratën më të shtrenjtë, e cila është garanti më i fuqishëm i lidhjes së robit me Krijuesin e tij, e që është namazi.
= Ngjarja e Israsë dhe Mi’raxhit erdhi pas pikëllimeve dhe brengave të mëdha të Pejgamberit, pas sprovave shumë të rënda, pas humbjes së dy ndihmëtarëve më të fuqishëm të misionit të tij, pas dëshpërimit të skajshëm. Erdhi në këtë moment që të jetë një rimëkëmbje e fuqishme e Pejgamberit, që më nuk do të njihte dëshpërim e as pikëllim. Israja dhe Mi’raxhi shëroi gjitha brengat e Pejgamberit. Ashtu edhe namazi të nderuar vëllezër, Allahu e obligoi namazin që të jetë ilaç për çdo mërzi, çdo pikëllim, për çdo brengë. Vetëm se kërkohet përkushtim dhe sinqeritet në të. I Dërguari i Allahut kur kishte ndonjë rast të rëndë shpejtonte në namaz. A ka ndodh ndonjë mysliman ta fal namazin me kënaqësi dhe me zemër e mos ti lutet Zotit në namaz edhe me i thënë o Zot falëm, d. m th besimtari qe e fal namazin me përkushtim i digjet zemra para Zotit dhe i vjen keq për ato që i ka bërë. Nuk ka shënuar historia që një njeri iu ka fal Zotit me përkushtim edhe nuk është bë shkak namazi me largu atë njeri prej asaj të keqe.
= Është transmetuar në këtë ngjarje se i Dërguari i Allahut ka thënë: “ U hap tavani i shtëpisë sime në Meke dhe zbriti Xhibrili e hapi gjoksin tim dhe e pastroi atë me ujë të zemzemit dhe pastaj erdhi me një enë prej ari, e mbushur me iman dhe me urtësi dhe e gjuajti në zemrën time, dhe pastaj ma mbylli gjoksin. Filloi me pastrimin e brendësisë para asaj të jashtme, sepse pastrimi i brendësisë është më i rëndësishëm se ajo e jashtme. Po ashtu është transmetuar se i Dërguari i Allahut në këtë ngjarje ka marr abdes me ujë zemzemi dhe me ujë të kroit të Kevtherit dhe kjo aludon në pastrimin e jashtëm dhe atë të brendshëm. Kështu është edhe me falësin e namazit. Nëse donë të falë namazin duhet së pari ta pastrosh brendësinë tënde e pastaj të ngitesh për abdes. Vetëm kështu do ta ndiesh lezetin dhe kënaqësinë e namazit.
= I Dërguari i Allahut sa ishte në qiell i pa melaqet duke i bërë namaz Allahut. Prej tyre që ishin në ruku, disa në sexhde, disa qëndronin në këmbë. Ndërsa Allahu të gjitha këto veprime për neve i bashkoi brenda namazit. Në të ka qëndrim në këmbë ( kijam), ruku ( përkulje), sexhde.
= Në këshillën që Musai alejhi selam ia dha Muhamedit alejhi selam, që ti kërkoj nga Allahu të na e lehtësoj namazin prej pesëdhjetë në pesë, dhe se ai i kishte provuar njerëzit më herët, tregon se namazi nuk është edhe i lehtë për nefsin e njeriut, për egon e tij. Për këtë Allahu ka thënë: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz! Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për të devotshmit” ( bekare 45). Andaj, namazi është obliguar sepse realizon lidhjen mes Krijuesit dhe robit të Tij dhe vepron në ripërtëritjen e kësaj lidhje. Është obliguar sepse është ilaçi më i madh për ta qetësuar njeriun dhe për ta ngritë atë shpirtërisht në shkallë shumë të larta. Namazi bënë dallimin mes myslimanit me iman të fuqishëm dhe atij me iman të dobët. Në veçanti kjo shihet në namazin e jacisë dhe atë të sabahut. Është bërë obligim namazi që të bëjë dallimin mes atij që dëshiron afrimin tek Krijuesi i tij. Për këtë ai që e fal namazin ka siguruar shpëtimin e tij. Ndërsa ai që e lë namazin ka siguruar dështimin dhe humbjen e tij.

Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
E mbajtur, më 25/02/2022 m.| 24 Rexheb 1443 h Vendi:Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati
Tema: Israja, Mi’raxhi dhe namazi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit