Para zgjedhjeve për Parlamentit Evropian (PE), në disa vende të Bashkimit Evropian (BE), ku mbulesa (shamia) e muslimaneve është e ndaluar me rregullore po bëhen përpjekje që islamofobia (anti-islamizmi) të shndërrohet në vota.
Qytetarët e BE-së më 23-26 maj do të votojnë për të zgjedhur anëtarët e rinj të PE-së. Në kontinentin evropian ku e djathta ekstreme është duke u forcuar, islamofobia jo që nuk ka mbetur e kufizuar vetëm në retorikë apo herë-herë edhe me sulme, por kjo është reflektuar edhe në rregullimet ligjore. Me këto ndryshime, islamofobia tashmë ka më shumë ndikim në politikat e qeverisë, ndërsa muslimanët janë bërë material zgjedhor.
Një prej shembujve më të fundit të kësaj është vërejtur në Austri ku në pushtet ndodhen të djathtët ekstremë. Vetëm një javë para zgjedhjeve Parlamenti austriak miratoi ndalesën për vendosjen e mbulesës (shamisë) në shkollat fillore.
Me rregulloren e miratuar në Parlament nga Partia Popullore e Austrisë (ÖVP) dhe Partia e Lirisë (FPÖ) është ndaluar që nxënësit e fillores të mbulojnë të gjithë kokën me “një veshje fetare ose ideologjike”.
Në ligj vendosja e theksit “të gjithë kokën” dhe mos ndalimi për “Kipa-n” e cila përdoret nga hebrenjtë dhe “Patka-n” që përdoret nga njerëzit e besimit Sikh është vërejtur si treguesi më i dukshëm sistematik i diskriminimit institucional dhe kundër muslimanëve.
Me rregulloren që vendos në objektiv muslimanët, ndalohet që fëmijët deri në moshën 10 vjeçare të mbajnë shamitë, ndërsa familjet që veprojnë në kundërshtim me ndalesën do të dënohen me gjobë prej 440 euro ose dy javë burgim.
Franca
Senati në Francë ka miratuar nenin e përgatitur nga qeveria në kuadër të ligjit për shkollat i cili ndalon nënat të vendosin shami teksa shoqërojnë fëmijët gjatë ekskursioneve.
Neni i propozuar nga Partia e Republikanëve (LR) u pranua me 186 vota “pro” dhe 100 vota “kundër”. Me rregulloren e cila që të hyjë në fuqi duhet të miratohet edhe në Kuvendin Kombëtar, është mbrojtur ideja se kjo do të mbushë boshllëkun ligjor në lidhje me zbatimin e laicitetit gjatë ekskursioneve të shkollave.
Ministri i Arsimit Kombëtar të Francës, Jean-Michel Blanquer tha se neni është në kundërshtim me vendimin e Këshillit të shtetit dhe se do të paraqesë shumë probleme në praktikën në lidhje me zhvillimin e ekskursioneve shkollore.
Pasi ka bërë të ditur se një ligj në këtë çështje mund të jetë gabim por se respekton ato që mbrojnë këtë nen, Blanquer theksoi se do të bëjë më të mundshmen që prindërit të mos mbajnë simbole fetare në shëtitjet e tyre shkollore.
Edhe kreu i Unionit të Xhamive në Francë, Muhammed Moussaoui pasi ka bërë të ditur se neni është në kundërshtim me lirinë fetare, u ka bërë thirrje deputetëve që të mos e pranojnë këtë nen dhe të sigurojnë trajtim të barabartë për qytetarët me besime të ndryshme.
Danimarka
Gjithashtu edhe në Danimarkë vezhdojnë provokimet e së djathtës ekstreme. Rasmus Paludan, kryetar i partisë Drejtimi i Shtrënguar (Stram Kurs) më 22 mars dogji Kur’anin para Parlamentit duke protestuar kundër namazit të xhumasë.
Paludan, kërkoi të provokonte muslimanët që falën namazin e xhumasë para Parlamentit danez për të protestuar ndaj sulmeve terroriste që kishin në objektiv xhamitë në Zelandën e Re.
Pasi nuk u lejua nga policia që të afrohej para Parlamentit, Paludan dhe mbështetësit e tij i kryen veprimet e tyre rreth 100 metra larg sheshit ku u fal namazi i xhumasë.
Ndërsa edhe Martin Henriksen nga ekstremi i djathtë, deputeti i Partisë Popullore në Danimarkë provokoi turmën e mbledhur para Parlamentit për të falur namazin e xhumasë, ku ai shëtiti në shesh dhe ngacmoi verbalisht protestuesit.
Kundër faljes së namazit të xhumasë para Parlamentit është shprehur edhe kryetarja e Parlamentit danez, Pia Kjaersgaard.
Një tjetër veprim që ka kryer Paludan nga ekstremi i të djathtës është edhe ai më 14 prill kur hodhi në ajër një Kur’an që mbante në dorë në sheshin “Blaagards Plads” në lagjen Nörrebro në kryeqytetin danez Kopenhagë ku jetojnë kryesisht muslimanë.
Pas provokimeve të bëra nga Paludan ndodhën incidente, ku një grup personash kryesisht të rinj hodhën gurë ndaj policisë dhe dogjën kontejnerët ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës./AA