9.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Islamofobia po e kthen hixhabin në simbol të rezistencës

Më të lexuarat

A besojmë realisht se gratë që e kanë bindje fetare të mbajnë shaminë thjesht do ta heqin atë çdo ditë kur të nisin punën? Më vjen keq, por kjo nuk funksionon kështu.

Nga Iman Amrani | The Guardian

Vendimi i kësaj jave nga Gjykata Europiane e Drejtësisë për të lejuar ndalimin e hixhabit në vendet e punës, është një shenjë më shumë e fiksimit të kontinentit për mënyrën sesi vishen gratë muslimane.

Vendimi thotë se hixhabi mund të ndalohet vetëm si pjesë e politikës që ndalon të gjitha simbolet fetare dhe politike – vendosur në këtë kornizë në mënyrë të tillë që nuk shënjestron drejtpërdrejt gratë muslimane. Në të vërtetë, konferenca e Rabinëve Europianë u shpreh e zemëruar, duke thënë se vendimi dërgonte një mesazh të qartë se komunitetet fetare të Europës nuk ishin më të mirëpritura – dhe se një numër komunitetesh fetare do të ndikoheshin nga ky vendim.

Sidoqoftë, nuk ka dyshim se muslimanët janë grupi kryesor në frontin e zjarrit. Kjo është arsyeja përse grupet e së djathtës ekstreme në kontinent u ngazëllyen prej vendimit. “Sigurisht, kompanitë duhet të lejoheshin të ndalonin shaminë”, tha Georg Pazderski, nga partia e linjës së ashpër “Alternative für Deutschland”. “Edhe Gjykata Europiane voton Marine Le Pen”, shkroi në rrjetet sociale deputeti francez, Gilbert Collard, mbështetës i Frontit Nacional.

Sigurisht që nuk duhet të jesh patjetër i së djathtës ekstreme për të mirëpritur ndalimin ndaj “veshjes së dukshme të ndonjë shenje politike, filozofike apo fetare”. Shumë liberalë, gjithashtu, besojnë se feja nuk ka vend në shoqërinë europiane sekulariste. Qartësisht, nuk ka diskriminim, thonë ata, duke pasur parasysh se sipas të njëjtit vendim të krishterët nuk do të jenë në gjendje të mbajnë në qafë kryqin.

Sidoqoftë, hixhabi nuk hyn pastër nën etiketimin e të qënit “simbol fetar”. Nuk është as baraz me ndonjë bizhuteri që mbahet për krenari të besimit dhe që mund të fshihet lehtësisht nën rroba për të mos vendosur në siklet njerëzit e tjerë. Për ato që e mbajnë, xhihabi është pjesë thelbësore e mënyrës së tyre të jetesës, e lidhur me mënyrën sesi ato zgjedhin të praktikojnë besimin e tyre. Nuk mund të shtrohet fare për debat.

Duke lejuar ndalimin e hixhabit, Europa është në thelb duke lejuar ndalimin e grave muslimane në vendet e tyre të punës.

Mendoni se po e teproj? Merrni në konsideratë për një moment ndikimet reale që ndalimi i hixhabit do të ketë në vendet e punës. A besojmë realisht se gratë që e kanë bindje fetare të mbajnë shaminë thjesht do ta heqin atë çdo ditë kur të nisin punën? Më vjen keq, por kjo nuk funksionon kështu.

Shamia ime nuk ka të bëjë fare me shtypjen. Është një deklaratë feministe. Identiteti nuk është diçka që mund ta shtypësh kur je në hapësira publike. Nuk ndaloj së qëni muslimane kur vij në punë dhe kthehem në gazetare. E praktikoj besimin tim në mencën e punës kur zgjedh të mos ha mishin e derrit, apo kur kërkoj një pije pa alkool në vend të verës kur dalim pas pune. Nëse kolegët e mi e vënë re se unë po e bëjë këtë dhe kjo i bën të mos ndjehen rehat, a duhet unë të detyrohem për t’u sjellë ndryshe?

Hixhabi duhet mbrojtur si një liri për shkak se për shumë gra, përfaqëson një pjesë integrale e asaj që ato janë.  Nëse gratë muslimane detyrohen të zgjedhin midis besimit dhe punës në një mjedis që është armiqësor ndaj tyre, ato thjesht do të shmangin vendet e punës. Ndoshta mund të mos shihni një problem këtu. Ndoshta mendoni se muslimanët janë problemi.

Gjatë luftës për pavarësi të Algjerisë në vitin 1958, një poster propagandues francez tregonte dy fytyra – një me shami dhe një tjetër pa shami- me slloganin: “A nuk jeni të bukura? Atëherë zbulohuni!”. Së bashku me këtë francezët organizuan ceremoni ku gratë algjeriane hiqnin shamitë e tyre për të treguar se kishin zgjedhur anën e kolonizatorëve.

Së fundmi, më shumë sesa rritjen e integrimit – që dëshirojnë ata që bëjnë avokatin e ndalimit – kjo do të çojë në ndasi më të thella në shoqërinë tonë, me më shumë gra muslimane që vendosin të qëndrojnë në hapësira ku ato ndjehen të sigurta dhe të integrohen më pak. Kjo do të sjellë getoizim dhe zemërim.

Mos më keqkuptoni. Unë dëshiroj të jetoj në një shoqëri sekulariste. Unë besoj se ligji dhe drejtësia në këtë vend duhet të ndahen nga ndikimi fetar; por gjithashtu që individët duhet të jenë të lirë të praktikojnë besimin e tyre deri sa kjo të mos ndikojë tek ata përreth tyre. Kjo nuk do të thotë t’i detyrosh ata të pranojnë intolerancën e atyre që ndjehen të ofenduar nga pamja e një shamie.

Me vite, vlerat europiane janë përdorur në përpjekje për të kontrolluar dhe manipuluar ato gra që njerëzit pretendojnë se po i çlirojnë. Gjatë luftës për pavarësi të Algjerisë në vitin 1958, një poster propagandues francez tregonte dy fytyra – një me shami dhe një tjetër pa shami-  me slloganin: “A nuk jeni të bukura? Atëherë zbulohuni!”. Së bashku me këtë francezët organizuan ceremoni ku gratë algjeriane hiqnin shamitë e tyre për të treguar se kishin zgjedhur anën e kolonizatorëve.

Unë kam mikesha që kanë vendosur të mbajnë shamitë gjatë viteve të fundit, për shkak se ndjejnë se identiteti i tyre musliman po kërcënohet dhe vendosën të mbajnë qëndrim në mbështetje të besimit të tyre.

E djathta ekstreme dhe tani edhe Gjykata Europian, mund t’ia kenë dalë mbanë ta kthejnë hixhabin në diçka ndoshta edhe më të fuqishëm sesa një simbol fetar, dhe e kanë shndërruar atë gjithashtu, në një simbol të rezistencës. 

Autorja është gazetare britaniko-algjeriane që jeton në Londër. Ajo ka jetuar më parë në republikën Domenikane dhe në Kolumbi dhe shkruan për çështje të minoriteteve, kulturës dhe emigracionit. Artikulli është botuar në “The Guardian” me titull: The hijab ruling is a ban on Muslim women.
Përktheu Juli Prifti për portalin tesheshi.com. | Titulli është redaksional.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit