-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Islamofobia në çmimet Nobel

Më të lexuarat

RIKARD LJARJA

Nuk e kisha dëgjuar më parë këtë emër, kjo nuk është meritë, sepse nuk mund të njohësh çdo qytetar të botës që shkruan. Bota është e madhe, letër e laps ka për të gjithë, tani edhe kompjuter. Ky zotëria qenka edhe österaicher, pra, gjermanishtfolës, shkrues d.m.th.

Nuk dyshoj fare në aftësinë e tij letrare.

Pra, shkruan në gjuhën e Götes, Heines, në gjuhen e Froidit, Nietzces, Kantit, Hegelit, Hans Falladës, Remarkut, Thomas Mannit, Hans Magnus Enzensbergerit, Günter Grassit, Stefan Zweigut, Frac Kafkës… e ku e di unë…

Sipas mendimit tim, ky njeri, pra, ky shkrimtar, ka përdhosur gjuhën gjermane.

Ky njeri, ky shkrimtar, vuan nga kompleksi i inferioritetit deri në atë shkallë sa është në gjendje të bëjë çudira që t’i dalë emri, emri vetëm si i pari.

Para shumë vitesh, një piktor japonez që kishte të njëjtën diagnozë me shkrimtarin në fjalë, përgatiti një telajo me përmasa të mëdha, e vuri në trotuar, hipi në katin e (nuk e di mirë se në cilin) dhe u hodh nga një lartësi goxha e madhe drejt e mbi telajo. Sigurisht, vdiq në vend. Telajo me gjakun e tij e me ç’kishte dalë trupi në atë rënie, ishte piktura e tij. Kryevepra.

Keni parë ndeshje ndërkombëtare, ku stadiumet janë tejet të mbipopulluar. Po, po, femra që zhvishen cullak, nudo, pra, dhe vrapojnë mes futbollistëve.

Është e njëjta dukuri: kompleksi i inferioritetit.

E sa e sa raste të tjera mund të rendis. Ca janë shumë banale, prandaj nuk po i përmend.

Ky njeri, kontrovers, Peter Handke, është i vetëdijshëm. E arriti atë që donte. U bë figura më e ndyrë e letërsisë së përbotshme dhe reklama që po i bëhet i mjafton. Me siguri zgërdhihet e u nxjerr gjuhën të gjithëve meqë ua hodhi.

Edhe një herë, nuk dyshoj për aftësinë e tij si prozator megjithëqë nuk kam lexuar asnjë rresht të tij.

Por Peter Handke ka thyer një ndër normat morale të vendosura nga shumica e njerëzve vullnetmirë me vetëdije të kthjellët.

Si mund t’i thurësh ditirambe për shembull Neronit apo Herikut të VIII, Hitlerit apo Pol Potit…
Spekulimi i këtij soj shkrimtari është:
“E drejta e lirisë së fjalës”.
Por gjithçka ka një cak. Ka një masë.
Ky tipi e ka stërtejkaluar masën.
Mendoj se meriton një padi në Gjykatën e Hagës për gjenocid.

Duhet dënuar!
Makar virtualisht.
Heroi i tij bëri gjenocid real.
Kurse ky e ribëri gjenocidin. I rivrau edhe një herë të vrarët e luftërave të ish-Jugosllavisë.
Unë nuk e di sesi bëhen këto punë, por mendoj se i bën mirë atij dhe opinionit progresiv ndërkombëtar.
Po komisioni i fshehtë, që ka për detyrë të bëjë zgjedhjen?

Një komision që shpërbëhet nga një skandal me përmasa të mëdha sekso-korruptive. (Këtu duhet të them se strumbullari i gjithë këtij skandali është burri i njërës nga anëtaret e komisionit me një mbiemër… ARNAUD. Edhe këtu të kenë futur hundët arnautët?).

Çudira! Ça s’po ndodh në këtë botë të lëbyrur.

Komisioni i ri, duke dashtë të “rregullojë” skandalin, dha dy çmime në të njëjtën kohë. Mirëpo, në çmimin e sivjetmë doli në dritë një dukuri tjetër e këtij komisioni: ISLAMOFOBIA.

Se s’ka se si që një komision i tërë të jetë dakord që t’i akordohet çmimi një islamofobi, i cili nxit urrejtjen racore dhe fetare kur dihet botërisht që letërsia dhe artet kanë për detyrë, përveç të tjerave, të sjellin paqe në botë.

Nuk përjashtoj asgjë.

Korrupsioni të gërryen: “Edhe mbreti e do dhuratën”.

Pra, dikush, apo disa individë apo institucione, duhet të mblidhen dhe të bëjnë një padi serioze kundër këtij individi (me siguri të talentuar), por që shfrytëzon në mënyrën më të pështirë talentin e tij kundër gjithë botës së emancipuar.

Kaq.

Ndoshta e teprova?!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit