0.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Islamofobia midis mohimit dhe keqpërdorimit

Më të lexuarat

Duket se diskutimet mbi radikalizmin në tryezave që mbledhin rreth tyre kryesisht pak e hiç njohës të zhvillimeve bashkëkohore mbi teoritë e radikalizimit, kanë filluar të zënë vend më shumë në Kosovë. Këtu nuk do të trajtoj ndonjërën nga teoritë e radikalizimit, e as ndonjërin nga modelet shpjeguese të procesit të tij, individual apo grupor (në kuptimin e procesit në të cilin një individ apo një grup aprovon, ushqen apo vepron dhunshëm apo kundërligjshëm. Edhe pse definicioni i ‘radikalizmit’ ballafaqohet me të njëjtin problem si ai i ‘terrorizmit’), por do të merrem më një diskutim tjetër, i cili megjithatë është i rëndësishëm në gjithë të folurën rreth radikalizmit: diskriminimin apo deprivimin (privimin) nga të drejtat esenciale të disa individëve apo popullatave të paracaktuara e të kategorizuara nga ligjërimi. Në mënyre specifike, është islamofobia ajo që më intereson këtu.

Arsyet përse duhet marrë shtruar, në aspektin konceptual dhe praktik, me “islamofobinë” janë disa. Por ky shkrim nuk mëton të merret shtruar me ketë çështje. Është një shkrim prozaik që megjithatë synon të vë në pah një ligjërim të montuar me letra, e që meriton të çmontohet: mohimin e islamofobisë. Njëra nga arsyet e trajtimit të islamofobisë, e që lidhet me diskutimet rreth radikalizmit, është fakti se në mënyrë konsensuale, të gjitha teoritë e radikalizimit (diku rreth 20 teori të ndryshme, komplementare njëra me tjetrën) qofshin ato sociologjike, psikologjike, socio-psikologjike, psikanlitike apo teoritë konjitive, pajtohen në atë se në procesin e radikalizimit njëri nga faktorët e rëndësishëm, shtytës, hallkë në rendin linear shkak-pasojë apo në shpërthimet e papritura të dhunës, është diskriminimi, apo trajtimi i pabarabartë i një popullate të caktuar, apo mohimi i barazisë në drejtësi, apo i të drejtave esenciale. Këto teori nuk vënë në pikëpyetje atë se a është ky një faktor apo jo, por ato artikulojnë qëndrime të ndryshme mbi atë se sa është ky faktor i rëndësishëm. Pra dallimet e tyre janë të rendit hierarkik, e jo të një rendi i cili vë në pikëpyetje rëndësinë e tij. Arsyeja tjetër – e edhe preokupimi kryesor i këtij shkrimi – se përse është e rëndësishme që të flasim për ‘islamofobinë’ , është fakti se ky term në vetvete vihet në pikëpyetje nga një ligjërim publik, me argumentin se ky term është thjesht një mënyrë për të delegjitimuar kritikën, për t’i bërë apologjinë ekstremizmit etj. Rrumbullakimi i argumenteve të këtij ligjërimi u bë nga Sibel Halimi, në shkrimin e saj Islamofobia – tendencë relativizuese ndaj ekstremizmit fetar, ku autorja orvatet të dëshmojë se përse “teza” e ekzistencës së islamofobisë është “fragjile” (pra ‘e brishtë’) duke argumentuar se islamofobia nuk ekziston sepse:

  1. Në një vend që “nominalisht”, regjistrimi i fundit e nxjerr [popullin] me shumicë myslimane, një tezë e tillë tingëllon anakronike” në kuptimin se kjo duket kunderthënëse, duke vazhduar argumentin me atë se “duke qenë vend me shumicë myslimane është krejtësisht e palogjikshme që një përcaktim religjioz të kthehet në fobi.”, apo
  2. sepse siç thotë Brendan O’Neil, një gazetar-bloger, të cilit profesoresha e UP-së ka vendosur t’i referohet për argumentin e saj:  “Ideja e islamofobisë gjithmonë është e bazuar më shumë tek fantazitë dhe paniku i elitave politike e mediatike, sesa tek ndonjë nivel real dhe i matshëm i urrejtjes ose i dhunës kundër myslimanëve

Dhe një argument tjetër të cilin Halimi nuk e përmend, por i cili është artikuluar në rrjetet sociale nga të djathtë apo të majtë, të cilët kanë pranuar argumentin i cili përtej kufijve tanë njihet si argument i skajit të ‘djathtë’ , e që është ai se:

  1. Islamofobia nuk ekziston. Ajo është vetëm një “fantazi”, “trillim” dhe “shpikje” që vihet në shërbim për të ndaluar apo penguar çfarëdo kritike ndaj “Islamit” apo “myslimanëve”, ndaj ‘ekstremizmit islamik’ apo “vet-viktimizim”.

Halimi, në fakt, në shkrimin e saj thotë se “grupeve ekstremiste fetare në Kosovë u është vënë përballë lansimi i tezës së islamofobisë”, duke mëtuar këtu se kushdo që pretendon se në Kosovë ka islamofobi, dhe që përpiqet të argumentojë ketë (siç mëton të bëj ky shkrim më tutje), me automatizëm ai person duhet parë si i dyshimt, meqë janë “grupet ekstremiste fetare” ato që bëjnë “lansimin e tezës së islamobobisë”. Edhe ky shkrim ka mundësi qw të cilësohet mbi këto vektore,  si “flirtues” me këto grupe ‘lansuese’ tezash e si i tillë me siguri do të cilësohet edhe Halil Matoshi i cili ka përmendur faktin e islamofobisë në Kosovë, apo edhe Rron Gjinovci i cili ka shkruar për shtypjen e myslimanëve në Kosovë, e edhe studiuesit Isa Blumi, Gëzim Krasniqi (në shkrimin e tyre “Albanian(s) Islam(s)”) të cilët vunë re se si çuditërisht nuk ka ndonjë studim rreth islamofobisë në Kosovë, apo Enis Sulstarova e Gezim Selaci, apo lëvizja Vetëvendosje e cila ka nuhatur dhe afirmuar ekzistencën e islamofobisë, e të tjerë. Pra nëse eventualisht mendoni se ka islamofobi në Kosovë, ju do t’i nënshtroheni mekanizmit ‘radikalist’ të këtij ligjërimi: ‘tekfirizmit sekularist’ që ju binjakëzon me dhunë me ‘ekstremistët islamikë’. Ju do të shkishëroheni me automatizëm. Do shpalleni të përjashtuar. Flirtues.

Këto ‘argumente makinë’, përmes të cilëve mëtohet të mohohet fakti i islamofobisë, janë realisht argumente aq të forta e të fuqishme sa një tigër prej letre. Do e filloj me argumentin se ‘islamofobia’ është një term që shërben për ‘të penguar kritikën ndaj islamit’. Ka megjithatë diçka të vërtetë në këtë argument, por ajo e vërtetë nuk e bën argumentin si të tillë, të vërtetë. E vërteta në këtë argument është se në Kosovë, sikurse gjetiu, ka njerëz të cilët vërtetë përdorin termin “islamofob/i/k” drejtuar çfarëdo qëndrimi që dikush mund të ketë ndaj disa aspekteve të ndonjë “Islami” , ndaj disa veprimeve ku protagonistët qëllojnë të jenë mysliman, apo ndaj kritikave që mund t’u shtrohen disa klerikëve myslimanë etj., pa qenë i ngarkuar me urrejtje, frikë patologjike e aspekte të tjera që përcaktojnë islamofobinë. E kam fjalën këtu për kritika të cilat shtrohen në mënyrë të qartë, si kritika të cilat lokalizojnë një problematikë të caktuar, e qëllojnë atë duke e rrumbullakuar qartë e pa shtrirë stereotipa dhe esencializëm mbi një popullatë, e të cilat mëtojnë të ngjallin diskutim e debat i cili nuk bartë në supe antagonizmin “ne” dhe “ata”, e që nuk ka qëllim të hap ‘ring’ boksi – që është sporti me luksoz që ofrojnë debatet tona televizive e mediave tona. Nëpër rrjete sociale, në komente portalesh online etj. mund të shihet një tendencë e tillë me të cilën me nguti etiketohet si “islamofob” edhe ai i cili në parim nuk i përshtatet asnjë definicioni të këtij termi në akademizëm.

Këtë tendencë, në këtë blog më herët e kam trajtuar si “islamofobizim me dhunë i tjetrit” (e kundërta e “islamizimit me dhunë të tjetrit” , siç vepron Halimi e plot të tjerë kur kategorizojnë opinionet e ndryshme nga të tyret si opinione të cilat mbahen ekskluzivisht nga “grupe ekstremiste fetare” ). Këta shpërdorues të ‘islamofobisë’ janë në një vijë po aq të mbrapshtë sa edhe ata që i shpërdorojnë këta shpërdorues duke marrë në ta shkas për mohim fenomenesh dukshëm prezentë. Në parim, afërsia epistemike e këtyre dy ligjërimeve është vërtet shumë e madhe. Keqpërdoruesit e ‘islamofobisë’ duhet ta kuptojnë se ‘islamofobia’ nga vet definicioni nuk ka një kuptim aq të gjerë sa ia mbështjellin ata, gjegjësisht ajo nuk përfshinë edhe kritikën që mund t’i bëhet terrorizmit që bëhet në emrin e Islamit, kritikës së mungesës së pluralizmit në vende të udhëhequr nga ‘islamistë’ autoritarë e diktatorë myslimanë, as në kritikat politike (të zhveshura nga orientalizmi) që i bëhen Erdoganit, e as në kritikat drejtuar diktaturës saudite etj., meqë krejt këto kritika mund të shtrohen pa qenë fare anti-islam e islamofob. Ata që i zgjerojnë kësisoj kuptimin ‘islamofobisë’, njëlloj sikurse ata që e mohojnë ‘islamofobinë’, në fakt janë duke forcuar vet diskursin islamofobik i cili gjen shkas tek ta. Duhet kuptuar se as kritika e ndonjë teologjie islame, e shtruar si kritike shkollare jo-esencializuese nuk është islamofobi.

Ata myslimanë të cilët në mënyrë emotive i zgjerojnë kështu kuptimin islamofobisë, në një anë i shërbejnë islamofobisë më së shumti ngase ia tretin asaj kuptimin e saj të vërtetë, dhe në anën tjetër kanë nevojë që t’i kthehen pak arkivës së qytetërimit të tyre. Kritika, ashtu sikurse dyshimi, kanë qenë boshti i dinamizmit të qytetërimit islam. Brenda vet shkollave të ndryshme teologjike islame, kritika teologjike mes tyre ka qenë motori që ka bërë që për qindra vite ai qytetërim të prodhojë litterateurs, filozofë e teologë, juristë, dhjetëra shkolla juridike, poetë etj., që kanë rezonancë edhe sot. I vetëdijshëm për rrezikun romantik, është e vërtetë që nëpër dhoma pallatesh në periudha të ndryshme vibrante të historisë së myslimanitetit organizoheshin sallone ku edhe të krishterët merrnin çmim nga kalifi për soliditetin e kritikës së tyre ndaj teologëve të ndonjë shkolle teologjie islame me të cilën ishin në debat. Por a ka me të vërtetë ndonjë kritikë ndaj teologjisë islame sot në Kosovë ? A ka ndonjë kritikë e cila shtrohet siç e shtronte murgu i krishterë në oborrin e Memunit? Përveç disa filizave të cilat përpiqen të ofrojnë lexime alternativë e mendim kritik rreth teologjisë islame, kritikë nuk ka. Por sidoqoftë meqë ka pajtim midis meje dhe ithtarëve të mohimit të islamofobisë rreth ekzistencës së këtij fenomeni keqpërdorues të ‘islamofobisë’, pyetja që duhet shtruar e që na intereson është kjo: fakti i keqpërdorimit të një terminologjie, i instrumentalizimit të saj nga disa, a e bën fenomenin që mëton të përshkruaj e njëjta terminologji, joekzistent? Pra a do të thotë që nëse ka keqpërdorim të ‘islamofobisë’, i cili e shndërron atë tek-tuk në instrument pengimi të kritikës, atëherë “islamofobia” nuk ekziston?

Pohimi do të ishte një logical fallacy, dhe i tillë është edhe vet ky argument. Protagonistët e këtij argumenti e dinë shumë mirë (ose ndoshta nuk e dinë këtë common sense!) se secili nocion që përshkruan fenomene të ndryshme sociale që ekzistojnë, keqpërdorohet nëpër diskurse të ndryshme. Kështu është p.sh. me homofobinë, me antisemitizmin, me racizmin, me fashizmin etj. Secila nga këto nocione që përshkruajnë fenomene reale në shoqëri, gjejnë edhe ‘instrumentalizuesit’ e tyre. P.sh. në Francë e gjetiu, intelektualë të ndryshëm kanë gjetur vetën në bankën e të akuzuarve kur kanë kritikuar politikat shtypëse e Izraelit; njerëzit akuzohen për homofobi thjeshtë sepse afirmojnë se martesa gej, përthekohet me ngërçe serioze në rrafshin të filozofisë normative; të tjerë akuzojnë për racizëm e fashizëm të gjithë ata që s’pajtohen me ta edhe kur të akuzuarit nuk mund të konsiderohen si të tillë nga vet definicioni etj. Por do të ishte mashtrim që këto tendenca të nxjerren si argument për të mohuar ekzistencën e antisemitizmit, homofobisë, diskurseve raciste e fashiste etj. Nuk është aspak ndryshe me islamofobinë. Në fakt, asgjë nuk e mbron as termin ‘islamofobi’ nga keqpërdorime të tilla, dhe në anën tjetër asgjë nga keqpërdorimi retorik i nocionit ‘islamofobi’ nuk konsiston në ‘argument’ për mos-ekzistencën e islamofobisë në Kosovë. Nëse dikush mendon se ky është vërtet një argument, atëherë ai për hir të konsistencës obligohet të pohoj se edhe homofobia, antisemitizmi, racizmi etj. nuk ekzistojnë, meqë edhe këto terme gjejnë keqpërdorues retorik.

Argumenti i tjetër është ai i radhitur si i pari (1). Ai rrjedh kështu: meqë jemi shumicë myslimane, është absurde që të flitet për ekzistencën e “islamofobisë” në Kosovë. Ngase të flasësh për ‘myslimanë’ të cilët janë ‘islamofobikë’ do të ishte logjikisht kontradiktore, do të ishte një oksimoron (e jo një “anakroni”). Si, dhe a është e mundur që dikush të deklarohet mysliman në sondazhe, dhe në të njëjtën kohë të ketë ‘islamofobi’ në Kosovë? Në mendjen e mohuesve të islamofobisë ky duhet të jetë argumenti kryesor dhe më i forti, meqë në perspektivën e tyre ajo e bën situatën e Kosovës të ndryshme nga konteksti evropian është përbërja e ndryshme konfesionale e shoqërisë së Kosovës, së paku “nominalisht”. Prandaj, mund të ketë nga mohuesit e islamofobisë në Kosovë aso të cilët megjithatë afirmojnë ekzistencën e saj në botën perëndimore, në Indi apo Kinë, pra në mesin e jo-myslimanëve krejt duke e pasur vështirë të kuptojnë atë në një ambient ‘myslimanësh nominalë’ , por p.sh. Sibel Halimi nuk duket se është nga ta kur ajo vendos ta përvetësojë opinionin e O’Neill, ngaqë këtu ajo sikurse blogeri O’Neill duket të mendojë se islamofobi nuk ka fare, askund në botë. Por këtë argument ‘të fortë’ do të përpiqem që ta zbus në atë pikë sa ta bëj krejt të parëndësishëm.

Me një kthim përmbys, natyra e këtij argumenti është e këtij soji:

Në Kosovë shumica e popullatës sipas sondazheve janë myslimanë –>

është absurde që një “mysliman” të përdorë gjuhë urrejtjeje ndaj “myslimanëve’ të tjerë –>

kësisoj nuk ka ‘ekstremizëm’ në Kosovë.

Përmbysja e argumentit, edhe pse pak brutale, është vetëm sa për të stolisur ngërçin logjik që paraqet një ‘racionale’ e tillë e mohuesve. Mohuesit e islamofobisë, e dinë sikurse unë, që në Kosovë ka ligjërim urrejtës nga disa njerëz që (thonë se) janë myslimanë, drejtuar myslimanëve të tjerë, pra se ka ‘ekstremizëm’. Fakti retorik, në mungesë aktesh terroriste në Kosovë, nuk na bën të mohojmë faktin e tendencave ekstremiste që përdorin gjuhë urrejtjeje e përjashtimi (karakteristika të cilat ky diskurs i ka të përbashkëta me diskursin islamofobik). Por në fakt ka arsye të tjera edhe më të rëndësishme që e bëjnë argumentin e mohimit krejt të paqëndrueshëm.

Racizmi, homofobia, anti-semitizmi etj. janë fillimisht realitete diskursive. E tillë është edhe ‘islamofobia’. Prezenca apo jo e të dhënave objektive rreth islamofobisë, antisemitizmit, homofibisë, racizmit etj. në raporte të ndryshme varet nga faktorë të ndryshëm, e mbi të gjitha nga raportimi që individët bëjnë. Por varet edhe nga organizimi dhe vetëdija e individëve apo komuniteteve. Varet edhe nga politikat e strukturave qendrore në raport me këto fenomene. Por përtej kësaj, ka diçka që megjithatë mund të konsiderohet objektive: diskursi. Është vështirë për shembull të mohohet së në Kosovë ka diskurs antisemitik apo racizëm kundër të zinjve. Por policia e Kosovës nuk ka regjistruar raste të antisemitizmit (hiq këtu profanizimin e varrezave hebreje në Prishtinë, i vetmi akt antisemit që më kujtohet) apo të racizmit kundër të zinjve. Por megjithatë, edhe antisemitizmi e edhe racizmi kundër të zinjve janë aty, në diskurs, evidente. Si të tillë, ata janë një presje në fenomenin faktik, kalimi në akt është pika. Është absurde të argumentohet se një gjuhë urrejtjeje e caktuar nuk ekziston me pretekstin se nuk është regjistruar ndonjë krim në polici, sepse kësisoj do shtyheshim të pranonim absurdin se urrejtja, tendenca stigmatizuese etj. ekzistuaka vetëm tek ata që kanë kryer krime, kanë kaluar në veprim. Në Kosovë ka lloj-lloj gjuhe urrejtjeje e cila nuk përfundon në raporte as të policisë e as të KLMDNJ-së apo shoqërisë civile.

P.sh. në raportin e YIHR rreth gjuhës së urrejtjes online vitin që shkoi, disi ‘nuk’ është vërejtur diskursi islamofobik apo mizogjenik nën komente portalesh, të cilin veç një qorr i shkretë nuk mund ta dallojë për arsye objektive, apo një apologjet për arsye subjektive. Por kjo gjuhë e urrejtjes ekziston dhe mund të dokumentohet. Në Kosovën e paraluftës, e edhe në Shqipërinë e para viteve 2000, nuk ka të regjistruar raste të homofobisë. Vallë, a e bën kjo ‘homofobinë’ të paqenë në mesin e shqiptarëve të para vitit 2000? Le të na e thotë vet Sibeli e të tjerët që ngasin argumentet e saja.
Për më tepër, ka shumë pushtetarë myslimanë ‘nominal’ e ‘jo-nominal’ të cilët në shekullin e kaluar kanë shtypur sistematikisht myslimanë të tjerë, jo për arsyen së këta paraqisnin domosdo ndonjë rrezik imanent, por për arsyen se këta jetonin apo interpretonin fenë e tyre ndryshe, pa paraqitur domosdoshmërish ndonjë ‘rrezik’. Ataturku për shembull ndër të tjera kishte vendosur masa represive ndaj rendeve sufje duke i mbyllur ato (ato vazhdojnë të jenë të ndaluara, a la lettre, në Turqinë e sotme). Ai i thoshte vetit mysliman dhe kishte vendosur që islami i tij pozitivist të ishte ‘Islami i vërtetë’ dhe se shteti duhej që ta adoptonte dhe ta promovonte këtë islam mbi kurrizin e te gjitha ‘islameve’ të tjera.

Ngjashëm ka qenë e mbetet situata në Egjipt. Pastaj në Irakun e Sadamit , në Libinë e Gadafit, në Saudinë e mbretërve, Iran etj. po edhe ISIS. Edhe këta në fakt kishin (kanë) ‘versionin’ e tyre të ‘islamit tradicional’ apo “të moderuar”, sikurse protagonistet e mohimit e kanë të përfytyruar të vetin. Dhe natyrisht shtypja dhe mohimi i të drejtës së të jetuarit dhe interpretuarit të besimit ndryshe nga ‘islami tradicional’ i tyre, të interpretimit ndryshe, pengohej nën pretekstin e ‘rrezikut’ të cilin ata e quanin ‘irtica’, ‘reaksionizëm’, e që grumbullonte në fakt çdo forme tjetër e cila nuk përkonte me islamin e tyre ‘tradicional’ apo me atë që ata kishin vendosur që do të jetë, tash e mbas, ‘islami tradicional’. Kur ka tendencë të tillë absolutizmi, ka gjithnjë mundësi nw shndërrimin e saj në praktikë totalizuese.

Në fakt ka edhe një diçka tjetër që duhet shtuar këtu, e që është e rëndësishme. Në parim edhe një hoxhë mund të jetë ‘islamofob’. Kjo mund të duket natyrshëm e çuditshme për lexuesin; “hoxhë islamofob”, një oksimoron? Në fakt këtë mund ta shohim edhe në ligjërimin e disa hoxhallarëve të cilët kur i drejtohen në ligjërimet e tyre ‘shiitëve’, ‘sufive’ apo edhe shkollave të tjera teologjike, përdorin të njëjtën gjuhë me atë që përdorë diskursi islamofob ndaj tyre e ndaj komunitetit të tyre. Por në sociologjinë e religjionit e në humanitete ka një emër tjetër për këtë: sektarizëm. Kur një imam thotë që ‘shiitët’ janë ‘djajtë vet’, se ‘shiitët kanë si pjesë të besimit vrasjen e suniteve’, se ‘sufijtë’ janë ‘gënjeshtarë’, ‘vajzat me minifunde’ janë kurva, e kur një opinionist thotë se ‘vajzat me shamia janë pinguinë’, e një tjetër thotë se “mjekroshët punojnë për Serbinë”, atëherë të gjithë këta, në fakt i takojnë të njëjtit tabor, vetëm se tytat e tyre janë drejtuar në drejtime të ndryshme. Ata që ndihen myslimanë dhe megjithatë artikulojnë rreth tjetrit të brendshëm një gjuhë të tillë denigruese e urrejtjeje, që diskriminojnë ndaj tij, që gjeneralizojnë atë… janë sektarë. Ndërkaq ata të cilët nuk janë të sigurt në janë myslimanë apo jo, të cilët herë janë “nominalisht” e herë s’janë fare, por që pranojnë, përdorin dhe furnizojnë një ligjërim të tillë kanë dy mundësi: ose janë islamofob ose janë sektarë po ashtu.

E në parim nuk ka ndonjë dallim të madh midis sektarizmit dhe islamofobisë. Islamofobia është një frikë e ekzagjeruar, urrejtje dhe armiqësi ndaj Islamit dhe myslimanëve e cila shprehet përmes paragjykimeve negative të cilat promovojnë dhe rezultojnë në mungesë paanshmërie (pra mungesë drejtësie), diskriminimi, apo margjinalizimi të myslimanëve nga lëmshi shoqëror, e qytetar i Kosovës. Kjo karakterizohet me esencializim të islamit dhe bartësve të tij, me paramendimin e disa karakteristikave inherente për një komunitet dhe shtrirjes së këtyre karakteristikave përtej rasteve specifike. Sektarizmi është e njëjta gjë, veçse ky i referohet relacioneve të nëngrupeve brenda grupit.

Halimi thotë se në Kosovë nuk ka ‘islamofobi’, por ka ‘fobi’ ndaj veprimeve që synojnë të prishin kohezionin brenda komunitetit mysliman, por edhe në relacion me komunitetet e tjera!”. Por le të na tregojë ajo dhe të tjerët, se në cilën kategori të diskursit bien prononcimet e Baton Haxhiut kur ky quan shaminë e vajzave myslimane si ‘hap i parë drejt luftës civile’? Apo kur deputetja Teuta Sahatqija e të tjerë shohin qëndrimin për lejimin e shamisë në shkolla si hap i cili çon më tutje në hapa tjerë deri sa të “vendoset në Kosovë sheriati”? Apo kur Demaçi thotë se ‘mjekrroshët’ i financon Serbia? Kur në Kosovë ka njerëz të cilët bëjnë grafite islamofobike nëpër mure rrugësh, e ka edhe të tillë të cilët të thonë në fytyrë se “sikur të kisha lejen, do merrja një snajper dhe nga një kulm mbi një xhami do të qëlloja çdo njeri që hyn e del nga xhamia, sepse këta po na rrezikojnë identitetin kombëtar”. E kur ka myslimanë ‘nominal’ që kërkojnë ‘zhdukjen e Islamit’, apo përmendin ‘dhomat e gazit’. Në Kosovë ka edhe profesorë të cilët pa u zbuluar krimi i profanizimit të varrezave hebraike, shpallin fajtorë myslimanët ‘me mjekra’. Ka edhe të atillë që thonë se islami, pra edhe gjithë myslimanët e globit si bartës të tij, në mënyrë inherente janë kundër pluralizmit, dhe se për të shpëtuar nga ky ‘problem gjenetik’ duhet të kthehen në ‘fenë e të parëve’. Ka edhe të atillë që mohojnë çdo vullnet zgjedhjeje grave të cilat vënë shami në kokë, e të tjerë që i konsiderojnë ato esencialisht “injorante” si të tilla. Në të njëjtën Kosovë ka njerëz që arrestohen me mënyra drakonike, akuzohen për ‘terrorizëm’ dy apo tri javë përpara raportimit të Qeverisë për ‘luftën e saj’ ndaj terrorizmit në OKB, nuk u mbrohet identiteti dhe të cilët lirohen pas dy apo tri javësh në mungesë provash. Ka të tillë që arrestohen sepse kanë shqiptuar fjalët “nuk do të rrimë duarkryq’. Ka qindra e mijëra të tjerë të cilëve u përgjohen telefonat e tyre dhe u shkelet e drejta e privatësisë sepse dikush ka ‘profilizuar’ disa tipare të dukjes së tyre si tipare armiqësore, tipare të dyshimta. Ka pasur edhe raportime në media për përjashtim nga puna vajzash të cilat kanë vendosur shami në kokën e tyre. Ka edhe drejtor shkolle, ekspert ‘bojnash’, i cili ua ndalon mësimin vajzave të cilat vendosin shami koke me ngjyra “sikur ato të Iranit dhe Arabisë Saudite”, duke shtuar se ato do mund të vijojnë mësimin më shami koke me ngjyra të tjera, me demek, ngjyra jo-iraniane e jo-saudite. Po i bej ‘skip’ mediave, lajmeve të stërmbytura në distopi sekulare rreth ‘rrezikut’ e ‘agjendave islamike’, (“të fshehta si protokollet e Zionit”, do të ironizonte dikush), e prototipave të llojit Fahri Xharra e Ibrahim Kelmendi etj.

Por si qenka e mundur pra, që këta ‘myslimanë nominal’ të jenë kaq të zellshëm në këso ligjërimi? A nuk është e qartë që ‘nominalizmi’ është krejtësisht irrelevant apo i parëndësishëm kur bëhet fjalë për një ligjërim të caktuar? Është krejt e parëndësishme kush mbankëtë diskurs, dhe krejt çka është e rëndësishme është çfarëpërmban ky diskurs. Pastaj, me cilën logjikë vallë shpjegohet ajo se si mund të ketë ‘mysliman nominal’, me emra Ismail e Ibrahim, të cilët thërrasin në ‘kthim në fenë e të parëve’? Apo Kadriu e Xhemali (‘nominal’) dëshirojnë ‘zhdukjen e Islamit’? Aq është i cekët argumenti i ‘myslimanësisë nominale’ (si legjitimim i islamofobisë) saqë na thotë pak a shumë kështu: se nëse i terë diskursi islamofobik i PEGIDA-s në Gjermani (apo i të djathtës ekstreme gjetiu në Evropë, apo tek nacionalistët indian etj.) do të mund të shndërrohej krejt papritmas, e pa ndryshuar përmbajtjen fare, nga një diskurs islamofobik në një diskurs jo-islamofobik, mjafton që ata të përmbushin kushtin e Sibel Halimit etj. e të deklarohen mysliman (‘nominal’). Prandaj ky diskurs nuk është sektarian, por është islamofobik. Dëshironi ta testoni? Provoni për disa sekonda ta ‘çifutizoni’ këtë paragraf, e në vend të subjektit ‘mysliman’ do vendosni atë ‘çifut’ (apo hebre), në vend të mjekrës – hundën, subjektet e Teuta Sahatqiut me bankierët çifut në fjalimin e Hitlerit në Bundestaag etj. dhe ikni lexoni se çfarë kuptimi ka ‘antisemitizmi’. E edhe shihni se a konsiston e tërë kjo në ‘kritikë’.

Idea se jemi shumicë myslimane dhe se qenkësh absurde ‘teza e islamofobisë’ ka edhe një ngërç tjetër. Islamofobia në Kosovë në fakt ekziston te një grup i vogël nga ajo popullatë, tek një grup i privilegjuar që ka nën këmbë pedalën e mediave e të hapësirës mediatike, që është konsoliduar në disa pozita të privilegjuara të cilat i japin ‘luksin’ që të mbajë lirshëm gjallë një ligjërim të tillë.

Mohuesit e Islamofobisë, por edhe bartësit e ligjërimit islamofobik do mund të na thonë se krejt muhabeti rreth islamofobisë është vetë-viktimizim i një komuniteti, apo do të mund të shprehin se ata në ligjërimet e tyre nuk kanë frikë nga ‘islami’ por nga ‘ekstremizmi islamik’. Kaq thotë në fakt edhe e djathta ekstreme e Evropës, apo ndonjë fashkencist si Sam Harris. Por problemi është se kur ata thonë kështu, nuk thonë se çfarë kuptojnë me ‘ekstremizmi islamik’ për ta. Apo mbase kur e thonë, e thonë dhe e mendojnë sikur të lartpërmendurit, apo si Enver Hoxhaj i cili konsideronte se ndalimi i shamisë ishte hapi i parë që kishte ndërmarrë kundër “islamit radikal”? Logjikisht, nëse asgjë nga ajo që është identifikuar këtu (e edhe aspekte tjera që janë përfolur më herët në këtë blog) nuk konsiston në manifestim urrejtjeje, stigmatizimi myslimanësh, sanitarizimi e sekuritizimi i një kategorie të shoqërisë (myslimanëve) etj., dhe se krejt këto që janë përmendur janë thjesht frikë ndaj ‘ekstremizmit islamik’, e nëse një shpjegim kaq naiv e i huqur blihet në ndonjë pazar me kollajllëk, atëherë diçka (apo shumëçka) nuk ështe në terezi

Nuk më çuditë kur mohimi i diskriminimit të myslimanëve – islamofobia –  kur vjen nga të djathtët pellazgjistë. Por gjithsesi është shqetësuese kur disa ‘të majtë’ e disa ‘liberalë’ – nganjëherë të tillë që vetë-perceptohen si Ajetullah të së majtës apo Karbyzier të liberalizmit në Kosovë – vendosin të jetojnë në një ‘state of denial’. Për ta, të gjitha manifestimet e islamofobisë në Kosovë janë ‘shpikje’, ‘vetë-viktimizim’ e ‘fantazma’, e edhe shteti sekuritar që po krijohet gradualisht e që një ditë do t’u bie edhe atyre në qafë, është ndoshta ‘i domosdoshëm’. Në Kosovë sigurisht që ka edhe vetë-viktimizim, por për atë që ka kapacitet t’i lidhë dy pika bashkë më një vijë, e që lexon dhe dëgjon manifestimet e islamofobisë në Kosovë, çështja se a ka vetë-viktimizim apo jo nuk barazohet më atë se a ka islamofobi apo jo, sepse vetë-viktimizimi është çështje e asaj se sa ka vërtetë islamofobi në Kosovë. E kjo është diçka hapur për diskutim. Me pak më shumë bujari, mund të supozojmë se motivi i mohuesve të islamofobisë mund të jetë vërtetë ekzistenca e atyre që e zgjerojnë kuptimin e ‘islamofobisë’ duke e shtrirë atë tek çdo e folur rreth islamit e myslimanëve që nuk korrespondon me të menduarën e tyre. Por këtu ata bien në të njëjtën grackë me keqpërdoruesit e islamofobisë, ngaqë e zgjerojnë aq shumë termin ‘kritikë’ apo ‘ekstremizëm islamik’, sa të pranojnë në të edhe ligjërime të qarta (apo me insinuenca) fashiste. Në mënyrë paradoksale, ata janë edhe vet objekt i ‘kritikës’ që shtrojnë. Dhe sikurse keqpërdoruesit e ‘islamofobisë’, të cilët i kontribuojnë indirekt vet islamofobisë, edhe këta i kontribuojnë asaj, direkt.

Meqenëse njëri nga argumentet e mohuesve është ai se ‘islamofobia’ është një shpikje që është bërë vetëm për të pamundësuar kritikën, për fund unë do ta kthej përmbys këtë argument duke pyetur se a është mohimi i ‘islamofobisë’ – si ligjërim publik i cili legjitimon edhe dorën e fortë të shtetit sekuritar – diçka që në fakt shërben për të legjitimuar vet diskursin islamofobik? A është pra ky mohim një përpjekje për të legjitimuar stigmatizimin e gjuhën e urrejtjes ndaj të gjithë ‘islameve’ të cilët nuk përkojnë më ‘islamin tradicional’ të diskursit të protagonistëve mohues, kryesisht myslimanë ‘nominalisht’ siç thotë Halimi? A mos është emri Muhamed, Ismail, Fahri e Ibrahim dhe deklarimi si ‘myslimanë’ vetëm një alibi në shërbim të diskursit urrejtës që prodhon stigmatizim, amalgamë, anatemim, diskriminim ndaj gjithë myslimanëve të tjerë të cilët kanë vendosur të jetojnë besimin e tyre ndryshe (me një ‘mjekër në mjekër’ për shembull), pa i cenuar tjetrit jetën dhe lirinë?

Meqë e fillova me muhabetin e radikalizimit dhe diskriminimit si njëri nga faktorët e rëndësishëm frustrues në procesin e radikalizimit, do e mbaroj me të. Pothuajse çdo program për parandalimin e radikalizimit insiston në adresimin e shtypjeve dhe diskriminimit, që artikulohet nga komuniteti. Ka njerëz të cilët merren sot me ‘deradikalizimin’ apo të cilët shqetësohen, sikurse unë, me fenomenin e radikalizimit, por të cilët vazhdojnë të mohojnë shtypjen dhe diskriminimin ndaj myslimanëve. Këta njerëz në një farë mënyre ndajnë njëfarë kompliciteti në vet amplifikimin e atij faktorit ‘deprivim’, si faktor i rëndësishëm në procesin e radikalizimit. Të shohësh të tillë tek punojnë kundër radikalizimit, apo tek dëshirojnë të mësojnë të tjerët se si duhet parandaluar ky, nuk është qesharake, por konfirmim i asaj se sa poshtë ka ra (ose ndoshta nuk ka ‘ra’ fare, se nuk është ngritë ndonjëherë) katundi i madh, Kosova.

R.Skopi

https://religjioskopi.wordpress.com/2015/09/19/islamofobia-midis-mohimit-dhe-keqperdorimit/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit