9.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Islamofobia kosovare ndaj votës në UNESCO

Më të lexuarat

​Dështimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në UNECO – organizmi për trashëgiminë kulturore i Kombeve të Bashkuara – është ende objekt i një analize, e cila thjesht nuk po ndodh.
A ishte faji i strategjisë së dobët të qeverisë së Kosovës? – sikundër sugjeroi nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek. Nëse po, çfarë mund të ofronte Kosova e vogël, e varfër dhe pa ndikim diplomatik në këmbim të votës për pranim?

Apo dështoi klubi i perëndimor miqve të Kosovës, të cilët në mos e nxitën Kosovën të aplikonte, të paktën u pajtuan me diçka të tillë dhe ndihmuan në proces? Cila pjesë ka përgjegjësinë më e madhe, dhe cilat janë dështimet specifike?

Ndërsa këto pyetje ende nuk kanë marrë përgjigje dhe nuk dihet nëse do të marrin ndonjëherë, çka spikati që në orët e para pas dështimit dhe vazhdon edhe sot, është një fushatë e pakoordinuar e disa medieve dhe opinion-bërësve në Kosovë për të fajësuar, përtallur apo edhe për të shprehur mllef dhe gjuhë urrejtjeje ndaj vendeve arabe që votuan kundër.

Konteksti i kësaj kryqëzate nuk lidhej edhe aq me etninë arabike të vendeve që nuk e mbështetën Kosovën sesa me goditje të tërthortë ndaj faktit që këto vende janë me shumicë ose zyrtarisht myslimane.

Në mënyrë tejet komode, turma e linçuesve publikë ia lanë vendeve myslimane faturën e një humbjeje ende të paanalizuar. Dhe nëse kjo është muzika që po luhet, atëherë le t’i shkohet valles deri në fund.

Vendet arabe që votuan kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO janë: Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Palestina, Jordania, Libani, Libia, Maroku, Kuvajti dhe Bahrejni. Gjithsej janë 9 të tilla. (Indonezina, Kazakistani dhe Kirgistani nuk janë vende arabe).

Është me interes në këtë pikë të analizohet vota kundër e vendeve të krishtera, mbështetëset historike të Kosovës drejt pavarësimit, shtetformimit dhe demokratizimit – sa për të përdorur një stereotip fetar.

Që në fillim duhet theksuar se praktikisht e gjithë Amerika Latine katolike votoi kundër Kosovës: Salvadori, Ekuadori, Republika Dominikane, Argjentina, Bolivia, Brazili, Kosta Rika, Meksika, Uruguai, Venezuela. Në total katolikët kundërshtues amerikano-latinë bëhen 10, pra një më shumë se arabët.

Nisur nga logjika e arabofobëve, kosovarët kanë më shumë të drejtë të zemërohen më këtë skaj katolik të dynjasë sesa me skajin tjetër mysliman. Sa kuptim bën kjo? Vetë fakti që u desh të numërohen ca myslimanë në njërën anë e ca të krishterë në tjetrën, është një metodologji idiote që në thelb.

UNESCO nuk ka asnjë lidhje me këtë qasje, sidomos nëse marrim parasysh se Arabia Saudite, vend që përflitet jo pa të drejtë si eksportuese neto e terrorizmit fetar në botë, votoi për anëtarësimin e Kosovës. Përkatësia fetare-rajonale dhe të tjera gomarllëqe të kësaj optike në konteskt të UNESCO-s, kanë më shumë lidhje me tavolinat e gjellëtores së fshatit ku hahet pasul i freskët sesa me tryezat e redaksive dhe të fjalës së lirë.

Nëse vërtet duhet pyetur se përse vendet arabe votuan kundër në shumicë, për këtë nevojitet një analizë e mirëfilltë, ku besimi fetar është vetëm një prej faktorëve, dhe ndoshta jo më i rëndësishmi. E njëjta qasje vlen për Amerikën Latine dhe çdo vend që votoi për apo kundër.

Vetë UNESCO përfshin në mbrojtjen dhe mbështetjen e saj qytete dhe ndërtesa që i përkasin besimeve e kulteve të larmishme – të krishtera, myslimane, hinduiste, budiste, pagane e kështu me radhë. UNESCO nuk trajton besimin fetar por trashëgiminë e kulturës, ku mund të bëjë pjesë edhe feja. E thënë më trashë: UNESCO nuk merret me fenë.

Ajo që dihet me siguri dhe pa kurrfarë analize, është që një dështim që mund të shërbente si çast reflektimi dhe diskutimi profesional, u përdor për të vjellë publikisht komplekset personale apo komunitare, si dhe për t’i fryrë më shumë zjarrit të përçarjes brenda një populli, por dhe ndaj popujve të tjerë.

Dhe kjo është ekzaktësisht e kundërta e vlerave dhe moralit të vetë ekzistencës së Kombeve të Bashkuara. Dhe jo, as injoranca e as histeria nuk përbëjnë argument./kallxo.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit