-1.1 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Islamofobia, e papranueshme sa antisemitizmi

Më të lexuarat

Ekzistojnë një sërë termash dhe frazash ndërkombëtare, që u referohen ndjenjave negative dhe qëndrimeve ndaj Islamit dhe myslimanëve (“anti-mysliman”, “anti-myslimanizëm”, “myslimanofobi”, “demonizimi i Islamit” dhe “demonizimi i myslimanëve”, etj). Megjithatë, fjala më e përdorur dhe që gjen një konsensus më të madh tek vetë njerëzit është “islamofobia”

Shkruan: Gerta ZAIMI, Tiranë

Në dekadën e fundit, islamofobia në shoqëritë perëndimore, ku myslimanët përbëjnë pakicën, është studiuar gjerësisht. Islamofobiaështë frika, paragjykimet dhe urrejtja ndaj myslimanëve, që çon në armiqësi dhe intolerancë. Islamofobia, si term, nuk është i mjaftueshëm për të treguar kuptimin e plotë, sepse nuk përfshin tërësinë e përvojës së fanatizmit anti-mysliman. Nuk na ndihmon ta kuptojmë se si ky fanatizëm shprehet përmes kulturës popullore, mediave dhe elitave në fuqi.

Termi “islamofobi” është përdorur nga Alain Quellien në vitin 1910 për të kritikuar administratorët kolonialë francezë për trajtimin e tyre ndaj myslimanëve. Në kohët më moderne termi është përdorur në mënyrë të qartë nga shkrimtari post-kolonial Edward Said, i pari që e përdori fjalën në anglisht, kur shkroi në vitin 1985 për lidhjen “midis islamofobisë dhe antisemitizmit” ( lidhje që aktualisht edhe Qendra Evropiane e Monitorimit për Racizëm dhe Ksenofobisë e konsideron si pjesë të së njëjtës vazhdimësi) dhe i kritikoi shkrimtarët, të cilët nuk e njohin që kjo “armiqësi ndaj Islamit në Perëndimin modern e të krishterë historikisht ka shkuar krah për krah me antisemitizmin”.

Debati ndaj përdorimit të fjalës Islamofobi është dhe vazhdon të jetë në fuqi. Megjithatë, unë mendoj që kjo është fjala më e përshtatshme dhe efikase për të treguar fanatizmin, ndjenjën anti-myslimane, përbuzjen dhe frikën joracionale në këtë rast. Debati zhvillohet ndaj konceptit nëse duhet përdorur fjala “fobi” ndaj Islamit apo “anti” mysliman. Ekzistojnë një sërë termash dhe frazash ndërkombëtare, që u referohen ndjenjave negative dhe qëndrimeve ndaj Islamit dhe myslimanëve (“anti-mysliman”, “anti-myslimanizëm”, “myslimanofobi”, “demonizimi i Islamit” dhe “demonizimi i myslimanëve”, etj). Megjithatë, fjala më e përdorur dhe që gjen një konsensus më të madh tek vetë njerëzit është “islamofobia”. Pyetja që bëhet është nëse frika ose urrejtja janë kryesisht kundër “myslimanëve” apo “Islamit”’, pra ndaj grupit apo një kulture, qytetërimi ose feje? Kjo fobi është një nga fenomenet që i ka pushtuar shoqëritë perëndimore.

Shfaqja e islamofobisë në çdo vend të caktuar nuk ka të bëjë shumë me praninë e myslimanëve; është e mundur të bëhesh islamofobik edhe në vende ku nuk ka asnjë mysliman. Dhe, kjo ndodh kryesisht për shkak të përfaqësimeve islamofobike kryesisht në media e internet.

Në vitin 1996, Fondacioni Runnymede e krijoi Komisionin për Myslimanët Britanikë dhe Islamofobinë. Qëllimi i komisionit ishte ta analizonte diskriminimin e përjetuar nga shumë myslimanë në Britani dhe të bënte rekomandime për qeverinë, që do të ndihmonin në luftimin e këtij diskriminimi. Disa nga karakteristikat e këtij raporti të 1997 qenë:

Islami si monolit dhe statik. Pra, të gjithë myslimanët janë në thelb njësoj, që kanë të përbashkët të njëjtat opinione dhe ideologji.

Një karakteristikë tjetër e islamofobisë është ideja se Islami nuk bashkëndan asnjë nga vlerat thelbësore që gjenden në fetë e tjera, veçanërisht ato të Judaizmit dhe Krishterimit ose vlerat e kulturës perëndimore. Vlerat sekulare perëndimore, të tilla si toleranca dhe liria, janë vlera që Islami i refuzon.

Një pikëpamje e tretë është se Islami jo vetëm që është i ndryshëm si fe, por edhe më inferior se Perëndimi.

Islami, sipas një pikëpamje të katërt, identifikohet si armiqësor, i dhunshëm dhe agresiv.

Një tjetër karakteristikë e zakonshme islamofobike është supozimi se duhen pasur gjithnjë dyshime ndaj myslimanëve, sepse konsiderohen si devijues, të cilët e mbështesin fenë e tyre për t’i dhënë vetes një avantazh strategjik ose politik.

Sulmi kalon herë ndaj Islamit si besim, herë ndaj myslimanëve, dhe motivohet, duke nxitur urrejtjen dhe armiqësinë e bazuar në besimet fetare, traditat kulturore dhe përkatësitë etnike.

Përveçse një frikë irracionale nga Islami dhe myslimanët, islamofobia mund të themi që është një problem bashkëkohor racizmi. Dhe, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një racizëm nga një pakicë e vogël në rrugë apo në politikë. Është evidente që nuk kemi të bëjmë më një racizëm të bazuar në racën biologjike, por me një racizëm ku “kultura” dhe “feja” e kanë zëvendësuar “biologjinë”. Kemi të bëjmë më një racizëm kulturor, siç thonë shumë nga studiuesit e fenomenit. Ndonëse, siç thamë, islamofobia ekzistonte që në fund të shekullit XIX e në fillim të atij XX, në vitet 1980-të fillon një shfaqje e re saj, që rritet në frekuencë dhe famë post 11 shtatorit 2001.

Paragjykimi: Armiqësia ndaj myslimanëve shprehet në aspektin e inferioritetit kulturor dhe fetar, me myslimanët dhe Islamin, të etiketuar si barbarë, të dhunshëm, të pacivilizuar dhe inferior ndaj kulturës dhe qytetërimit perëndimor. Myslimanët duhet të zgjedhin mes vlerave liberale të Perëndimit dhe fesë e, aq më tepër, praktikimit të saj. Dallimet e supozuara të pakapërcyeshme ndërmjet “kulturës myslimane” dhe asaj perëndimore shërbejnë si bazë për përjashtim dhe diskriminim. Perceptimi ndaj myslimanëve është si qytetarë dyshues ose kërcënues.

Kur flitet për myslimanët, shpeshherë – për një pjesë të tyre – bëhet etikimi “i paqshëm”. Dhe, ju kërkohet të flasin kundër terrorit si një bllok i vetëm. Por, edhe ky etiketim është problematik. Qoftë i parë si islamofobi, qoftë si islamofili. Kështu e pranojmë premisën që myslimanët kanë një prirje ndaj dhunës, duke mos qenë besnikë ndaj “vlerave perëndimore”. Duke e konceptuar Islamin si statik e se myslimanët gjithmonë flasin me një zë, mediat i identifikojnë këta qytetarë mbi të gjitha vetëm si pjesë e fesë së tyre dhe kontribuojnë në opinionin se ato janë të paaftë për të gjykuar në mënyrë kritike. Në këtë kontekst, ekstremistët e të gjitha llojeve as nuk kanë nevojë të bëjnë presion mbi të moderuarit, mediat e bëjnë për ta.

Vetë diskutimi rreth lidhjes midis fesë dhe terrorizmit, përpjekjet e përsëritura për të mohuar çdo lidhje midis tyre ose bindjeve të bazuara në fe dhe terrorizmit, sugjerojnë se ka një lidhje. Kur debati bëhet i tillë, është shumë e vështirë të izolohet plotësisht njëri nga tjetri. Islamofobia intensifikohet nga zgjerimi i politikave aktuale, që e shohin Islamin si një ideologji ekstremiste që nxit radikalizimin. Derisa legjislacioni kundër terrorizmit ka qenë i rëndësishëm në arrestimet e ekstremistëve, keqpërdorimi dhe abuzimi i masave kundër terrorizmit ka rezultuar me diskriminim ndaj pakicave fetare dhe etnike dhe ka ushqyer ndjenjat anti-emigrante dhe anti-myslimane në shoqëritë përkatëse. Zgjerimi i politikave të “Counter Violente Extremism – CVE”, pas sulmeve të San Bernardino dhe Parisit dhe përfshirja e grupeve myslimane në to, është një nga hapat e politikës që e inkurajojnë islamofobinë: myslimani i moderuar – kundrejt atij të radikalizuar; politika zyrtare e qeverive në pozicionim ndaj Islamit, duke marrë qëndrime në kuptimin e koncepteve fetare. Shumica e programeve bazohen në idenë e “zbulimit” të faktorëve dhe më pas të shenjave të para të radikalizimit: mjekra, lloji i veshjeve, fjalori etj., duke rrezikuar kështu të stigmatizohen grupe të tëra shoqërore në bazë të shenjave të jashtme, të cilat janë shprehje e religjiozitetit individual.

Diskursi dhe praktikat islamofobike nuk janë, natyrisht, pa ndikim në qytetarët myslimanë të vendeve evropiane. Në përfaqësimet e medias dhe retorikën politike gratë myslimane paraqiten si viktima, që duhen shpëtuar nga një fe primitive, ndërsa burrat myslimanë thjesht janë stereotipizues të rrezikut, duke paraqitur një kërcënim të drejtpërdrejtë fizik. Diskriminimi bëhet një nga faktorët e shumtë, që përfundon duke ngjallur në njerëzit më të brishtë një tërheqje ndaj “xhihadizmit” ose nihilizmit vetëvrasës, siç e quan Olivier Roy.

Një nga orientalistët e parë, që e ndërton islamofobine bashkëkohore perëndimore, është studiuesi Bernard Lewis me artikullin e tij të 1990-tës “Rrënjët e zemërimit mysliman”. Përmes këtij artikulli ai i parapriu konceptit të “Përplasjes së qytetërimeve” të Samuel Huntington-it. Ndërkaq, Huntington-i e krijoi bazën ideologjike të islamofobisë bashkëkohore. Logjika është prodhimi i një armiku të ri pas rënies së bllokut sovjetik, i një qytetërimi inferior, i cili nuk përputhet me atë perëndimor dhe konfliktet do të jenë të shkaktuara pikërisht nga kjo përballje.

Shtrirja e rrënjëve të islamofobisë bashkëkohore shkon më tutje. Së pari, kohëzgjatja dhe ofensiva ideologjike prej disa dekadave. Së dyti, konvergjenca e disa aktorëve që ndikojnë në përhapjen e tezave islamofobe (supremacistët e bardhë, mediat, një pjesë e klasës politike, kompleksi ushtarako-industrial etj.). Së treti, rënia e ekonomisë dhe, për këtë arsye, vulnerabiliteti i masave popullore ndaj retorikave të politikanëve të partive populiste të djathta, duke kërkuar fajtorin tek flukset migratore. (Emigracioni diskutohet në SHBA, në aspektin e faktorëve dhe çështjeve socio-ekonomike, por në Evropë diskutimi mbi emigracionin lidhet me radikalizmin, terrorizmin dhe Islamin). Dhe, së fundi, vala e akteve terroriste në truall evropian pas evolimit të ISIS-it në Lindjen e Mesme. Një sërë pasojash kanë rrjedhur më pas. Terrori e zgjeroi çështjen se Islami është një fe arkaike, e prapambetur, që ka nevojë për reforma, për t’u përshtatur me modernitetin. Islami shihet jo vetëm si një kërcënim për identitetin evropian, kulturën, demografinë dhe shoqërinë, por edhe si një rrezik politik edhe për sigurinë e botës perëndimore.

Megjithatë, islamofobia përbën një fenomen global, duke qenë e pranishme edhe në shoqëritë me shumicë myslimane. Islamofobia, në botën myslimane, ka të njëjtën prejardhje sikurse ajo në Perëndim. Në këto vende ajo bazohet në një perspektivë eurocentrike të botës. Kjo mund të shihet nga ngjashmëria ndërmjet diskursit islamofobik dhe debateve të myslimanëve në shoqëritë me shumicë myslimane dhe ato të shoqërive perëndimore. E thënë kjo nuk duhet harruar që ekzistojnë dallime të bazuara në kontekstin historik, social, demografik dhe politik të shoqërive përkatëse.

Debati kryesisht udhëhiqet nga një grup mbizotërues njerëzish, që aspirojnë të kapin, stabilizojnë ose zgjerojnë fuqinë e tyre. Edhe në këtë debat identiteti mysliman është një identitet statik, përmes termash negativë dhe përgjithësues. Grupimet myslimane shihen si një kërcënim për grupet dominuese në pushtet, duke e krijuar kështu islamofobinë politike. Si mund ta kuptojmë këtë proces? Përgjigja kryesore do të ishte: nëpërmjet politikave perëndimore në këto vende dhe të elitave të tyre, të cilat e kanë përqendruar fuqinë politike dhe diskursin publik. Dahl-i e përkufizon një “elitë drejtuese”si “një grup njerëzish që në një farë mase ushtrojnë pushtet ose ndikim mbi aktorët e tjerë në sistem”. Elitat e klasave të larta në këto vende kanë formim e lidhje të vazhdueshme me vendet perëndimore. Dy janë dinamikat kryesore: kolonizimi si në Irak a Jordani ose procesi i vetë perëndizimit, i cili kërkon ta zhvillojë kapitalizimin e ekonomisë dhe i adopton vlerat e perëndimit, duke menduar që do ishin në interes të vendeve të tyre e të nevojshme për t’u përballur me Perëndimin, siç qe rasti i Turqisë gjatë Ataturkut ose Iranit në kohën e Shahut. Në të gjitha rastet kemi të bëjmë me elita autoritare, ushtarake, të cilat e kryejnë këtë proces nëpërmjet forcës nga lart, duke theksuar polarizimin mes klasës në pushtet dhe masave konservatore islamike.

Shumë prej Islamophobes më të zëshme në perëndim kanë qenë myslimanë, të cilët për arsye të tyre të brendshme bëhen mbështetje e ligjërimeve islamofobike. Kjo është gjithashtu e vërtetë kur është fjala për vendet myslimane. Për dekada të tëra, përkrahësit e elitës myslimane të qeverive autoritare vazhduan të argumentojnë për Perëndimin se zgjedhjet e lira do t’i sillnin islamistët në pushtet dhe kjo do të ishte në kundërshtim me vlerat e Perëndimit të civilizuar. Paksa se në këto vende qeveritë qenë autoritare dhe diktatoriale. Edhe elitat e majta perëndimore në mbrojtje të të drejtave të myslimanëve në Perëndim ishin pro sistemeve autoritare ose diktatoriale islamofobike në Lindjen e Mesme. Paradoksalisht, kjo retorikë legjitimon dhunë ekstreme politike kundër opozitës konservatore islamike.

Çfarë shpjegon ringjalljen e Islamit politik në vitet 1970? Nga njëra anë, rritja e Islamit politik në Lindjen e Mesme daton në 1967, në kohën e humbjes së ushtrive arabe nga Izraeli, që në njëfarë mënyre u bë simbol i dobësisë së shteteve arabe. Për humbjen, u fajësuan të gjitha lëvizjet majtiste, Nasseristët, Baathistët, komunistët dhe socialistët. Boshllëku politik i lënë nga të gjitha lëvizjet laike, që u zhdukën, filloi të mbushej nga evolucioni i Islamit politik. Nga ana tjetër kriza e madhe ekonomike, që përfshiu Lindjen e Mesme në vitet 1970-të, tregoi që sistemet ekonomike kapitaliste ishin të pafuqishme për ta përballur krizën. Perceptimi ishte që regjimet ekzistuese po dështonin, ngaqë u mbështetën shumë në modelet politike dhe ekonomike perëndimore. Bankat islame, komunitetet fetare dhe shoqatat e tjera, krijuan shërbimet sociale, arsimore dhe sociale të Islamit, duke kompensuar boshllëkun e lënë nga shtetit. Derisa rritja e Islamit politik u shërbeu atyre që sundonin vetëm për t’i legjitimuar klasat sunduese, të tjerët, që dëshironin të hynin në pushtet, e këshillonin islamizimin e shtetit për t’u integruar në sistemin politik dhe për islamizimin e jetës publike.

Kur bëhet problematik Islamismi? Nacionalizmi laik arab, socializmi dhe komunizmi, ishin në luftë deri më 1950. Gjithçka në përfitim të Bashkimit Sovjetik. Pjesërisht, si rezultat i marrëdhënieve të tij me Arabinë Saudite, politikanët amerikanë vendosën që Islami të kthehej në një armë të fuqishme ideologjike në betejën për ta frenuar influencën sovjetike në Lindjen e Mesme. Ky vendim shënoi fillimin e një periudhe, në të cilën Shtetet e Bashkuara mbështetën herë pas here forma të ndryshme të Islamit politik. Para fundit të viteve 1970-të, SHBA i mbështetën përpjekjet saudite për të përhapur idetë islamike në të gjithë Lindjen e Mesme. Kjo strategji çoi i Shtetet e Bashkuara të krijojnë aleanca me lëvizjet islamike konservatore në vitet 1970-të dhe Islami politik u bë një forcë e madhe në Lindjen e Mesme. Islamizmi u bë instrument i strategjisë së Luftës së Ftohtë. Të njëjtën do ta bënin rusët në Afganistan. Është vetëm pas Revolucionit Islamik Iranian me marrjen peng të diplomatëve amerikanë, që islamizmi fillon të shihet si problematik nga Perëndimi.

Duke u kthyer tek islamofobia në vendet me shumicë myslimane, besimtari përballet vazhdimisht me çështjen se cili është vendi përfaqësues i një feje të prapambetur, të pacivilizuar dhe primitive ose, më konkretisht, jodemokratike, radikale dhe ekstremiste. Sidoqoftë, në shoqëritë myslimane, myslimanët konservatorë përbëjnë grupin dominues social në kuptim të demografisë, trashëgimisë historike dhe ndjenjës së përkatësisë. Atje, islamofobia e udhëhequr nga elita, është rezultat i një projekti laik perëndimor, që synon krijimin e një shteti komb modern. Kompleksiteti dhe paradoksi i islamofobisë në vendet myslimane qëndron në konjukturën që myslimanët, të cilët e shohin Islamin si një burim legjitim për pikëpamjet e tyre, i nënshtrohen islamofobisë nga myslimanët e tjerë. Perceptuar si një mënyrë arkaike, inferiore e jetës, tradita islame përbën një “kërcënim real” për projektin politik të elitave sekulare në pakicë, të cilat i kanë parandaluar sistematikisht pjesët e mëdha të shoqërive të tyre nga mbajtja e pushtetit. Dhe, këtë kanë arritur ta realizojnë nëpërmjet dhunës, qoftë në demokracitë autoritare, në sundimin ushtarak de facto ose në krizat ushtarake. Kjo luftë e ashpër midis dy vizione të dallueshme të shoqërisë shpjegon pse shprehja e islamofobisë në vendet myslimane është shumë më brutale sesa në Perëndim nëpërmjet grushtesh të vazhdueshme ushtarake dhe masakrash.

Në shoqëritë tona nuk mund të diskutojmë për pluralizmin, multikulturalizmin dhe të ardhmen pa diskutuar për vendin e pasigurt të Islamit dhe myslimanëve në debatin e sotëm mbi angazhimin dhe integrimin. Islamofobia, si antisemitizmi, nuk do të zhduken së shpejti. Qeveritë, mediat, institucionet arsimore, udhëheqësit fetarë luajnë një rol kritik në transformimin e shoqërive tona dhe në ndikimin e qytetarëve dhe politikave tona nga zërat e urrejtjes dhe teologjive ekskluzive (të fondamentalistëve militantë dhe ato sekularistë). Islamofobia duhet të njihet dhe të jetë po aq e papranueshëm sa antisemitizmi, një kërcënim për vetë strukturën e mënyrës tonë demokratike pluraliste të jetës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit