0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

ISLAMOFOBI APO NEO-KOMUNIZËM?!

Më të lexuarat

…diagnostikim i nivelit të neo-komunizmit në gjymtyrët e shoqërisë sonë…

 

Karl Poperi është një nga filozofët më të mëdhenj të demokracisë dhe shoqërisë së hapur, ai në librin e tij: ‘’Shoqëria hapur dhe armiqtë e saj’’ ka vendosur në vend të parë Komunizmin si armikun e demokracisë. Pra jo islamin siç propagandohet në Shqipëri. Madje ai në atë libër analizon edhe filozofinë, ose më mirë të themi dogmën komuniste, që nga filozofët e lashtë grek që ndikuan në ‘’historicizëm’’ (lexo totalitarizëm historik) pra të shikuarit bardhezi të historisë dhe në vëllimin e dyte, Popperi kritikon Hegelin dhe Marksin, duke argumentuar se këta dy dhe filozofitë e tyre ishin rrënjët e totalitarizmave të shekullit të 20-të. Ky libër që për herë të parë u botua në Angli në vitin 1945 në luftën e II botërore dhe në Rusi në vitin 1992, në Shqipëri edhe pse viti 2017 ky libër nuk gjen shumë përhapje, përjashtojmë këtu tek-tuk ndonjë studiues apo analist të ri që nuk ka pasur kurrëfarë lidhje me periudhën komuniste apo që ka studiuar në vendet perëndimore, por që gjithsesi nuk ka shumë akses në media, pasi neo-komunistët nuk i lejojnë ajkës së re dhe trurit shqiptarë të specializuar jashtë që ti trazojë mekanizmat hibrid që neo-komunistët kanë ngritur dhe ti prishë atyre punë me rregullat demokratike.
Pse ndodh kjo? Edhe pse Popperi, Kissinger, Luis, Sharanski, Friedman, Francis Fukujama, Giddens, etj pra e gjithë industria e ‘’kalemxhinjve’’ perëndimorë e sulmojnë komunizmin, ish-bashkimin Sovjetik dhe Rusinë e sotme, nga opinionistët shqiptarë neo-komunistë kjo pjesë anashkalohet dhe mjeshtërisht i gjithë ky sulm, transferohet tek një armik ‘’i vjetër’’ dhe kërcënim ‘’i ri’’ i shoqërisë që është islami. Në fakt për ne si shoqëri që e njohim mirë komunizmin nuk është e re kjo metodë propagandistike. Komunisti ri flet në emër të demokracisë, emancipimit, prosperitetit, madje edhe LGBT-së dhe në fund sulmon islamin, jo komunizmin që na la dekada pas. Pra ky mekanizëm i vjetër ‘’agjitacioni propagandistik’’ vetëm sa është përditësuar me zhargonin e ri. Terma si Partia, Proletariati, Marksi, Opiumi, janë zëvendësuar me nocione si: Vendet perëndimore, Demokracia, Sekularizmi dhe Prapambetje.

 

Neo-komunistët me shumë drelli gjejnë disa shkrimtarë që përveçse kanë shajtur Islamin nuk kanë ndonjë kontribute apo dhunti tjetër në shoqëri si Falaçi, Bet Your, Halid Hysejn, etj dhe thonë se ‘’I gjithë’’ perëndimi po e sulmon Islamin. Ndërkohë që është krejt e kundërta pasi liderët globalë si Obama, Merkel etj. shpallën politikën e promovimit të vlerave Islame nga klerikët myslimanë në mënyrë që të luftohet terrorizmi. Pra hidhen poshtë liderët dhe përfaqësuesit e vendeve perëndimore për dy tre njerëz të dështuar dhe që s’i kanë dhënë shoqërisë asgjë përveçse të shajnë islamin.
Neo-komunistët e ri me shpirt do luftonin edhe klerin katolik, ortodoks, protestan, etj, por ata mendojnë se këto fe janë të fuqishëm dhe kanë vende që janë antare në BE-në nga mbrapa. Neo-komunistët mendojnë se LGBT duhet burgosur a vrarë siç bëhej në diktaturë, por ata mendojnë se edhe ky komunitet është i fuqishëm, pasi janë nja 3 a 4 ambasadorë vendesh perëndimore në vend që janë homoseksual e për rrjedhojë iu duhet ta mbajnë mirë me ta, pse jo fitojnë edhe ndonjë fond kur hiqen sikur po i mbrojnë ata nga myslimanët, në një kohë që myslimanët as e kanë vënë ujin në zjarre për ta.

 

Pra neo-komunisti analist është pragmatist, pasi sot në një botë globale ku të gjithë aktorët dhe vektorët po sulmojnë komunizmin dhe ‘’dogmën’’ e tyre, atyre nuk u mbetet vetëm se të merren me islamin dhe myslimanët pasi ky grup social ‘’nuk ka mbështetje’’ të fortish nga pas nga jashtë e as jep para. Thënë kjo Islamofobia shqiptare e nxitur pastërtisht nga faktor dhe mentalitet komunist, fatkeqësisht i ka shtrirë tentakulat e saj në çdo aspekt të jetës sociale. Për ta kuptuar këtë ose duhet të jetosh disa kohë në një vend perëndimor që të bësh diferencën, ose duhet të marrën në analizë këto kapilarë të funksionit të fizionomisë sociale:

 

1. Në histori: Komunistët shqiptarë e paraqitën islamin si një fe që në botë por edhe në shqipëri u përhap me dhunë nga turqit. Pavarësisht se historianë objektivë perëndimorë si Misha Gleni, Justin Mc Carthy, etj e shohin ndryshe perandorinë osmane madje i kanë thurur edhe lavde, në Shqipëri historia vazhdon të jetë propagandë e instrumentalizuar apo historicizëm siç i thoshte Popperi këtyre, pra vetëm studim objektiv që jo. Edhe nëse perandoria Osmane do ishte mizore, sërish Islami daton disa mijëra vjet më herët sesa vet historia e Turqisë. Shteti i parë mysliman në Europë, Andaluzi, ka qenë aty përpara se të binte Kostandinopoja. Gjithsesi historinë e re të Shqipërisë dhe të pavarur nuk do ta bëjnë neo-komunistët shqiptarë e as turqit, por vet BE-ja nëse një ditë integrohemi atje dhe atë ditë po që do të ligështohen të gjithë neo-komunistët.
2. Në planifikim dhe zhvillim urban. Edhe pse të gjitha fetë i kanë objektet e tyre referenciale në qendër të kryeqytetit, kur erdhi puna për ndërtimin e xhamisë së re, nuk mbeti ambientalist, historian, politikan, opinionist, aktivist pa hedhur një grusht baltë mbi këtë projekt që ishte akoma trofoblast. Komunistët e djeshëm shembën xhamitë, pinjollët e tyre sot nuk duan që ato të ndërtohen.
3. Në media. Në zhargonin mediatik analistët kur e ofendojnë rëndë njëri-tjetrin i thonë se dukesh si islamik, apo paguhesh prej myslimanëve, apo flet sikur i ke ligje sheriatike dhe nga kurani, etj. Kjo vjen pasi komunizmi ishte i vetmi sistem që i shpalli fetë si prapambetje, ndërsa në perëndim ato njihen si qytetërime të cilat janë objekt studimi, dikush i anatemon e dikush tjetër i lavdëron, por askush, përveç komunizmit, nuk i shpalli si mendime të pavlera me të cilat mund të ofendosh kundërshtarin në debat. Vetëm komunizmi guxoi të tallet me fetë dhe në fund u tall me të e gjithë historia.
4. Në politikë. Disa ditë më parë teksa po debatoja në një TV publike me një gazetar që ka denoncuar mënyrën sesi myslimanët bëjnë pushime me familjen në plazh?! Gjatë bisedës gazetari më tha: ‘’Aman ju lutem, votat që keni mos i përdorni kundra atyre që ju shajnë?!’’. Pra vota, si instrument demokratik, për neo-komunistët vazhdon të jetë problem që myslimanët e gëzojnë si të drejtë dhe tashmë këta të fundit në pamundësi për të na e ndaluar këtë të drejtë, bëjnë thirrje sado-mazokiste që myslimanët mos ta përdorin votën për interesat e veta. Në fakt edhe pse myslimanët në Europë e kanë një parti në mes të Hagës nga ku kryetari saj Arnoud van Doorn është i zgjedhur edhe si antarë këshilli bashkiak në Hagë, edhe pse në gjithë vendet që ka prekur pranvera arabe partitë islame ose janë në pushtet, ose e kanë qenë por s’janë më, pra dhe kjo pa u kontestuar nga perëndimorët, në shqipëri neo-komunistët shqiptarë as votën nuk duan t’jua lenë myslimanëve që ta përdorin për të drejtat dhe liritë e tyre, që në fund përkthehet në funksion të demokracisë.

 

Islamofobia në shqipëri është në nivelet më alarmante, sepse ajo nuk është thjeshtë frikë nga diçka e huaj si në vendet perëndimore, por është një persekutim dhe shtypje që vjen nga një esabilishment i cili ka pasur lidhje dhe është brymosur me mekanizma totalitariste. Kjo shtresë e ndryshkur e shoqërisë nuk e toleron dot diversitetin në mendim dhe besim, sepse është krijuar në një ambient të izoluar komunist. Nëse do ishin njerëz normal ata duhet të promovonin vlerat që kemi si shoqëri dhe që na i lavdëron e gjithë bota, të tilla si toleranca respekti dhe bashkëjetesa fetare, solidariteti, bujaria, mikpritja, etj. por neo-komunistët shqiptarë punojnë që këto vlera dhe kjo shoqëri mos të funksionojë normalisht dhe demokratikisht, sepse kur kjo të ndodhë, do kuptohet që komunizmi nuk ishte zgjidhje por vet problemi i shoqërisë dhe botës, rrjedhimisht do demaskohej korrupsioni neo-komunistëve dhe interesat e tyre të errëta materiale që fshihen pas shitjes së vlerave të popullit shqiptarë. Neo-komunisti nuk e ka vetëm mjet jetese islamofobinë, por edhe kusht egzistencial për statusin dhe figurën e tij të falimentuar.

 

Enklid PELARI

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit