Islami, muslimanët, islamofobia, etiketimet fallse, fyerjet, dilemat, izolimi, përzierja me njerëzit, shoqërimi i hapur, mbyllja sektare…
Dilema pa fund, që lidhen me përditshmërinë e sjelljes së muslimanit, sidomos në kohë si tonat dhe realitete në të cilat, ditë pas dite bien maska dhe, të vërtetat marrin e qartësohen nga mjegullnajat e veshura dhunshëm.
Ka akoma njerëz që janë të frikësuar nga Islami, si pasojë e dëshmive tronditëse që raportohen nëpër media botërore, ku gishti drejtohet drejt tij..!?
Ka akoma nga ata që harrojnë të shkuarën e afërme të prindërve të tyre besimtarë e praktikantë; mos vallë ata fshihnin diçka, që Islami i tyre ishte aq paqësor e begatues, apo, mendja nuk punon më si duhet sot, përballë propagandës së pandërprerë, që ka prishur krejt ekuilibrat dhe njësitë matëse tek shumë..?!
Dilema, dilema, dilema..!
Ah, njeriu i ngratë, sa lehtë manipulohet, sa shpejt e humb orientimin, sa vetëtimthi bie në grackë…
E, teksa lexoj e shfletoj realitetet e pashkruara, bashkë me historitë dhe idetë e regjistruara faqeve të librave, një konstatim i bërë nga Shejkh Jusuf El-Karadavi, sikur e zbut këtë kaos dhe i jep drejtim dilemave të kujtdo, që vuan prej tyre, sot!
Thotë: “Islami nuk kërkon prej teje të vraposh drejt izolimit! Ai të nxit që të durosh dhe të përballesh, derisa të triumfojë e mira në veten tënde, në jetën tënde!
Lajmëtari i All-llahut (a.s) i ka lavdëruar ata që përzihen me njerëzit dhe e durojnë të keqen e tyre!”
Përndryshe, thirrja e tij (a.s) do të mbyllej në momentin, kur axha i tij kundërshtar ia ktheu me të ashpër dhe refuzim fyes fjalën, kur ai i mblodhi t’u thoshte se ishte i Dërguari i All-llahut!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 22 mars 2017