1.3 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

“Islami ka filluar si i huaj…” – cili është shpjegimi?

Më të lexuarat

Pyetja:
Prej haditheve të njohura që qarkullon në mesin e ligjëruesve dhe autorëve është edhe hadithi: ”Islami ka filluar i huaj, dhe do të kthehet si ka filluar, për atë, lum për të huajt”.
Më intereson, ky hadith sa është i saktë? dhe nga ana tjetër në çka aludon hadithi? Poashtu, fjala “gariben”, a rrjedh prej foljes “gurbe” (i huaj), apo prej foljes “garabe” (i çuditshëm)? Kjo, ngase unë kam dëgjuar disa ligjërues në radio se kjo fjalë rrjedh prej çudisë dhe hamendjes, e jo prej “gurbe”(i huaj). Nëse kjo fjalë rrjedh prej foljes “gurbe”(i huaj), a do të thotë kjo se islami është i dobët dhe do të perëndojë ylli i tij?
Nga ana tjetër, a ka argumente që faktojnë ngadhënjimin e islamit përsëri, sikur që ngadhënjeu në shekujt e parë të hixhretit?
***

Përgjigja:

Hadithi është i saktë për nga senedi-zinxhiri i transmetuesve, dhe kjo nuk kontestohet nga ekspertët e hadithit. Ky hadith, transmetohet nga disa sahabe, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Hadithin e transmenton Muslimi dhe Ibn Maxhe prej Ebu Hurejres, poashtu Tirmidhiju dhe Ibn Maxhe prej Ibn Mes’udit, pastaj Ibn Maxhe edhe prej Enesit, poashtu edhe Taberaniju nga Selmani dhe Sehl ibn Sa’d dhe Ibn Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë, sikur që thuhet në veprën El-Xhamiu-s-sagir.

Këtë hadith e transmeton Muslimi prej Ibn Omerit, por pa fjalët: ”Lum për të huajt”.

Pra, pas kësaj, konstatojmë se saktësia e hadithit nuk diskutohet, por mbetet të flitet për kuptimin e hadithit.

Është për të ardhur keq se shumë hadithe që u referohen kohës së fundit, apo si që quhen hadithet e sprovave, apo parashenjave të kiametit disa njerëz i kuptojnë në atë mënyrë që ngjallin pesimizëm për çdo veprim reformues dhe përmirësues.

Nuk mund të imagjinohet që i dërguari i Allahut ﷺ ta thirr umetin islamë në pesimizëm, dëshpërim dhe hapjen e rrugës për të keqen dhe punët e liga që të përhapet në mesin e njerëzve dhe ta pushtojnë shoqërinë, pa mos ndërmarrë njerëzit diçka në drejtim të evitimit të devijimeve dhe riparimit të dëmeve.

A është e mundshme kjo, kur i dërguari i Allahut ﷺ urdhëron që të punohet për tu gjallëruar toka deri sa t’i lëviz njeriut një damar. Kjo qartë demonstrohet në hadithin:”Nëse bëhet kiameti, dhe ndonjëri prej jush në dorë të vetë ka një fidan, nëse mund ta mbjell këtë fidan para se të bëhet kiameti, le ta mbjell”(1).

Ky hadith flet se prej kësaj peme që do të mbjellët, nuk do të han as ai vetë as dikush tjetër, pasi kiameti bëhet, apo gati është duke u bërë. Nëse kjo kërkohet në çështjet materiale, atëherë duhet ditur se çështja e fesë është shumë më madhore dhe prioritare, për këtë edhe patjetër duhet punuar për fenë deri në frymën e fundit.

Për sa i përket domethënies së fjalës “garib”, është evidente se rrjedh prej foljes “gurbe”(i huaj), e jo prej foljes “garabe”(çudi), duke u thirrur në pjesën e fundit të hadithit:”tuba lil gureba”(lum për të huajt).”Gureba” është shumës i “garib”(i huaj), gjegjësisht ai që cilësohet me të huajësimin, e jo me çudinë(garabe).

Të qenit e tyre të huaj, ka ardhur nga të qenit i vetë Islamit i huaj, të cilit ata i kanë takuar dhe në të cilin kanë thirrur. Kjo është domethënia e fjalës “garib” që përdoret në disa hadithe, fjala vjen si hadithi: ”Ji në këtë botë sikur “garib”(i huaj, mysafir)”.Hadithin e transmenton Buhariu.

Poashtu, në favor të kësaj flasin edhe disa hadithe dhe transmetime të cilat kanë shtesa për hadithin në fjalë, e që bëjnë cilësimin e të huajve “gureba”.Kjo konfirmon se për qëllim është të qenit i huaj, e jo i çuditshëm.

Kjo, dhe për këtë flet edhe realiteti ekzistues në ditët tona dhe në disa shekuj të kaluar, kur shihet se Islami është i huaj në vetë vendet e veta dhe në mesin e vetë pjesëtarëve të tij. Bile, kush thirr në Islam, pëson nga dhuna dhe represaliet, apo pëson atentat apo varje.

Mirëpo, ky tëhuajsim, a është i përgjithshëm, gjithpërfshirës dhe konstant, apo është i pjesërishëm dhe i përkohshëm?

Ibn Kajjimi, thekson se kjo dukuri mund të jetë prezentë në disa vende, e jo në të gjithë, në disa kohë, e jo përherë dhe te disa popuj, e jo te të gjithë.

Unë mendoj se hadithi flet për faza dhe periudha apo valë të cilat vijnë e shkojnë dhe Islami u ekspozohet gjërave të cilave u ekspozohen edhe të gjitha misionet dhe revelatat, gjegjësisht:fuqisë dhe dobësisë, zgjerimit dhe rrudhjes, lulëzimit dhe venitjes, konform ligjeve të Allahut të cilat nuk ndryshojnë. Pra, ai u nënshtrohet këtyre ligjeve hyjnore të cilat nuk kanë dy standarde për njerëzit, si gjithë tjerët. Ajo që ndodh me drejtimet dhe fetë tjera, ndodh edhe me Islamin, po edhe ajo që ndodh me popujt tjerë, ndodh edhe me umetin islam.

Hadithi tregon për dobësinë e Islamit në një periudhë kohore, por ai shpejt ngrihet lartë dhe del prej të qenit i huaj dhe i pa njohur, sikur që veproi kur filloi për herë të parë.

Ai filloi i huaj, por nuk vazhdoi i këtillë, sepse ishte i dobët, e pastaj u forcua, ishte i fshehur, pastaj doli në mejdan, ishte i kufizuar, pastaj u zgjerua dhe ishte i shtypur, pastaj triumfoi.

Ai do të kthehet i huaj, sikur që filloi, i dobët, që pastaj përsëri të forcohet dhe ta marr veten, i shtypur, që pastaj të ngadhënjejë dhe të dominojë mbi të gjitha fetë, i syrgjynosur dhe i shtypur, që pastaj të shtrihet shumë dhe të shënojë fitore pas fitore.

Pra, hadithi nuk çon në pesimizëm për të ardhmen, nëse kuptohet drejtë.

Për atë se hadithi nuk aludon në pesimizëm dhe dorëzim, dëshmon edhe cilësimi i të huajve që përmenden në këtë hadith, në disa transmetime tjera, ku u jepen atributet e riparimit të asaj që e prishën njerëzit nga tradita pejgamberike, dhe e ringjallin atë që e lanë pas dore prej të njëjtës.

Ata janë njerëz pozitiv, kreativ, konstruktiv, e jo negativ, pasiv apo parazit, të cilët presin të ndihmohen nga caktimet hyjnore pa mos lëvizur aspak apo pa mos i trazuar neglizhentët.

E shoh të dobishme t’i përmendi fjalët e imam Ibn Kajjimit rreth këtij hadithi, duke i komentuar fjalët e mësuesit të tij El-Herevij në kapitullin “el-gurbe” në veprën “Menazilu es-sairin ila mekamati ijjake na’ëbudu ve ijjake nestei’n”.

Ibn Kajjimi në veprën “Medarixhu es-salikin” thotë:”Shejhu-l-islam thotë: Kapitulli i të qenit i huaj. Allahu xh.sh. thotë: ‘’E përse të mos ketë pasur nga breznitë që ishin para jush, të zotët e mendjes e të nderit që të ndalonin çrregullimin e kaosin në tokë, përveç një pakicë, të cilët i shpëtuam (ngase u frenuan nga të këqiat)…’’(2).

Ibn Kajjimi, duke sqaruar këtë, thotë:”Të argumentuarit e tij me ajetin në fjalë në këtë kontekst, flet se ai ka dituri dhe njohuri të thella dhe e kupton drejtë Kur’anin. Kjo, ngase të huajt në botë, janë ata të cilët e posedojnë këtë veti të përmendur në ajet, poashtu, për këta tregoi i dërguari i Allahut ﷺ në hadithin: ”Islami ka filluar i huaj, dhe do të kthehet i tillë sikur që ka filluar. Lum për të huajt”.I kanë thënë:O i dërguar i Allahut, po kush janë të huajt? Ai është përgjigjur:”Ata të cilët përmirësojnë, kur prishin njerëzit”(3).

Imam Ahmedi thotë: Na ka rrëfyer Abdurrahman ibn Mehdiju prej Zuhejrit, e ky prej Amër ibn Ebu Amrit, ky prej El-Muttalib ibn Hantabit e ky prej të dërguarit të Allahut se ka thënë:”Lum për të huajt”.I kanë thënë:O i dërguar i Allahut, e kush janë të huajt? Ai tha:”Ata të cilët shtojnë, kur tjerët pakësojnë”(4).

Nëse hadithi në fjalë është ruajtur me këtë formulim, atëherë nuk i janë përmbysur transmetuesit fjalët, gjegjësisht të jetë:”Ata janë të cilët pakësojnë kur tjerët shtojnë”. Hadithi do të thotë: Ata të cilët e shtojnë besimin, mirësitë dhe devotshmërinë, kur njerëzit i pakësojnë këto. Allahu e di më së miri.

Në hadithin e A’ëmeshit prej Ebu Is’hakut e ky prej El-Ahvesit e ky prej Abdullah ibn Mes’udit qëndron se i dërguari i Allahut ka thënë:”Islami ka filluar i huaj dhe do të kthehet i tillë, si ka filluar. Lum për të huajt”.E kanë pyetur të dërguarin e Allahut:E kush janë të huajt, o i dërguar i Allahut? Ai është përgjigjur:”Të larguarit e fiseve”(5).

Në hadithin e Abdullah ibn Amrit qëndron: I dërguari i Allahut, një ditë kur ne ishim te ai, tha:”Lum për të huajt”.E pyetën:E kush këta o i dërguar i Allahut? Ai u përgjigj:”Njerëz të mirë, të cilët do të jenë të paktë në mesin e njerëzve që janë shumë në numër. Ata që do t’i kundërshtojnë, do të jenë ma shumë se sa ata që do t’i respektojnë”(6).

Ahmedi thotë: Na ka rrëfyer El-Hejthem ibn Xhebel, (thotë) na ka rrëfyer Muhamed ibn Muslim, (thotë) na ka rrëfyer Othman ibn Abdullahu prej Sulejman ibn Hurmuzit e ky prej Abdullah ibn Amrit prej të dërguarit të Allahut ﷺ se ka thënë: ”Gjëja më e dashur te Allahu, janë të huajt”. I kanë thënë:E kush janë të huajt? Ai tha:”Ata që ikin ta mbrojnë fenë, ditën e gjykimit do të tubohen te Isa, djali i Merjemit, alejhi es-selam”(7).

Në një hadith tjetër qëndron:”Islami ka filluar i huaj dhe do të kthehet si ka filluar. Për atë, lum për të huajt”.I kanë thënë:E kush janë të huajt, o i dërguar i Allahut? Ai ka thënë:”Ata të cilët e ringjallin sunetin tim dhe ua mësojnë atë njerëzve”(8).

Nafiu përcjell prej Malikut se “Omeri ka hyrë në xhami dhe e ka gjetur Muadh ibn Xhebelin të ulur pranë dhomës së Pejgamberit ﷺ duke qarë. Omeri i tha: Pse qan o baba i Abdurrahmanit? Mos ka vdekur vëllau yt? Ai I ktheu: Jo, po më çoi të qajë një hadith të cilin ma tha i dashuri im-Pejgamberi ﷺ duke qenë në xhami. Omeri i tha:Cili është ai hadith? Ai ia ktheu:”Allahu i donë të fshehtit, të devotshmit mirëbërës, të cilët kur nuk janë prezent nuk humben, e kur prezantojnë nuk njihen. Zemrat e tyre janë kandila udhëzimi, e ata dalin nga çdo sherr qorr i errët”(9)

Pra, këta janë të huajt që lavdërohen dhe lakmohen. Për shkak se janë shumë pak në mesin e njerëzve, janë quajtur të huaj, sepse pjesa dërmuese e njerëzve nuk i kanë këto cilësi. Pjesëtarët e Islamit janë të huaj në mesin e njerëzve tjerë. Besimtarët janë të huaj në mesin e pjestarëve të Islamit. Dijetarët në mesin e besimtarëve janë të huaj dhe ithtarët e sunetit, të cilët e dallojnë sunetin prej epsheve dhe risive-bidateve, janë të huaj. Ata që thirrin në sunet dhe i durojnë ofendimet e kundërshtarëve, janë edhe më të huaj.

Por, të tillët janë besimtarë të vërtetë të Allahut, për atë edhe nuk huajësi për ata, por të qenit e tyre të huaj është në raport me pjesën më të madhe të njerëzve, për të cilët ka thënë Allahu xh.sh.:’’Në qoftë se u bindesh shumicës (mohuese që janë) në tokë, ata do të largojnë ty nga rruga e Allahut…’’(10), të tillët janë të huaj nga Allahu, i dërguari dhe feja e Tij. Kjo formë e të qenit i huaj është tërbuese, edhe pse ata janë të njohur për të cilët tregohet me gisht. Është thënë: Nuk është i huaj ai që është larg vendit të vetë, Por, i huaj është ai nga i cili largohen.

Kur iki Musai a.s. prej popullit të Faraonit, shkoi në Medjen, ashtu siç e përshkruan Allahu xh.sh., i vetëm, i huaj, i frikësuar dhe i uritur. Ai tha:”O Zot, i vetëm, i sëmurë, i huaj. I është thënë atij: O Musa, i vetëm është ai që nuk ka shok të afërt. I sëmurë është ai që nuk ka mjek. Kurse i huaj është ai që nuk ka lidhje me Mua”.

Të qenit i huaj, është tri llojesh:të huajsimi i adhuruesve të Allahut dhe pasuesve të sunetit të Pejgamberit të Tij ndër krijesat. Ky të huajsim është ai për të cilin i ka lavdëruar i dërguari i Allahut personat që janë të cilësuar me të. Për fenë në të cilën thirri Pejgamberi, lajmëroi se ajo ka filluar e huaj, dhe se do të kthehet e huaj si ka filluar, poashtu pjestarët e saj do të bëhen të huaj.

Ky të huajsim mund të jetë prezent në një vend, por jo në të gjithë vendet, në intervale të caktuara kohore dhe vetëm te popuj të caktuar. Mirëpo, këta të huaj, janë adhurues të vërtetë të Allahut, sepse ata nuk kanë kërkuar strehim tjetërkund, pos te Allahu, nuk janë thirrur pos në emër të dërguarit të Allahut ﷺ dhe kanë thirrur vetëm në atë që solli ai. Të këtillët, u ndajtën nga njerëzit kur kishin ma tepër nevojë për ta, e kur do të shkojnë njerëzit me të adhuruarit e tyre ditën e gjykimit, të përmendurit do të mbeten në vendet e tyre.Me këtë rast do t’u thuhet:”A nuk shkoni ku shkojnë tjerët?Do të thonë:Njerëzit na lanë, kurse ne sot jemi ma të nevojshëm për ata, por ne e presim Zotin tonë të cilin e adhuronim”.

Kjo mënyrë e të qenit i huaj, nuk e tërbon njeriun, por e kundërta është e saktë, ai është më i qetë kur tjerët tërbohen. Tërbimi i tij do të jetë ma i madh, kur do të qetësohen tjerët.Miku i tij është Allahu, i dërguari i Tij dhe ata që besuan, edhe nëse e kundërshtojnë dhe distancohen nga ai pjesa më e madhe e njerëzve.

Në hadithin e El-Kasimit të përcjellë prej Ebu Umames e ky prej të dërguarit të Allahut ﷺ i cili përcjell prej Allahut xh.sh. se ka thënë:”Te Unë, prej miqve të Mi të cilëve më së tepërmi ua kanë lakmi, është një besimtar, që ka pak fëmijë, që ka dobi prej namazit të vetë, i cili e adhuron si duhet Zotin, rizkun e ka në bazë të nevojës, dhe krahas kësaj, ai është i mbyllur ndër njerëz, nuk është i njohur, dhe ai është i qëndrueshëm në këtë derisa e takon Allahun. Pastaj i vjen vdekja (11), nuk len shumë trashëgimi dhe pak e qajnë”(12).

Prej të huajve, janë edhe ata që i përmend Enesi në hadithin e përcjellë prej të dërguarit të Allahut ﷺ:”Ndoshta një person me flokë të shpupuritura e i pluhurosur, i varfër të cilit nuk ia varin veshin, sikur të ishte betuar në emër të Allahut, do ta kish çuar në vend betimin”(13).

Ebu Idris El-Haulani përcjell prej Muadh ibn Xhebelit i cili përcjell prej të dërguarit të Allahut ﷺ se ka thënë:”A doni të dini kush janë mbretërit e banorëve të xhenetit?” Thanë: Gjithqysh, o i dërguar i Allahut. Ai tha:”Çdo i dobët i pluhurosur, i varfër të cilit nuk ia varin veshin, sikur të betohej në emër të Allahut, do ta çonte në vend betimin”(14).El-Haseni thotë: Besimtari në këtë botë është si i huaji, i cili nuk dëshpërohet nga nënçmimi i saj, nuk garon për lukset e saj. Njerëzit janë në botë tjetër, kurse në një botë krejt tjetër. Njerëzit nga ai janë të qetë, kurse ai është i lodhur nga vetja.

Prej vetive të këtyre të huajve, të cilët i ka lavdëruar Pejgamberi ﷺ, është pasimi i sunetit, kur këtë e braktisin tjerët, braktisjen e risive të shpikura, edhe pse te njerëzit kjo risi është bërë e zakonshme, besimi i sinqertë dhe i pastër, edhe pse pjesa dërmuese e njerëzve e injorojnë diçka të tillë, nuk thirret se i përket dikuj tjetër pos fesë së Allahut dhe të dërguarit të Tij, si sheh, tarikat, drejtim apo sekt, por të huajt e këtillë, i përkasin Allahut duke e adhuruar vetëm Atë, i përkasin të dërguarit të Tij, duke e ndjekur vetëm atë që ka sjellur ai. Të tillët janë ata që realisht e kanë kapur në dorë zjarrin, ndërkaq pjesa më e madhe e njerëzve, bile gjithë njerëzit, i qortojnë. Për shkak se janë të huaj ndër njerëz:tjerët i konsiderojnë ata përjashtim dhe protagonist të risive, njerëz të cilët janë distancuar nga shumica!

Fjalët e të dërguarit të Allahut ﷺ:”Ata janë të larguarit nga fiset”, aludojnë në atë se Allahu xh.sh. e dërgoi Pejgamberin ﷺ ndërsa njerëzit u takonin feve dhe besimeve të ndryshme, kisht adhurues të zjarit dhe idhujve, adhurues të statujave dhe kryqeve, ebrej, sabbi’it dhe filozof. Islami, në fillim të paraqitjes së tij ishte i huaj, dhe njerëzit të cilët e përqafuan Islamin dhe iu përgjigjën Allahut dhe të dërguarit të Tij, ishin të huaj në lagjet dhe fiset e veta, në familjen dhe farefisin e vet.

Kështu, ata që iu përgjigjën thirrjes islame, ishin të distancuar nga fiset, bile vetjak.U bënë të huaj nga familjet dhe fiset e tyre duke hyrë në Islam. Të këtillët ishin të huajt e vërtetë dera sa dominoi Islami, u përhap thirrja e tij dhe hynë njerëzit në Islam grupe – grupe. Me këtë, kjo gjendje e të qenit i huaj u ndryshua, por përsëri vazhdoi të ec në këtë vijë, derisa u kthye përsëri i huaj sikur që filloi. Bile, Islami i vërtetë, të cilin e pasoi i dërguari i Allahut dhe shokët e tij, sot është edhe ma i huaj se sa në fillim të paraqitjes së tij, edhe pse shenjat dhe ritualet e tij janë të njohura dhe jo anonime. Islami i vërtetë është shumë i huaj, ndërkaq ithtarët e tij janë më të huajt ndër njerëz.

Si mos të jetë një grup shumë i vogël, i huaj ndër shtatëdhjetë e dy grupe tjera të cilat kanë ithtar, prijës, pozita dhe pushtet. Ata nuk mund të ngritën pa e kundërshtuar thirrjen e Pejgamberit ﷺ Thirrja e tij bie ndesh me epshet dhe pasionet e tyre, poashtu i kundërshton ashpër dyshimet dhe risitë e shpikura të cilat i kanë përvetësuar dhe paraqesin kulminacionin e vlerave dhe të arriturave të tyre intelektuale, si dhe epshet të cilat paraqesin cak të synimeve dhe objektivave të tyre.

Si mos të jetë besimtari i cili ecën në rrugën e Zotit, i huaj në mesin e atyre të cilët i ndjekin epshet e tyre, i nënshtrohen shehit të tyre dhe çdo njëri i bën hizmet mendjes së tij? I dërguari i Allahut ﷺ thotë:”Urdhëroni në të mirë dhe ndaloni nga e keqja, bile edhe nëse shihni egoizëm dominues, ndjekje të epsheve, preferim të interesit të kësaj bote dhe mahnitje të çdo njërit me mendimin e vetë.

Ti përmbaju vlerave tua individuale, mos paso masat e paditura, sepse ju ju presin kohë kur ai që do të jetë durimtar, do të jetë si ai që ka kapur zjarr”.Për këtë, muslimanit të sinqertë në këtë kohë-nëse i përmbahet fesë- i është dhënë shpërblimi i pesëdhjetë sahabeve(15).

Në Sunen-in e Ebu Davudit dhe Tirmidhijut qëndron hadithi i Ebu Tha’ëlebe El-Hushenijut, ku thotë: E pyeta të dërguarin e Allahut për ajetin vijues:’’O ju që besuat, ruaje veten tuaj! Ai që ka humbur, nuk ju dëmton juve kur jeni në rrugë të drejtë…’’(16), e ai tha: Por, ju urdhëroni njëri tjetrin në të mirë dhe ndaloni njëri tjetrin nga e keqja, bile edhe nëse sheh koprraci që dominon, epshe që pasohen, interes të preferuar të kësaj bote dhe mahnitje të çdo njërit me mendjen e vetë. Ti shko me njerëz të dalluar e mos i paso të thjeshtit, sepse juve ju presin kohë të durimit, durimi në këto kohë do të jetë si me mbajë zjarr në dorë, ai që do të punojë në këto kohë, do ta ketë shpërblimin e pesëdhjetë njerëzve që do të bëjnë punë të njëjtë”. I thashë: O i dërguar i Allahut, ai do ta ketë shpërblimin e pesëdhjetë njerëzve prej tyre? Ai u përgjigj:”Shpërblimin e pesëdhjetë njerëzve prej jush”(17), e ky shpërblim i madh është për shkak se ai do të jetë i huaj ndër njerëz dhe do t’i përmbahet sunetit në mes errësirave të epsheve dhe mendimeve të tyre.

Kështu, nëse besimtari të cilin e ka furnizuar Allahu me dituri në fe, njohuri në sunetin-traditën pejgamberike, kuptim të Kur’anit dhe perceptim të drejtë të pasimit të shumë njerëzve epshet dhe risitë, si dhe devijimit të tyre nga rruga e drejtë të cilën e trasoi i dërguari i Allahut dhe shokët e tij, donë ta ndjek rrugën e vërtetë, le ta përgatisë veten për t’iu përballuar akuzave të injorantëve dhe bidatçinjve, nënçmimit që do t’i vinë nga të tillët, largimit të njerëzve nga ai dhe satanizimit të tij në sytë e njerëzve(18), njëjtë sikur që vepruan edhe para ardhësit e tyre mosbesimtar me prijësin e besimdrejtëve Pejgamberin ﷺ. E nëse i thirr në këtë rrugë dhe ua hudh poshtë besimet e tyre, atëherë tërbohen, hedhin vrerë mbi të, i bëjnë kurtha dhe i mobilizojnë të gjithë kundër tij.

Ky njeri, është i huaj me fenë e tij, për shkak tjerët janë të devijuar nga feja, është i huaj me pasimin e sunetit-rrugës pejgamberike, sepse tjerët janë shpikës të risive-bidateve, i huaj me besimin e tij, sepse tjerët kanë besime të deformuara, i huaj me namazin e tij, sepse tjerët nuk falen drejtë, i huaj në rrugën e tij jetësore, sepse tjerët e kanë humbur rrugën e jetës së tyre dhe i huaj në shoqërimin e tyre, sepse i shoqëron në gjëra që epshet e tyre nuk i lakmojnë.

Thënë në përgjithësi:Ai është i huaj në çështjet e kësaj bote dhe botës tjetër, nuk gjen ndihmës dhe mbështes ndër masat e gjëra, ai është dijetar në mesin e injorantëve, ndjekës i sunetit, në mesin e bidatçinjve, thirrës në rrugë të Allahut dhe të dërguarit të Tij, në mesin e thirrësve në epshe dhe bidate(risi), ai urdhëron në të mirë, ndalon nga e keqja, kurse tjerët janë njerëz që të keqen e konsiderojnë të mirë, dhe të mirën e keqe”(19).

SIHARIQE KUR’ANORE PËR RIZGJIMIN ISLAM:

Për sa i përket pyetjes së vëllait se a ka sihariqe dhe fakte për ngadhënjimin e Islamit në të ardhmen, them se edhe në Kur’an edhe në sunet, ka fakte të bollshme që flasin në këtë drejtim,e dhe pse shumë ligjërues këto nuk i përfillin dhe ndalen vetëm në ato që për nga kuptimi i jashtëm ngjallin pesimizëm.

Në Kur’an, na mjafton ajeti: ‘’Ai (Allahu) është që e dërgoi të dërguarin e Tij me udhëzim të drejtë e të vërtetë, e për ta bërë që të dominojë mbi të gjitha fetë, edhe pse e urrejtën idhujtarët’’(20).

Ky ajet, në këtë formë është përsëritur dy herë, në Kaptinën Et-Tevbe dhe Es-Saf, si dhe në Kaptinën El-Fet’h: ’’Ai është që dërgoi të dërguarin e Vet me udhëzim të plotë dhe me fenë e vërtetë, që të triumfojë mbi çdo fe, e mjafton Allahu dëshmitar’’(21).

Ky është premtim i Allahut për triumfin e fesë së vërtetë-Islamit- mbi të gjitha fetë, ndërkaq premtimi i Allahut është i vërtetë dhe Ai nuk e shkel premtimin e dhënë. Ne, ende presim realizimin e këtij premtimi: Triumfin dhe dominimin e fesë Islame mbi të gjitha fetë dhe ideologjitë.

Kësaj ia shtojmë edhe ajetin që flet për tentimet e mosbesimtarëve që ta mposhtin Islamin dhe ta pengojnë përparimin dhe përhapjen e tij: ‘’Ata duan ta shuajnë dritën e Allahut me gojët e tyre, po Allahu e plotëson (e përhap) dritën e Vet, edhe pse e urrejnë jobesimtarët’’(22).

‘’Ata përpiqen me gojët e tyre ta shuajnë dritën e Allahut, e Allahu nuk do tjetër, pos ta përsosë dritën e Tij, ndonëse jobesimtarët e urrejnë’’(23).

Shprehja e këtillë e Kur’anit, i përbuz ata kur i shëmbëllen tentimet e tyre për shuarjen e dritës Islame, me atë që mundohet ta shuaj dritën e diellit duke fryrë me gojë. Kjo, ngase ai, si duket, e konsideron dritën e diellit si një shkëndi të vogël zjarri që e ndez njeriu.

Ja edhe një sihariq tjetër Kur’anor, gjegjësisht ajeti: ‘’Ata që nuk besuan, shpenzojnë pasurinë e tyre për të penguar nga rruga e Allahut. Ata do ta shpenzojnë atë dhe ajo do të bëhet dëshprim i tyre, madje ata do të mposhten. E ata që mohuan, do të përmblidhen vetëm në xhehenem’’(24).

SIHARIQE NGA HADITHET PEJGAMBERIKE:

Nga fusha e haditheve, do të mjaftojmë me katër hadithe që përgëzojnë për triumfin e Islamit:

1-Hadithi të cilin e transmeton Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiju, Ibn Maxhe dhe Ahmedi prej Theubane se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:”Allahu ma mblodhi tokën, dhe unë e pashë lindjen e perëndimin, ndërsa umeti im do të arrijë aq sa më është mbledhur mua prej toke…”(25).

I dërguari i Allahut përgëzon për zgjerimin e shtetit Islam, ashtu që do ta përfshijë lindjen dhe perëndimin, gjë që nuk është realizuar më parë në këtë formë. Për atë, ne jemi në pritje të këtij premtimi, si që lajmëron i sinqerti korrekt.

2-Hadithi të cilin e transmenton Ibn Hibbani në Sahih-un e tij:”Kjo çështje-pra Islami- do të arrijë atë që ka arritur nata dhe dita, dhe nuk do të mbetet shtëpi e njeriut të gjallë, pa mos hyrë në të kjo fe, qoftë me mbështetje të autoritativëve apo mposhtjen e të nënçmuarve, fuqi me të cilën Allahu do ta forcon Islamin, dhe mposhtje, me të cilën do ta mposhtë Allahu mosbesimin”(26).

Nëse hadithi i mëparshëm përgëzonte për zgjerimin e shtetit Islam, ky hadith përgëzon për përhapjen e fesë Islame, dhe në këtë mënyrë plotësohet fuqia e shtetit dhe fuqia e thirrjes, bashkohet Kur’ani dhe pushteti.

3-Hadithi të cilin e transmenton Ahmedi, Darimiju, Ibn Ebu Shejbe dhe Hakimi i cili edhe e vlerëson të saktë, e me këtë pëlqen edhe Dhehebiju prej Ebu Kabilit i cili thotë:Ishim te Abdullah ibn Amër ibn El-Asi dhe e pyetën:Cili nga dy qytetet do të çlirohet i pari:Konstantinopoli apo Roma? Abdullahu morri një sanduk dhe e nxori nga ai një letër(27).Tha:Abdullahu tha:Duke qëndruar rreth të dërguarit të Allahut ﷺ shkruanim, dhe dikush e pyeti të dërguarin e Allahut ﷺ: Cili qytet do të çlirohet i pari: Konstantinopoli apo Roma? I dërguari i Allahut ﷺ tha: ”Qyteti i Heraklit do të çlirohet i pari”, gjegjësisht Konstantinopoli(28).

Qyteti i Heraklit u çlirua nga një i ri osmanli njëzet e tre vjeç Muhamed ibn Murad, i njohur në histori me emrin Muhamed Fatihu. Qyteti u çlirua në vitin 1453.

Mbetet të çlirohet edhe qyteti tjetër, Roma, ne besojmë dhe shpresojmë që të çlirohet.

Kjo do të thotë se Islami do të rikthehet në Europë triumfues dhe çlirues, pasi u dëbua prej atje dy herë: Herën e parë nga jugu, prej Andaluzije, dhe herën e dytë nga lindja, pasi trokiti në dyert e Athinës disa herë. Unë kujtoj se çlirimi kësaj here, nuk do të bëhet me shpatë, por me thirrje dhe mendim.

4-Hadithi të cilin e transmenton Ahmedi dhe Bezzari prej Nu’man ibn Beshirit prej Hudhejfes se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Në mesin tuaj do të jetë pejgamberia, aq sa donë Allahu, pastaj Allahu do ta ngrenë, atëherë kur do të donë ta ngrenë, pastaj do të jetë kalifati sipas rendit pejgamberik, dhe ky do të jetë sa donë Allahu, pastaj do ta ngrenë Allahu atëherë kur donë, pastaj do të pasojë mbretëria gllabëruese, dhe kjo do të jetë aq sa don Allahu, pastaj do ta ngren Allahu kur do të donë. Pastaj do të pasojë pushteti tiran, dhe do të mbetet aq sa don Allahu, e pastaj Allahu do ta ngrenë kur të donë. Pastaj do të pasojë kalifati konform rrugës pejgamberike”, pastaj shuajti(29).

Çlirimi i Romës, përhapja e Islamit derisa të arrijë atë që e ka arritur nata dhe dita dhe zgjerimi i shtetit Islam sa të përfshijë lindjen dhe perëndimin, është fryt i një peme dhe rezultat i një veprimi, gjegjësisht kthimit të kalifatit të drejtë, apo kalifatit të ngritur në metodologjinë pejgamberike pas qëndrimit të mbretërisë tirane dhe pushtetit gllabërues, sa të don Allahu.

Pas natës del mëngjesi, pas vështirësisë vinë lehtësia, e ardhmëria i takon Islamit, ndërkaq shenjat e agimit, kanë dhënë krye, falë Allahut.

PREJ KËTYRE SIHARIQEVE:

1-Paraqitja e rizgjimit Islam, i cili ia ktheu umetit besimin në Islam, shpresën për të ardhmen e tij dhe i dëshpëroi armiqtë e Islamit, brenda dhe jashtë. Ky rizgjim meriton ta udhëheq umetin në fitore, nëse donë Zoti që atë ta udhëheqin udhëzuesit e udhëzuar, të ditur dhe të fortë, të cilët i pajisi Allahu me njohjen e ligjeve të Tij, me njohjen e fesë së Tij, me urtësi në gjykime dhe punë:’’…e kujt i është dhënë urtësia, atij pra i është dhuruar mirësi e madhe…’’(30).

2-Rrënimi i sistemeve absolute, në veçanti komunizmit, i cili një kohë mendoi se do ta sundojë botën, do t’i trashëgojë fetë dhe do t’i mposht filozofitë. Por, ky sistem e pësoi disfatën e parë nga vëllezërit tanë në Afganistan, të cilët me armët e tyre klasike, arritën të ngadhënjejnë mbi shtetin më agresor ateist në histori.

Kështjellat komuniste u rrënuan një nga një, duke filluar nga Bashkimi Sovjetik, Evropën lindore dhe në fund Shqipërinë.

Pjesa tjetër do të vijë, Allahu do ta zhduk gënjeshtrën dhe do të fitojë e vërteta: ’’E atë ditë (kur do të fitojnë bizantinët) besimtarët do të gëzohen, për ndihmën e Allahut…’’(31).

Dr. Jusuf el-Kardavi
Përktheu: Bashkim Aliu

————————————————–

1. Hadithin e transmenton Ahmedi në Musned, Buhariu në veprën El-Edebu-l-mufred prej Enesit, poashtu e transmenton edhe Tajalesi dhe Bezari.Hejthemiju thotë:Transmentuesit e tij janë të besueshëm, stabil.

2. Kaptina Hud, 116.

3. Këtë e përmend Hejthemiju në mexhmea’ ez-zevaid prej hadithit të Sehl ibn Sa’d Es-Saidijut dhe thotë:Hadithin e transmenton Taberaniju në të tre koleksionet e tij “Mea’xhim”, dhe transmentuesit e tij janë transmentues të koleksioneve të sakta me përjashtim të Bekër ibn Selimit, i cili është i besueshëm, vëll.VII, f.278 prej hadithit të Xhabirit, dhe thotë:Hadithin e transmenton Taberaniju në Muëxhemu-l-euset ku gjindet Abdullah ibn Salih, sekretar i Lejthit i cili është i dobët, por e kanë konsideruar të besueshëm.

4. Gjurmova për këtë hadith në veprën El-Musned, por nuk e gjeta.Poashtu, hadithin nuk e gjeta as në veprën e Hejthemijut, Mexhmeu ez-zevaid, po as që tregohej për këtë hadith në enciklopedinë “El-Muëxhemu-l-mufehheres li-l-kutubi et-tisa’ti”, bile nuk e kam gjetur as El-Mttalib ibn Hantebin ndër sahabet transmentues në Musned, në bazë të bibliografisë së Shejh Albanit.Kështu, ai ose u ësht përvjedhur nga botimi, sikur që e pashë këtë me Ukbe ibn Murre El-Xhuhenijun, i cili ka tre hadithe në veprën El-Musned, ndërkaq në librin e botuar gjindet vetëm njëri, apo ka mundësi që Ahmedi ta ketë transmentuar jashtë Musnedit.Allahu e di më së miri.

5. Hadithi gjindet në përmbledhjen e Darimijut nr.2757, Ibn Maxhes, nr.3988 dhe Tirmidhijut nr.2631 por pa pyetjen.Tirmidhiju thotë:Hadithi është i gradës “hasenun garibun sahih”(i mirë, i pa njohur, i saktë).Poashtu e transmenton Bejhekiju në Ez-Zuhd, nr.208 dhe Begaviju në veprën “Sherhu es-sunet”, vëll.I, f.118 dhe e konsideron të saktë.Botim I El-Mektebu-l-Islamij.

6. Hadithi gjindet në Musned dhe shejh Shakiri e konsideron të saktë, poashtu e përmend edhe Hejthemiju, vëll.VII, f.278, dhe thotë:Hadithin e transmenton Ahmedi dhe Taberaniju në “Mu’ëxhemu-l-euset”, por në të gjindet Ibn Luhaj’a i cili ka dobësi.Në një vend tjetër, përmend vetëm një pjesë të hadithit dhe ia adresoi Taberanijut në “Mu’ëxhemu-l-kebir”, dhe thotë:Në këtë vepër ka disa senede, ndërkaq transmentuesit e njërit sened janë të koleksionit të saktë.

7. Hadithin e transmenton Ahmedi në Ez-Zuhd, f.77, por nuk gjindet në veprën tjetër të tij El-Musned.Poashtu, e transmenton edhe Bejhekiju në Ez-Zuhd, nr.206.

8. Hadithin e transmenton Bejhekiju në Ez-Zuhd prej hadithit të Kethir ibn Abdullah ibn Aufit prej babait prej gjyshit të tij, por ky është shumë i dobët, nr.207, poashtu e transmenton Tirmidhiju nr.2632 dhe thotë:Hadithi është i mirë-hasen, kurse në disa ekzemplar tjerë qëndron:hasenun sahih-i mirë i saktë.Shtesën:”Lum për të huajt, të cilët e riparojnë atë që e kanë prishur njerëzit pas meje prej sunetit tim” ia kanë zënë për të madhe kritikët.Ndoshta ai këtë e ka konsideruar të mirë apo të saktë për dëshmitë.

9. Hadithi me këtë formulim gjindet te Ibn Maxhe nr.3986.Autori i veprës Ez-Zevaid e dobëson për shkak Ibn Luhaj’as.Hadithin e transmenton Hakimi me sened tjetër dhe thotë:Hadithi është i saktë, dhe nuk ka të metë nga Zejd ibn Eslemi, vëll.I, f.4.Shih librin tonë:El-Munteka min et-tergibi ve et-terhib, hadithi nr.19.Poashtu e transmenton Bejhekiju në veprën Ez-Zuhd me sened tjetër prej Ibn Omerit, nr.197.

10. Kaptina El-En’am, 116.

11. Në tekstin e Tirmidhijut qëndron:Pastaj e ngriti dorën, dhe tha:I shpejtohet vdekja…

12. Hadithin e transmenton Tirmidhiju në Ez-Zuhd nr.2348 përmes rrugës së Abdullah ibn Zehar, ky prej Ali ibn Jezidit e ky prej El-Kasimit.Ky sened është i dobët, edhe pse Tirmidhiju e konsideron të mirë-hasen.Poashtu e transmenton edhe Ibn Maxhe me sened tjetër, nr.4117, por edhe në të ka dy transmentues të dobët, sikur që thuhet në Ez-Zevaid.

13. Hadithin e përmend Hejthemiju në Mexhmeu’-z-zevaid, vëll.X, f.264, dhe thotë:Hadithin e transmenton Taberaniju në El-Muëxhemu-l-euset, e në të gjindet Abdullah ibn Musa Et-Temimi i cili është konsideruar i besueshëm, ndërkaq transmentuesit tjerë janë të koleksioneve të sakta me përjashtim të Xhabir ibn Herem, të cilin edhe pse është i dobët, e ka konsideruar të besueshëm Ibn Hibbani.Transmentim të ngjashëm përcjell edhe prej hadithit të Ibn Mes’udit, ndërkaq isnadi i tij është më i mirë dhe në koleksionin e saktë të Muslimit prej hadithit të Ebu Hurejres:”Ndoshta një me folkë të shpupuritura i lënë te dera, sikur të betohej, do ta plotësonte betimin”, hadithi nr.2622.

14. Hadithin e transmenton Ibn Maxhe, nr.4115, në të gjindet Suvejd ibn Abdu-l-Aziz, disa e kanë konsideruar të dobët, kurse disa e kanë konsideruar të mirë-hasen për shkak dëshmive.Shih:Fejdu-l-Kadir, hadithi nr.2852.

15. Kjo e forcon thënien e Ibn Abdu-l-Berrit se vlerësimi i kohës së sahabeve është kolektiv, e jo i çdo individi, duke përjashtuar të parët e hershëm prej muhaxhirëve dhe ensarëve, pjesmarrësve në luftën e Bedrit dhe Uhudit, pjesmarsit në besëlidhjen te pema dhe ata sahab që kanë vlera të veçanta.Kjo e hap derën e shpresës për brezat e ardhshëm duke u mbështetur në hadithin e Tirmidhijut:”Shembulli i umetit tim është si shembulli i shiut, nuk dihet shiu i fillimit apo mbarimit është më i dobishëm”.

16. Kaptina El-Maide, 105.

17. Hadithin e transmenton Ebu Davudi në Sunen, kapitulli:El-Melahim, nr.4341, Tirmidhiju në Sunen, kapitulli:Et-Tefsir, nr.3060, dhe thotë:Hadithi është i mirë i panjohur-hasenun garib, dhe Ibn Maxhe në Sunen, kapitulli:El-Fiten, nr.4014.

18. Në kohën tonë ballafaqohemi edhe me një faktorë tjetër që e shton të qenit e besimtarit që thirr në rrugën e Allahut dhe rrugën e të dërguarit të Allahut, i huaj.Fjala është për dhunën e pushteteve aktuale, të cilët besimtarët e këtillë i përndjekin dhe përdorin çdo gjë që munden për përdhunimin, mundimin dhe persekutimin e tyre, bile dhuna arrinë deri në atë që policia t’i vret të tillët publikisht nëpër rrugë apo shtëpi, apo fshehtazi nëpër burgje nën kërbaç, në mungesë të ligjit.Kësaj i shtohen edhe kurthat e forcave antiislame të cilat janë të shumta dhe posedojnë potenciale të mëdha

19. Ibn Kajjim, Medarixhu es-salikin sherh Menazilu es-sairin, vëll.I, f.194-200.Botues:Es-Sune el-muhammedijje.

20.Kaptina Et-Tevbe, 33.

21. Kaptina El-Fet’h, 28.

22. Kaptina Es-Saff, 8.

23. Kaptina Et-Tevbe, 32.

24. Kaptina El-Enfal, 36.

25. Hadithin e transmenton Muslimi, nr.2889, Ebu Davudi, nr.4252, Tirmidhiju, nr.2203 dhe thotë se është i saktë, Ibn Maxhe, nr.3952 dhe Ahmedi, vëll.V, f.278,284.

26. Hadithin e përmend Hejthemiju në veprën Mevaridu edh-dham’an ila zevaidi Ibn Hibbani,1631,1632.

27. Kjo flet se sa i ka kushtuar kujdes asaj që ka shkruar nga i dërguari i Allahut ﷺ dhe ai nuk ka qenë i vetëm që ka shkruar, si që kuptohet prej fjalëve të tij:Derisa ishim rreth të dërguarit të Allahut, dhe shkruanim.Ky pohim e konfirmon të vërtetën e njohur për studiuesit se shkrimi i haditheve të Pejgamberit ﷺ filloi që në kohën e vetë Pejgamberit ﷺ

28. Hadithin e transmenton Ahmedi me këtë formulim, nr.6645.Shakiri thotë:Isnadi i tij është i saktë.Hejthemiju në Mexhme’u-z-zevaid, vëll.VI, f.219, thotë:Hadithin e transmenton Ahmedi, dhe transmentuesit e tij janë të koleksioneve të sakta me përjashtim të Ebu Kabilit, i cili është i besueshëm, poashtu e transmenton Darimiju, nr.493, Ibn Ebu Shejbe dhe Hakimi, vëll.III, f.422, v;ll.IV, f.508.Me këtë pëlqen edhe Dhehebiju.Hadithin e përmend edhe Albani në Silsiletu-l-ehadith es-sahiha, nr.4.

29. Hadithin e transmenton Ahmedi në musnedin e Nu’man ibn Beshiriti, vëll.IV, f.273 përmes rrugës së Tajalesit, poashtu e përmend edhe Hejthemiju në Mexhmë, vëll.V, f.188-189, dhe thotë:Hadithin e transmenton Ahmedi dhe Bezzari ma të plotë se ky, poashtu disa pjesë të tij i përmend edhe Taberaniju në Muëxhemu-l-euset, dhe transmentuesit e tij janë të besueshëm.Në librin Minhatu-l-ma’bud është me numër 2593, në veprën Keshfu-l-estar an zevaidi-l-Bezzar, nr.1588.Hadithin e konsideron të saktë Irakiju në veprën “Mehaxhxhetu-l-kireb ila mehabbeti-l-areb.Hadithin e përmend Albani në Silsiletu-l-ehadith es-sahiha, nr.5.

30. Kaptina El-Bekare, 269.

31. Kaptina Er-Rum, 4-5.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit