-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Islami dhe harmonia fetare në Shqipëri

Më të lexuarat

Edvin Cami

“Sulltani Çlirimtar” – shpirti i tij u prehtë në paqe – për herë të parë e kishte nënshtruar me një goditje të vetme dhe, siç u tregua, kishte asgjësuar armikun, duke e përforcuar pushtimin me një fortesë të fuqishme.

Tani, arsyeja për një fushatë të dytë në Shqipëri ishte se raca shqiptare është krijuar që në natyrën e saj të zhvillohen mosbindje e ngulmim, rebelim e kryelartësi. Dhe ajo çka është në natyrë, nuk zhduket në të papriturat e jetës! Ata derra ishin bindur të nënshtruar zinxhirit, vetëm prej tmerrit të kordhës gjakderdhëse të Sundimtarit.

Skënderbe Tradhtari që në fëmijërinë e hershme ishte ushqyer me pluhurin e Fronit, por më pas kishte pëlqyer rebelimin. Kështu, kishte hedhur në qafë rrobën e apostazisë, që është më e keqja e veshjeve, për t’u bërë komandant i një bande të pafesh mëkatarë. (…)

Ushtria u përplas mbi krahinën e Shqipërisë si vërshimi i një armate të stërmadhe. Një vërshim që mbuloi si përmbytje e gjithësishme majat e maleve, lëndinat, luginat e hapësirat me pluhur dhe e fundosi krejt atë vend plot me të ligj. (…)

Vranë aq shumë, saqë s’mund të numëroheshin. I zunë robër djemtë e tyre, vajzat dhe gratë e tyre.“

Ky është një citim prej veprës „Tarih’i-Ebü-l-Feth“ – Historia e Atit të Çlirimit – dhe hartuesi saj është Tursun Beu, kronikani i Sulltan Mehmetit II. Islamizimi i Shqipërisë konceptohet më së shumti nën dritën e përshkrimeve të tilla dhe shpesh Islami në Shqipëri cilësohet si fe e pushtuesit, apo si një fe e imponuar dhunshëm prej pushtuesit.

Gjithsesi, çështja nuk është kaq e thjeshtë. Fushata ushtarake e përshkruar më sipër i përket vitit 1467 dhe ngjarja ka të bëjë me reagimin e Perandorisë Osmane ndaj kryengritjes së Skënderbeut. Ndërsa gjurmët e Islamit në Shqipëri gjenden më herët në shekullin XIV, kur misionarë myslimanë nga bota islame arabo-turke vizituan trojet shqiptare. Udhëtari i famshëm Evlija Çelebija bën të ditur se xhamia e parë në Shqipëri është ndërtuar në fund të viteve 1300 në kalanë e Beratit. Për arsye të mosmarrëveshjeve dhe të konflikteve të vazhdueshme që karakterizonin marrëdhëniet e fisnikëve vendës me njëri-tjetrin, këta të fundit ftuan si ndërmjetës autoritetin osman dhe xhamia në kalanë e Beratit u ndërtua për nevojat e ushtarëve të garnizonit osman që erdhi për këtë qëllim. Më vonë, këta ushtarë u kthyen në një faktor të rëndësishëm në zonë dhe gjithnjë e më shumë fisnikë e pronarë vendës tokash u shprehën të gatshëm për të njohur autoritetin e tyre. Zgjedhja e mëvonshme e shumë prej këtyre fisnikëve për të pranuar Islamin luajti natyrisht një rol thelbësor në islamizimin e popullsisë shqiptare në tërësi. Gjithsesi, shqiptarët në trojet e tyre kanë pasur gjithnjë një administratë gjysmë autonome dhe siç shkruan Tomas Arnold në “The preaching of Islam”, Perandoria Osmane qeveriste në Shqipëri vetëm përmes administratorëve vendës.

500 vitet e administrimit osman në hapësirën gjeografike të kombit shqiptar nuk janë karakterizuar vetëm nga shtypje kryengritjesh e rebelimesh si ata të përshkruar më sipër, por edhe nga një shkëmbim i ndërsjellë politik, ekonomik e kulturor. Sikurse shkruan Hasan Kaleshi, shqiptarët i kanë dhënë Perandorisë Osmane “krahas 42 kryevezirëve, një numër të madh allajbejlerësh, bejlerbejlerësh, sanxhakbejlerësh dhe personalitete të tjera domethënëse politike dhe shoqërore, poetë e arkitektë që ndikuan në gjithë kulturën islamo-turke, rektorin e parë të Universitetit të Stambollit, shkencëtarin enciklopedik që hartoi veprën “Kamus’ı-Türkî”, poetin që shkroi himnin kombëtar të Turqisë dhe personalitete të tjera të njohura.”

Dhe pjesë e këtij shkëmbimi nuk ishin vetëm shqiptarët myslimanë, por edhe ata të krishterë. Pavarësisht këndvështrimeve e prejardhjeve të ndryshme fetare, myslimanët dhe të krishterët në trojet shqiptare kanë zhvilluar një traditë shumë pozitive të bashkëjetesës, të tolerancës dhe të harmonisë. Nën Perandorinë Osmane, ata kanë kontribuuar së bashku në zhvillimet politike, ekonomike e shoqërore dhe kanë bashkëjetuar si fqinjë të mirë. Ndërsa në shekullin e fundit të sundimit osman, kur u bë e qartë se koha e perandorive të mëdha po kalonte dhe shtetet kombëtare po shiheshin të ktheheshin përfundimisht në formën e re të organizimit shoqëror, shqiptarët myslimanë e të krishterë zhvilluan së bashku vetëdijen për një komb shqiptar dhe u angazhuan për këtë politikisht, intelektualisht dhe ushtarakisht.

Me të njëjtën harmoni, shqiptarët me prejardhje të krishterë e myslimane dhanë ndihmesën e tyre të përbashkët në qeverisjen dhe në administrimin e shtetit të pavarur shqiptar pas vitit 1912 dhe kjo traditë u ruajt deri në vitin 1944, kur komunistët erdhën dhunshëm në pushtet, vunë nën trysni të gjitha botëkuptimet fetare e shpirtërore dhe u përpoqën t’i zhduknin ato. Në vitin 1967, Shqipëria u shpall në kushtetutën e atëhershme si një vend ateist dhe çdo fe e veprimtari fetare u ndalua rreptësisht. Klerikët u përndoqën ashpërsisht dhe në rastet që nuk u ekzekutuan, vdiqën në burgje në kushtet e një trajtimi çnjerëzor.

Në këto rrethana, feja u dobësua, por nuk u zhduk dhe pas vitit 1989, me rënien e regjimit komunist, u rigjallërua. Në ditët e sotme, në kushtet e një shoqërie të lirë dhe demokratike, qytetarët e besimeve e të prejardhjeve të ndryshme fetare, edhe në kuadrin e organizimeve të tyre në bashkësitë përkatëse fetare, vijojnë të bashkëjetojnë në harmoni. Ata respektojnë njëri-tjetrin, shkëmbejnë vizita në rastet e festave të ndërsjella, ndërsa martesat e përziera nuk përbëjnë asnjë dukuri të papritur për shoqërinë.

Në studime të caktuara, që citohen shpesh në kuadrin e një retorike herë drejtpërdrejt e herë tërthorazi apologjetike ndaj regjimit komunist dhe ndaj qëndrimit të tij kundër fesë, vërehen përpjekje për ta lidhur traditën e tolerancës fetare në shoqërinë shqiptare me një traditë të supozuar të afetarisë mes shqiptarëve. Mirëpo në të vërtetë, një traditë e tillë afetarie nuk është e argumentuar. Pazari i Vjetër i Tiranës, që sot nuk ekziston më, është një shembull i kundërt për një mëtim të tillë. Vetëm në hapësirën e vogël rreth këtij pazari, në shekullin XIX gjendeshin së paku katër xhami të dukshme dhe një kishë katedrale. Nëse një numër i tillë faltoresh, të ndërtuara me nismën e banorëve dhe të tregtarëve vendës, nuk do të ishte i konceptueshëm nëse do të pohohej se njerëzit përreth ishin më së shumti afetarë. Një situatë e tillë dëshmohet thuajse në të gjitha qytetet dhe krahinat kryesore të vendit.

Përkundrazi, harmonia fetare në Shqipëri cenohet vetëm nga qëndrimet afetare dhe ateiste që vijnë më së shumti si atavizëm i të shkuarës komuniste të vendit. Pas ndalimit të fesë në vitin 1967, shprehje të kësaj mendësie kanë mbijetuar në deklarimet për “domosdoshmërinë” e ndalimit të mbajtjes së shamisë së kokës apo të kryqit në institucione publike, si dhe në pengimin e deritanishëm të ndërtimit të një xhamie pranë qendrës së kryeqytetit, Tiranës, ku mijëra besimtarë në ditë festash janë të detyruar të kryejnë ritet e tyre në rrugë. Sidoqoftë, kundër këtyre deklarimeve dhe kufizimeve, bashkësitë fetare kanë reaguar shpesh së bashku dhe me qëndrime të njësuara.

Në përfundim, mund të thuhet rilindja dhe forcimi i fesë në Shqipëri sjellin forcimin dhe jo dobësimin e harmonisë ndërfetare, ndërsa pyetjes nëse shqiptarët i përkasin kulturalisht Perëndimit apo Lindjes, ndryshe nga propaganda komuniste, që e përkufizonte Shqipërinë si “as Lindje dhe as Perëndim”, unë pëlqej t’i përgjigjem me vështrimin se Shqipëria u përket me dëshirë të dyja botëve dhe qytetërimeve, me të cilat ajo bashkëjeton dhe shkëmben, ndoshta në një sendërtim interesant të atij ideali që poeti i madh gjerman, Gëte, në veprën e tij “Divani lindor-perëndimor”, e shpreh në këtë mënyrë:

Ndërmjet dy botëve përmes mendimit
Të kalamendem pranoj me dëshirë;
E pra, mes Lindjes dhe Perëndimit
Paprerë të lëvizësh qenka më mirë!

 

(Autori është lektor i gjuhës gjermane dhe i pedagogjisë në Universitetin „Aleksandër Moisiu“ të Durrësit, si dhe doktorues në letërsisë së re gjermane pranë Universitetit „Ludvig Maksimilian“ të Mynihut.)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit