9.6 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

ISLAM APO NEO-OTOMANIZËM?-  Sokol Ademi

Më të lexuarat

     Fryma nacionale tek shqiptarët, e cila trashëgoi karakterin konservator, u dallua nga kombet e tjera fqinje në procesin e lindjes dhe strukturimit të saj falë ekzistencës së një hallke me rëndësi jetike për shoqërinë shqiptare dhe kjo ishte bashkëjetesa fetare. Një domosdoshmëri sociale e zyrtarizuar në kodet kanunore, në legjislacionin e shtetit të parë shqiptar dhe e shembur nga injoranca ateisto-komuniste për t’u ringritur me shpejtësi gjatë pluralizmit, sot rrezikon të zhbëhet edhe një herë, me anë të një paturpësie idioteske për të nisur një kalvar tjetër vuajtjesh dhe përçmimi.

     Minimi i kësaj vlere kombëtare në një kohë kur bashkimi i forcave intelektuale dhe unifikimi rreth idealit sublim që formëson rrugën e integritetit socio-moral të gjeneratave të ardhshme ndihet më shumë se kurrë, i konsiston pretencës së ngritur dekadave të fundit nga një masë dividente “atdhetarësh të vetëshpallur”, sipas së cilës procesi i ringjalljes së ndjenjës kombëtare mund të cënohet nga përpjekjet për forcimin e elementit fetar. Patjetër që akuzat e tyre nuk shfaqin një plan të gjerë të situatës, por përqendrohen në pikëpamjet e njëanshme të një ofensive agresive që ka si objektiv fenë islame duke u mbështetur në deformimet e qëllimshme historike të periudhës komuniste dhe domosdoshmërinë e “pastrimit të kombit shqiptar nga mbetjet e feudalizmit mesjetar”. Këto insinuata të krijuara në kushtet e luftës ideologjike globale anti-islame dhe vasalitetit të politikës shqiptare hedhin themelet e fenomenit islamofobik në një vend të shquar për bashkëjetesën fetare siç është Shqipëria. Lufta deklarative e këtyre “përparimtarëve europianistë” ka fituar terren veprimi në botën e internetit dhe atë televizive në sajë të principit demokratik të lirisë së shprehjes, i cili nuk parashikon rastet e kufizimit të nevojshëm të kësaj të drejte në aspektin juridik. Përpjekjet e tyre të gjithanshme për të shkëputur Islamin nga realiteti historik shqiptar, që mbulohen nga ndjenja patriotike e shprehur në rreshtat e shkruar apo në daljet mediatike, shprehin një lloj irritimi logjikisht të pashpjegueshëm me pjesën dërrmuese të popullatës shqiptare në shtrirjen ekzsitenciale të saj, e njëkohësisht i japin shtysë thellimit të përçarjes kombëtare duke mbjellë brenda shoqërisë sonë dukurinë e islamofobisë, e cila është në të vërtetë një nga burimet e antishqiptarizmit. Frytet e punës së mbrapshtë të intelektualëve të kohës shfaqen më së shumti në rrjetet sociale, ku me anë të anonimitetit virtual, islamofobët, “patriotë” ose jo, derdhin lumenjtë e fyerjeve dhe urrejtjes që kanë ndaj këtij besimi e rrjedhimisht ndaj shumicës së popullit shqiptar. Ky konflikt vëllavrasës që çuditërisht etiketohet si “prirje e shqiptarëve drejt europianizimit të tyre” bën që Shqipëria të renditet ndër vendet e para europiane për gjuhën e urrejtjes në internet. Haptazi, një poshtërsi e regresit shoqëror shqiptar me autor vetë shqiptarët. Në këto kushte, çfarë do të ndodhë me harmoninë tonë fetare?

 

Islami në Shqipëri

     Kur flasim për myslimanizmin shqiptar duhet të qartësojmë mbi baza kronologjike ardhjen e kësaj feje të re në Ballkan për të vazhduar më pas me mënyrat e zgjerimit të saj në territoret shqiptare, fakte historike këto të cilat lihen qëllimisht në harresë për shkak se përbëjnë kulmin e antipropagandës që rrëzon tezat e ngritura nga armiqtë e historisë. Islami lindi në gadishullin arabik në shek.VII dhe u përhap me shpejtësi në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në një kohë kur turqit së bashku me të ashtuquajturin “otomanizëm” nuk ishin shfaqur ende në histori dhe rrjedhimisht kjo fe, ashtu sikurse nuk mund të ketë kurrfarë lidhjeje me kulturën e arabëve beduinë, nuk shfaq asnjë ngjashmëri me traditat dhe zakonet e popullit turk. Këtë duhet ta fiksojnë mirë patriotët tanë! Në periudhën midis viteve 800-1500 perandoria e madhe islame e quajtur ndryshe “kalifat” kishte nën sundim ishullin e Qipros, Siçilinë dhe gadishullin Iberik ku lulëzoi për katër shekuj qytetërimi i famshëm andaluzian (Spanja muslimane), i cili hapi një epokë të iluminuar për mbarë Europën. Gjatë kësaj kohe, tregtarët arabë intensifikuan lidhjet tregtare me qytetet bregdetare të Adriatikut ku ranë në kontakt me popullsinë arbërore. Historiani dhe gjeografi i shquar musliman Muhamed El-Idrisi në veprën e tij “The book of pleasant journeys into faraway lands” ka përshkruar brigjet e Arbrit ku ndër të tjera vë në dukje bujqësinë e zhvilluar. Tregtarët arabë, karvanët e të cilëve udhëtonin përgjatë rrugës Egnatia, krahas tregtisë janë marrë edhe me shpërndarjen e librave të fesë islame në bazë të dispozitës religjioze për të ftuar në besim, gjë që ka ndikuar në afrimin e popullatës me myslimanizmin. Ky afrimitet dha rezultat në vitin 1286 kur u ngrit për herë të parë xhamia e Tabanovcit, midis Kumanovës dhe Preshevës dhe njëkohësisht xhamia më e vjetër në gadishullin e Ballkanit; xhamia e fshatit Mlikë të Dragashit (Prizren) e ndërtuar në vitin 1289; xhamia e kuqe në Berat e ndërtuar në vitin 1389, që tregon se Islami u pranua me dëshirën e popullatës vendase dhe objektet përkatëse të kultit u ndërtuan pikërisht në treva shqipfolëse, në një kohë kur Osmani jetonte ende shkrepave të Anadollit…

     Në enciklopedinë bullgare dëshmohet se në vitet 815-1018 mbretëria sllavo-bullgare sundonte viset perëndimore ballkanike, rrjedhimisht edhe Arbërinë e kohës. Pas zyrtarizimit të krishtërimit, bullgarët morën iniciativën për kristianizimin e plotë të territoreve që sundonin dhe midis të tjerave dogjën një numër të madh librash islame të cilat i gjetën në zonat e Iliridës, të cilat kanë qenë të populluara nga arbër autoktonë. Vlen të theksohet se përpara ardhjes së osmanëve në Ballkan, një rol kryesor në përhapjen e Islamit kanë luajtur misionet sektare bektashiane dhe sufite. Një pjesë e konsiderueshme e popullit arbëror të kohës ndoqi sektin bektashian, gjë që “hedh në erë” tezat e stisura plot njolla urrejtjeje mbi historinë tonë.

     Faktet e mësipërme tregojnë qartaz se në një nga periudhat më të turbullta të historisë kur Ballkani nuk ishte vendosur ende nën një regjim politik të unifikuar dhe vuante nga përçarja shekullore e konfliktet e përgjakshme, në sajë të lidhjeve tregtare e kulturore me botën perëndimore si dhe për të shpëtuar nga dhuna greko-bizantine për të cilën do të flasim më poshtë, një pakicë e shqiptarëve të kohës pranuan konvertimin në Islam pa qenë nën trysninë e askujt. Vlen të theksohet se kjo fe e re u importua nga perëndimi, ku tashmë po lulëzonin qytetërimet e reja muslimane, një fakt i pamohueshëm nga historia por tepër i bezdisshëm për atdhetarët e kohëve moderne.

     Dyndjet osmane në territoret europiane u shënuan në një kohë kritike për botën e krishterë. Ndarja e e madhe mes dy kishave dhe luftërat midis mbretërive e principatave të rajonit favorizuan ekspansionin osman i cili u mbështet në taktikën “përça e sundo”. Pra, duke thelluar armiqësinë midis fisnikërisë rebele të Ballkanit, osmanët arritën që të uzurponin dalëngadalë të gjithë gadishullin. Me mbylljen e epokës së famshme të Skënderbeut dhe rënies së kështjellave të fundit në dyert e perëndimit, shqiptarët ishin të detyruar të pranonin pushtetin e një perandorie, e cila ngrihej mbi bazat fetare të Islamit. Në këtë pikë të historisë patriotizmi “modern” shqiptar merr zjarr dhe tund flamurin e islamofobisë, pasi justifikohet me faktin se osmanët jo vetëm që ushqenin një urrejtje të madhe për popullin shqiptar i cili pengoi aspiratën sulltanore për pushtimin e Evropës dhe krijimin e një perandorie universale, por bënë përpjekje të vazhdueshme për shfarosjen totale të kombit shqiptar me anë të islamizimit masiv të tij ose masakrave. Por, historia e vërtetë nuk mund të mbulohet nga krundet që hedhin mbi të të mallëngjyerit për enverizmin. Është e vërtetë se shteti osman, në formën e një regjimi autarkik, krahas krimeve mbi armiqtë ideologjikë e ata politikë, përdori fenë për t’i hapur udhë zgjerimit të kufinjve të tij, por është një e vërtetë e pamohueshme historike se osmanët ndoqën politika elastike me të gjithë popujt që kishin nën sundim, pa synuar asimilimin e tyre apo spastrimin etnik të viseve të caktuara. Me pushtimin e Kostandinopojës dhe shpalljen e saj si kryeqytet të Perandorisë Osmane në vitin 1453, Sulltan Mehmet Fatihu nënshkroi dekretin perandorak me anë të së cilit garantohej autoriteti i Patriarkanës Ekumenike mbi shtetasit ortodoksë të perandorisë, liria e ushtrimit të fesë dhe mosprekja e pronave të të krishterëve dhe të kishës. Kjo i shërbente shtetit osman si një mënyrë kompromisi midis tij dhe masave kristiane, e cila së bashku me argumentet e mësipërme ndikoi në jetëgjatësinë e perandorisë. Duke njohur karakterin e ashpër të popujve të Ballkanit e midis tyre edhe të shqiptarëve, sunduesit osmanë njohën në mënyrë indirekte një lloj gjysmë-autonomie të Ballkanit ose “Rumelisë”, pa harruar forcimin e marrëdhënieve me ato zona që hynin në interesin ekonomik osman. Konkretisht, rruga Egnatia e cila lidhte detin Adriatik me Stambollin duhej siguruar me popullsi muslimane për të garantuar vazhdimësinë e monopolit tregtar osman si dhe të republikave tregtare perëndimore, ndaj në Shqipërinë e Mesme ku kalonte kjo rrugë e rëndësishme hasen konvertimet e para në masë të kryefamiljarëve të cilët gëzonin poste në hierarkinë shtetërore. Në veprën “Sejahatname” të gjeografit osman Evlija Çelebiu theksohet bashkëjetesa fetare në shumë familje shqiptare, ku babai me djemtë ishin muslimanë, kurse nëna me vajzat ishin të krishtera.

     Për sa u përket shqiptarëve brenda shtetit perandorak duhet thënë se populli ynë arriti të integrohej në shoqërinë osmane duke dhënë një kontribut të shquar për zhvillimin e saj. 39 kryeministrat shqiptarë në Portën e Lartë, si Gedik Ahmet Pasha nga Vlora në ekipin drejtues të Sulltan Mehmet Fatihut, Ibrahim Pashë Pargaliu nga Çamëria së bashku me Ajaz Mehmet Pashën nga Vunoi i Himarës, të konsideruar si njerëzit më besnikë të Sulejman Ligjvënësit, Ahmet Pashë Dukagjini nga dera princërore e Dukagjinëve, sundimtar i vilajetit të Sirisë, Mehmet Pashë Qyprilliu nga Berati që inicioi reformat politike dhe zhvillimet kulturore gjatë sundimit të Sulltan Mehmedit IV; 6 sulltaneshat shqiptare, një pjesë e të cilave influencoi për shumë vite politikën e brendshme osmane; arkitektët e shquar shqiptarë si Sinani apo Mehmet efendiu që skicoi xhaminë blu; dijetarët shqiptarë si Hasan Tahsini nga Konispoli, rektori i parë i universitetit të Stambollit dhe Sami Frashëri, mendimtari dhe autori i enciklopedisë së madhe osmane “Kamus’ul-A’lam”, janë disa nga shqiptarët që lanë gjurmë të pashlyera në të shkuarën osmane, por historiografia jonë, që nga periudha e komunizmit e më tej ka vënë më së shumti në dukje çështjen e armiqësisë midis nesh dhe Portës së Lartë, duke lënë qëllimisht jashtë fokusit figurën e vërtetë të popullit shqiptar brenda perandorisë.

     Të gjithë historianët janë të mendimit se konvertimi i shqiptarëve në Islam ka qenë një proces i ngadaltë por i vazhdueshëm. Ndër arsyet kryesore të myslimanizimit të kombit tonë duhet pohuar se asnjëherë në histori nuk ka patur një kishë të pavarur shqiptare, ndryshe nga pjesa dërrmuese e popujve europianë të cilët gëzonin kishat e veta përkatëse, që tregon se arbërorët i kanë kushtuar më shumë rëndësi elementit kombëtar se sa vetëdijes fetare, madje edhe vetë struktura jonë shoqërore, origjinaliteti i së cilës është ruajtur me fanatizëm përgjatë shekujve është ngritur mbi karakteristikat etnike pa u penguar nga ekzistenca e dy feve. Zbehja e krishtërimit dhe ndikimit kishtar mbi popujt për shkak të abuzimeve të klerit (kujtojmë konfliktin midis Martin Luterit dhe kishës katolike), përpjekjet e vazhdueshme të kishës greko-bizantine të startuara në vitin 1453 për helenizimin e popujve ortodoksë brenda shtetit osman dhe urrejtja historike e shqiptarëve për pushtuesin lindor bizantin (paqja e vitit 1299 e nënshkruar midis Bizantit dhe Uroshit II Milutin ku u skicua kufiri mbi vijën Durrës-Ohër për ndarjen e viseve ilirike mbeti e pandryshuar edhe në traktativat e kriminelit Stefan Dushani gjatë periudhës 1334-1336; konvertimi me dhunë i shqiptarëve katolikë në ortodoksë së bashku me kthimin e menjëhershëm të shqiptarëve ortodoksë në katolikë si kundërpërgjigje ndaj dhunës sllave, më së shumti në veri) që vërtetohet në lidhjen e tyre të fortë kulturore e fetare me perëndimin e më pas me Islamin dhe fakti se kjo fe e re, e cila në kuadrin shtetëror nuk nxiti zhdukjen e gjuhës shqipe, nuk preku kodet e lashta zakonore dhe u kthye në një pengesë për asimilimin e kombit tonë nga politikat e mëvonshme të shteteve shoviniste apo të kishave serbe e greke ishin arsyet e vërteta të islamizimit masiv të shqiptarëve. Patjetër që islamofobët i mëshojnë fort legjendës moniste të konvertimit me dhunë, por logjikisht do të ishte e papranueshme që në zonën më të rëndësishme për politikën e jashtme të perandorisë dhe qëllimeve ekspansioniste të saj të iniciohej procesi i dhunshëm i ndërrimit të fesë çka do t’i jepte shkas Evropës së krishterë për të ndezur vatra të reja lufte midis Portës së Lartë dhe popujve të krishterë të Ballkanit, ndërkohë që njihen mjaft mirë përpjekjet intensive të Rusisë, Francës dhe Anglisë për rebelimin e shqiptarëve të krishterë pas vitit 1750, kur procesi i islamizimit masiv të shqiptarëve tashmë kishte përfunduar. Përkundër tezave të shëmtuara të atij fanatizmi modern që cënon historinë tonë të vërtetë vijnë argumentet e studiuesit të mirënjohur arvanitas Aristidh Kola, i cili në librin “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve” shprehet se: “Ndërrimi i fesë së shqiptarëve me anë të dhunës është pjellë e fantazisë dhe shpikje e murgjëve dhe nuk është aspak e hijshme që kjo të pretendohet nga historianët. Kjo është një gënjeshtër dashakeqe, sepse nuk ka ekzistuar absolutisht asnjë rast i kthimit të fesë me dhunë nga ana e turqve.” William Stearns Davis, një historian dhe autor amerikan, në veprën e tij të shkruar në vitin 1922 me titullin origjinal “A short History of the Near East, from the founding of Constantinople (330 A.D to 1922)”, në faqet 211-214 thotë: “Klerikët (bizantinë) i detyronin besnikët e tyre të ushtronin besimin në gjuhën greke dhe i terrorizonin ata që nuk u nënshtroheshin.” William Martin Leak, konsulli britanik në oborrin e Ali Pashë Tepelenës në Janinë, në librin “Udhëtime nëpër Shqipëri” thekson: “Shqiptarët bëheshin muslimanë sepse kjo fe pajtohej me natyrën e tyre dhe nuk toleronte përuljen, martirizimin, servilizmin dhe ofendimin.” Krahas konvertimit të shqiptarëve në muslimanë ku nuk duhet harruar as lehtësimi ekonomik që bëri centralizimi osman për popullsitë e krishtera, duke autorizuar kishën për çështjet financiare të bashkësive kristiane (marrëveshja e vitit 1453 mes sulltan Fatihut dhe Patriarkanës), gjë që ndikoi në pranimin e Islamit në shumë qytete dhe zona rurale, vlen të thuhet se mbi atë pjesë të kombit shqiptar i cili vazhdoi të ruante krishtërimin nuk u ushtrua kurrë presion për ndërrimin e fesë dhe kjo nuk mund të bazohet në paranojën e disa atdhetarëve tanë se “të krishterët e Shqipërisë e ruajtën fenë dhe identitetin shqiptar duke luftuar në male dhe duke refuzuar me shpatë fenë e turkut (për disa të trashë ose tradhtarë, të jesh shqiptar duhet që të jesh më parë i krishter)” apo më keq akoma “se muslimanët u shitën, u bënë turq, ndërruan kulturën arbërore me atë turkoarabe”(shumë ironike, nëse mendojmë se shqiptarët pa dallim feje jetonin sipas rregullave të kodeve kanunore dhe nuk përshtateshin me popujt turkoarabë as në veshje, as në të folur dhe as në mënyrën e jetesës). A nuk e kuptojnë këta anti-shqiptarë islamofobë se osmanët që kishin zaptuar Ballkanin, Krimenë, Kaukazet, Arabinë, Afrikën e Veriut, Mesdheun dhe Kaspikun, që kishin shkelur Hungarinë dhe Austrinë e që kishin përmbysur Romën e Re, si një superfuqi botërore do ta kishin shumë të lehtë që t’i shfarosnin masat e krishtera jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë perandorinë e tyre? Por kjo nuk ndodhi, sepse siç u theksua më lart, në politikën e brendshme osmanët nuk synuan asnjëherë asimilimin e popujve, si pasojë e dispozitave të Islamit për ruajtjen e popullsive jo-muslimane brenda kalifatit islam ose tolerancës fetare të zyrtarizuar nga feja. Ekzistenca e Patriarkanës Ekumenike si institucion me kompetenca fetare, juridike e taksative nën suzerenitetin osman e dëshmon këtë të vërtetë. Në epiqendër të “patriotizmit islamofobik” të kalorësve europianë që e dashkan Shqipërinë më shumë se Gjergj Fishta i cili ishte gati të shkrinte kryqet e katolikëve për të mbrojtur vëllezërit muslimanë shqiptarë apo Hafiz Ali Korça me sloganin e tij të famshëm “Shqipëri a vdekje”, vihet historia e disa krahinave të krishtera shqiptare të cilat fituan autonominë nga Porta e Lartë e Stambollit si Mirdita, Dibra, semtet e Matit, Himara dhe Suli. Propaganda e thekur që nxitet edhe nga një rrjet i dendur i aktivitetit të gjerë anti-kombëtar ku bëjnë pjesë figura të politikës, intelektualë, personazhe televizive apo njerëz të letrave, në humbëtirën e saj gjen dritë tek ultranacionalizmi i fqinjëve tanë, i cili lulëzon mbi principin e përçarjes midis shqiptarëve.

     Krahas të vërtetës së padiskutueshme të konvertimit paqësor të shqiptarëve në Islam ekzistojnë edhe disa fakte të tjera të dokumentuara që hedhin dritë mbi atë realitet të shqiptarëve të krishterë brenda shtetit osman, fatkeqësisht i mohuar ose i deformuar në aspektin studimor. Perandoria Osmane ngarkonte me përgjegjësi shtetërore nëpunës të cilët shërbenin tek populli nga vinin, në mënyrë që të sigurohej mbarëvajtja e politikës së brendshme. Në këtë kuadër, në Shqipërinë e periudhës osmane u rrënjos dhe u fuqizua së tepërmi borgjezia shqiptare, një nga fatalitetet historike të sundimit osman në Shqipëri. Agallarë, bejlerë e pashallarë shqiptarë, besnikë ndër breza të regjimit sulltanor, duke përfituar nga fakti se zonat ku sundonin ishin periferike dhe larg vëmendjes së pushtetit, shfrytëzonin në maksimum detyrën shtetërore dhe zaptonin padrejtësisht toka të shumta, duke skllavëruar banorët e krishterë dhe duke rënduar akoma më shumë në taksa ata muslimanë. Kjo detyroi qindra familje të krishtera shqiptare që të braktisnin vatrat e tyre dhe të arratiseshin nëpër male, ku mund t’u bënin rezistencë feudalëve osmanë me të cilët ndanin origjinën e njëjtë. Këtu morën zanafill shumë kryengritje të forta anti-osmane në krahina si Mirdita, Himara e Suli, por historia e tyre do të pësonte një ndryshim tjetër: duke iu referuar faktit se osmanët ndiqnin politika kompromisi me masat e krishtera, këtyre zonave që rrezikonin të ktheheshin në bërthama të një vargu rebelimesh të armatosura anti-osmane apo fushatash ushtarake europiane “në mbrojtje të të krishterëve të robëruar”, Porta e Lartë iu njohu një lloj pavarësie relative apo “venomet” e famshme, me anë të së cilave i përjashtonte përgjithësisht nga sistemi taksativ këto krahina, iu lejonte tregtinë, mbajtjen e armëve, flamurit dhe ruajtjen e fesë së të parëve, me kushtin e vetëm që në rast lufte të përgatisnin një numër të caktuar trupash mercenare, të cilat do të luftonin përkrah ushtrisë osmane atje ku lindte nevoja dhe më pas do të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre. Një shembull i pastër i kompromisit osman me malësorët e krishterë shqiptarë është formimi i bajraqeve të rrafshit të veriut, të cilat kanë shërbyer herë si njësi autonome ndërlidhëse midis shtetit osman dhe popullsisë shqiptare e herë si udhëheqje e kryengritjeve të armatosura. Pas dekretimit të venomeve, Porta e Lartë e Stambollit i linte këto zona nën juridiksionin e regjencës, pra nën pushtetin e nënës sulltaneshë e cila mund t’u garantonte banorëve të drejtat që kërkonin si p.sh. leje për ngritjen e shkollave të para shqipe në Mirditë në vitin 1632 (Edwin Jacques; The Albanians: An Ethnic History from Pre-Historic Times to the Present) apo shkollat shqipe në Himarë dhe fshatrat e Bregdetit në vitin 1627 (sipas Neofit Rodinit, misionarit bazilian të kohës). Edhe gjatë rasteve të kryengritjeve popullore, objektiva e çetave të këtyre viseve kanë qenë bejlerët dhe pashallarët shqiptarë të zonës me të cilët kanë pasur një armiqësi shekullore, gjithmonë brenda kuadrit “shqiptarët kundër shqiptarëve”.

     Hendeku i madh midis pushtetit osman dhe popullit shqiptar nisi në vitet 1847-1848 me reformat centralizuese të Tanzimatit, të cilat çuan në degradimin e shtetit, shfuqizimin e venomeve dhe thellimin e gjendjes së keqe ekonomike të shqiptarëve, gjë që pasoi me konfliktet e armatosura të njëpasnjëshme dhe të pandërprera deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 1912. Me pushtimin komunist të Shqipërisë, censurimi i historisë sonë konsistoi edhe në deformimin e historisë së zonave të krishtera të pavarura, të cilat u përmendën për rezistencën shekullore kundër pushtuesve aziatikë kurse sot, disa të ashtuquajtur “studiues” përpiqen ta ngrenë në piedestalin historik luftën e malësive të pavarura, por duke pasur parasysh refuzimin për ndërrimin e fesë (refuzim apo kompromis?). Kjo shfaq tendenca islamofobie të cilat nuk kanë qenë kurrë në karakterin e popullit tonë që është shquar për tolerancën dhe harmoninë fetare, ndaj nuk duhet fajësuar absolutisht asnjë besim fetar për gabimet e së kaluarës apo t’u lihet shkas veglave anti-shqiptare që të na përçajnë fetarisht duke ngritur teza të stilit bolshevik.

     Përpjekjet e muslimanëve shqiptarë për pavarësinë dhe zhvillimin e Shqipërisë kanë qenë po aq të zellshme sa ato të shqiptarëve të krishterë. Hasan Tahsini, shkencëtari shqiptar që hartoi alfabetin e veçantë të shqipes; Haxhi Ymer Prizreni e Daut Boriçi, hoxhallarët që ndihmuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit 1878; Said Najdeni, patrioti që hapi shkollën e parë shqipe në Dibër; Hafiz Ali Korça, që kontribuoi në standartizimin e alfabetit latin për gjuhën shqipe; Haxhi Zeka, imami i xhamisë së Pejës që themeloi shoqërinë patriotike “Besa” e cila synonte bashkimin e katër vilajeteve; Haxhi Vehbi Dibra, një nga firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë, kanë qenë disa nga klerikët muslimanë shqiptarë që kanë luftuar me penë e pushkë për këtë Shqipëri të cilën sot po e “nderojmë në mënyrën më të mirë” duke e goditur me gurë, duke vrarë, poshtëruar e braktisur… Ndaj na takon të marrim guximin për të thënë të vërtetën dhe për të dënuar tradhtinë e patriotëve të vetëshpallur që duan të na mbajnë pas hekurave të ideve të mykura që injektojnë.

 

Ekstremizmi i dyanshëm

     Politikat komuniste të prira nga principi marksist i të ashtuquajturit “opium fetar mbi popujt” do të rezultonin në rrënimin e feve dhe themelimin e ateizmit shqiptar, i cili do të infektonte mendësinë e brezave të ardhshëm duke vrarë vlerat humane të trashëguara nëpërmjet dy besimeve tona. Islami dhe Krishtërimi në Shqipëri pasqyronin bashkëjetesën në harmoni e cila u shkel pa mëshirë nga çizmja staliniste për të formuar “njeriun e ri”, një robot me ndjenja auto-censure, të lidhur me prangat e injorancës së imponuar që i dha fill zhdukjes së kombit shqiptar.

     Me ardhjen e demokracisë, e cila u instalua në vendin tonë me vrap e me ngut, feja duket se u ringjall, por vite më vonë do të ngrinin krye ekstremet e errta të lëvizjeve fetare që orientonin shoqërinë drejt shkatërrimit. Konkretisht, luftërat civile “në emër të Islamit” që startuan gjatë dekadës së parë të shek.XXI në Lindjen e Mesme krijuan idenë se muslimanët prireshin për trazira e gjakderdhje të egra që obligoheshin nga feja e tyre. Kjo bëri që të merreshin një sërë masash për kufizimin e ushtrimit të lirë të Islamit në vendet perëndimore, një pjesë e madhe e të cilave janë ende në fuqi. Krahas kësaj, islamofobia, mendimi se muslimanët dhe feja e tyre ishin një problem për njerëzimin dhe se Islami duhej të pengohej e të izolohej me çdo kusht, i nxitur edhe nga qarqe të ndryshme pseudo-muslimane që kryenin këto krime rrënqethëse ose nga ata që luftonin ideologjikisht kundër Islamit në mbarë botën, mbërriti edhe në Shqipëri. Njerëz të letrave, të ekranit, intelektualë e më gjerë filluan të interpretonin rrezikun që i kanosej vendit tonë nga kjo fe, historinë e gatuar në zyrat e censurës për ardhjen me dhunë të Islamit që u kuadratua brenda luftës kundër pushtuesit osman si dhe nevojën e braktisjes së këtij “besimi të prapambetur turkoarab” edhepse ky besim u përkiste pjesës dërrmuese të shqiptarëve brenda dhe jashtë kufinjve. Kauza e tyre për ta përndritur Shqipërinë me luftën kundër Islamit e cila është haptazi një ofensivë përçarëse anti-kombëtare që godet shqiptarët muslimanë në bindjen e tyre fetare dhe hyn në aktet e urrejtjes fetare të dënueshme ligjërisht, u përmblodh në daljet televizive, në diskutimet politike, në veprat e shkruara dhe së fundi, në botën virtuale. Shqipëria po kthehet në një vend ku Islamin kërkojnë ta denigrojnë me pretekstin e aspiratës europiane për zhvillimin shoqëror, por shqiptarët e vërtetë janë ata që plotësuan aspiratën njerëzore të qytetërimit duke lejuar dhe respektuar çdo fe brenda kombit të tyre dhe duke u bërë një shembull i vyer për bashkëjetesën fetare në botë. Vetëm ky fakt arrin të rrëzojë lehtësisht të gjithë katrahurën islamofobike të anti-shqiptarëve, si e vërteta e madhe që reflekton mbi ne!

     Në strategjitë politike të ekspansionit, fqinjët shovinistë kanë parashikuar ndër të tjera konfliktin fetar në Shqipëri. Gjatë shekullit të kaluar, vegël e politikave të emigracionit dhe asimilimit u bënë disa klerikë muslimanë të paguar nga autoritetet, të cilët propagandonin fort “nevojën për shpërnguljen e muslimanëve tek vëllezërit e tjerë muslimanë në Turqi”, ushtronin një formë të Islamit të ngjashëm me modelin turk dhe kërkonin nga populli mësimin e gjuhës turke në vend të shqipes. Kjo e imponoi largimin masiv të muslimanëve shqiptarë nga Jugosllavia e Greqia drejt Turqisë në periudhën 1923-1926, pa harruar dhunën e vazhdueshme jugosllave e greke mbi shqiptarët në fjalë. Pas luftës së fundit në Kosovë, axhenda e politikë së jashtme serbe ka përfshirë përdorimin e disa klerikëve muslimanë të Kosovës për të nxjerrë në pah imazhin e një “komuniteti shqiptar me qasje të fortë pro-lindore” si p.sh. përdorimi i turqishtes dhe boshnjakishtes në zona ku nuk ka asnjë banor turk apo boshnjak dhe formimi i idesë se osmanët ishin çliruesit e Shqipërisë, e cila implikon drejtpërsëdrejti disa nga klerikët për të cilët folëm më lart. Paralelisht me këtë, serbët ose veglat e tyre ne Kosovë iniciuan të ashtuquajturën “lëvizje të Deçanit për braktisjen e Islamit”, e cila u proklamua si një nismë atdhetare dhe pati bujë të madhe. Ky grupim kafshëror shpalli fillimin e fushatës sensibilizuese kundër Islamit vetëm një muaj pas sulmit terrorist në Banjskë dhe sipas hetimeve rezultoi se lëvizja financohej nga Serbia.

     Ndërkaq, pretendimet se muslimanët shqiptarë janë elemente pro-turke që kërkojnë ta lidhin Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë me regjimin e Erdoganit janë totalisht të pabaza. Politikisht ne kemi vendosur marrëdhënie me një republikë demokratike të pavarur dhe ajo është republika e Turqisë, një shtet i shkëputur nga e shkuara e tij perandorake që ka një qasje laike në politikën e jashtme me cilindo shtet që i ofron bashkëpunim e aq më tepër me Shqipërinë. Presionet kundër Greqisë për uzurpimin e jugut shqiptar në vitin 1997, bombardimi i Jugosllavisë në kuadër të luftës së Kosovës në vitin 1999 dhe njohja e pavarësisë së republikës së Kosovës në vitin 2008 janë disa nga shembujt e kontributit të Turqisë për vendin tonë që nuk lënë shkas për idiotësi të tilla islamofobike. Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s dhe një vend kandidat për në Bashkimin Evropian, vazhdon të ketë një kahje perëndimore për të gjithë sektorët e jetesës, pa u penguar nga faktori fetar.

     Vijueshmëria e propagandës anti-islame në Shqipëri përbën rrezik për bashkëjetesën tonë fetare, ndaj është i domosdoshëm përforcimi i masës ndëshkimore për urrejtjen fetare duke çrrënjosur islamofobinë, kristianofobinë dhe çdo mendësi anti-shqiptare në mesin tonë, në mënyrë që brezat e ardhshëm të trashëgojnë ato vlera të arta për të cilat luftuan e punuan rilindasit tanë. Vërtet kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë! Ky amanet rron në zemrat e shqiptarëve të ndershëm që duan bashkim e vëllazërim dhe na takon ne që të marshojmë pa frikë drejt realizimit të ëndrrës së madhe!

 Nga Sokol Ademi

22 qershor 2024

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit