-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

“Ishte e tmerrshme”, kush është ish-ambasadorja që ndjehej e kërcënuar nga Trump. Ja çfarë tregon

Më të lexuarat

Ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovitch dha dëshminë e saj para Dhomës së Përfaqësuesve. Ajo tha, se është ndjerë e kërcënuar nga presidenti Trump. Gjatë dëshmisë Trump e sulmoi atë në twitter.

Në aferën e Ukrainës u shpreh edhe ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovitch para Dhomës së Përfaqësuesve të premten. Gjatë seancës dëgjimore publike, Trump e sulmoi atë në twitter. Kudo, ku Marie Yovanovitch ka qenë, gjendja është bërë më keq, shkroi Trump. Yovanovitch u pyet gjatë seancës për këtë tweet. „Kjo është frikësuese”, tha ajo. Kryetari i komisionit hetimor, Adam Schiff akuzoi Trump për „frikësim në kohë reale”. Më parë Yovanovitch ishte shprehur nën betim, se ajo ishte ndjerë e kërcënuar nga pohimet e Trump.

“Impeachment” vazhdon

Me marrjen në pyetje të ish-ambasadores ukrainase, demokratët vazhdojnë procesin e „impeachment” – për një procedurë të mundshme për largimin nga posti të presidentit Trump. Demokratët e akuzojnë presidentin Trump për keqpërdorimin e postit për të bërë për vete qeverinë ukrainase të përzihej në fushatën zgjedhore amerikane në favor të tij. Ka dyshime, se Trump ka përdorur si mjet presioni, ndihmat ushtarake amerikane të planfikuara për Ukrainën në vlerë 400 milionë dollarë. Sipas demokratëve, Trump donte me këtë të arrinte që Ukraina të fillonte hetime, që dëmtonin rivalin e tij demokrat, Joe Biden.

Presidenti Trump i quan këto hetime „gjueti shtrigash”. Yovanovitch tha para komisionit hetimor se ndjehej si „viktimë e një fushate denigruese”, si pasojë e angazhimit të saj kundër korrupsionit në Ukrainë. Ajo bëri përgjegjëse për këtë funksionarë të lartë ukrainas, por edhe avokatin personal të Donald Trump, Rudi Giueliani. „Nuk i kuptoj arsyet motivuese të zotit Giuliani për të më sulmuar mua”, tha ajo. Ajo u shpreh se nuk janë të vërteta akuzat, se i ka thënë personelit të ambasadës apo përfaqësuesve nga Ukraina, që t’i injorojnë urdhrat e Trumpit.

“Ishte e tmerrshme”

Yovanovitch tha, se në mbrëmjen e 24 prillit, gjatë një pritjeje në ambasadë, ajo ka marrë një telefonatë nga Departamenti i Shtetit. Aty i është kërkuar, që të kthehet me avionin tjetër në Uashington. Aty i është thënë, se Trump ka humbur besimin tek ajo. „Ishte e tmerrshme ta dëgjoje këtë, nuk u tha asnjë arsye e vërtetë, pse duhej të largohesha.” Ambasadorja u pyet edhe për protokollin e bisedës telefonike me Trump dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Selenskyj më 25 korrik, që është në qendër të aferës së Ukrainës, ku Trump jep idenë e hetimeve kundër djalit të Biden, Joe Hunter. Mbi ambasadoren e larguar Trump tha: „Ajo do kalojë nëpër disa gjëra.” Yovanovitch tha se „kjo tingëlloi si kërcënim.” Lidhur më pyetjen, nëse është e ndjerë e kërcënuar, ajo tha „po jam ndjerë.”

Të premten në kohën kur filloi seanca dëgjimore me ish-ambasadoren, Shtëpia e Bardhë publikoi një protokoll tjetër bisede mes Trump dhe Selenskyjt. Aty Trump falendëron Selenskyjn për fitoren. Ndryshe nga telefonata më 25 korrik, Trump më 21 prill e inkurajon Selenskyjn për të mos filluar hetimet që e dëmtojnë Biden. Aty Trump thotë: „Nuk kam dyshim se do jeni një president fantastik.”

Të mërkurën u pyetën publikisht dy deputetë. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi e akuzoi Trump për „korrupsion”. „Korrupsioni qëndron në atë që ndihmat ushtarake ishin shpërblim që të jepet ose të mbahet rezervë një deklaratë publike për hetime false në kuadër të zgjedhjeve”, tha Pelosi para mediave. Në kushtetutën e SHBA, „korrupsioni” është një nga arsyet, që justifikojnë largimin nga posti. Procedura ka pengesa të mëdha. Demokratët duan të përmbyllin një akuzë kundër Trumpit para ndërrimit të viteve. Por kjo procedurë e largimit nga posti zhvillohet në senat, ku republikanët kanë shumicën./ DW

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit