9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Ishin njerëz

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Ishin njerëz

Kur lexon jetëshkrimin e ulemave dhe brezave të parë, konstaton një kujdes të madh në përzgjedhjen dhe ofrimin e modelit më të mirë të tyre nga ana e shkrimtarëve, saqë ndonjëherë krijon përshtypjen se ai brez ka qenë unik dhe tepër i rrallë, se shoqëria e Medines, Bagdadit, Damaskut etj… ishin shoqëri të njerëzve perfektë.
Kur lexon rreth adhurimit të tyre, dijeve, xhihadit etj… mbetesh pa fjalë nga modeli që të ofrohet, saqë ndonjëherë beson se një model i tillë nuk gjendet më në brezat e tjerë.
Shkrimi i këtyre biografive, ishte i nevojshëm për koleksionimin e jetës së këtyre kolosëve dhe modeleve largpamës. “Këta janë ata, të cilët Allahu i ka udhëzuar në rrugën e drejtë, andaj edhe ti (o Muhamed) ndiq rrugën e tyre.” (En’am, 90)
Por, unë deklaroj se imazhi i përzgjedhur që lexon për atë brez në librin e Ibnul Xheuzij “Safvetul Safve” apo “Elhilje” të Ebu Neim, si dhe “Sijer Alam Nubela” të Dhehebij, nuk ofron imazhin e jetës së përditshme të atyre njerëzve.
Ajo ofron më të mirën, më perfekten dhe më të bukurën. Në jetën e sahabëve, ne gjejmë emra të shumtë burrash e grash, të cilët edhe pse nuk transmetojnë më shumë se tre hadithe nga Profeti a.s, apo nuk thuhet për ta ndonjë vlerë e veçantë, kanë fituar titullin e sahabit. Ndonjëri prej tyre ka jetuar 70 apo 80 vite, të cilat nuk kanë qenë në të njëjtën linjë, por të mbushura me situata nga më të ndryshmet, mes zemrës dhe arsyes, forcës dhe dobësisë, besimit dhe vakjes. Ata ishin njerëz që ushqeheshin, ecnin në pazare, duronin por edhe nevrikoseshin, gëzoheshin dhe mërziteshin. Në një hadith, Profeti a.s thotë:”Çdo njeri irritohet dhe çdo irritim pasohet nga ftohja.” (Tirmidhij, Ahmed)
Kështu, shohim që brezat e parë të myslimanëve dhe ata që erdhën më vonë, ngërthenin në vetvete shumë myslimanë e besimtarë, por mos harrojmë se prej tyre kishte tregtarë, zejtarë, administratorë, bujq, aktivistë në një nga sferat e jetës… Të gjithë ata ishin njerëz. Prej tyre kishte syresh që jetën e kishin filluar si jobesimtarë, e mandej kishin përqafuar islamin, të tjerë kishin qenë të paditur dhe me kalimin e kohës mësuan, të shkujdesur pastaj i vunë gishtin mendjes duke u radhitur pastaj tek ulematë me kontribut të vyer.
Njëkohësisht, në çdo shoqëri gjejmë njerëz gabimtarë. Në Medine, gjejmë një person i cili kishte bërë me hile ushqimin që shiste dhe shohim Profetin a.s i cili i thotë:”Kush na mashtron, nuk është prej nesh.” (Muslim)
Një tjetër ngacmoi një grua në rrethinat e Medines, madje dhe e puthi. I penduar, vajti tek profeti Muhamed a.s dhe i tregoi për aktin e shëmtuar që kishte bërë. Me këtë rast, Zoti shpalli ajetin:” Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat.”
Burri, i gëzuar pyeti:”A vetëm për mua është kjo o i dërguar i Allahut?” Profeti a.s iu përgjigj:”Për ty dhe për mbarë umetin.” (Buhari dhe Muslim)
Një besimtari i kalonte gjithmonë namazi i sabahut, pasi e kishte gjumin e rëndë. Ai ia qau hallin Profetit a.s dhe i tha:”Familja jonë njihet për gjumë të rëndë, nuk na del gjumi veçse pasi të ketë lindur dielli.” Profeti a.s i tha:”Falu kur të zgjohesh.” (Ebu Daud, Ibnu Hiban)
Nuk dua të mbledh të metat e njerëzve të asaj kohe, por i sjell këto me qëllim që të kuptojmë se edhe ata, në fund të fundit, ishin njerëz që nuk dalin dot nga natyra e tyre, që ndërvepronin me të dhe nuk rebeloheshin kundër saj. Ata e perceptonin fenë si një formë pastrimi të kësaj natyre dhe jo si një formë rebelimi kundër saj. Edhe ata zemëroheshin dhe nevrikoseshin, siç ndodhi me Ebu Bekrin i cili u nevrikos me miqtë e tij. Profeti a.s i tha:”O Ebu Bekr, kam frikë se i zemërove, e nëse i ke zemëruar miqtë e tu, ke zemëruar Zotin!” Ebu Bekri vajti menjëherë dhe i pyeti:”O vëllezërit e mi, a u zemërova?” Ata i thanë:”Jo. Zoti të faltë o vëllai ynë.” (Buhari dhe Muslim)
Po, edhe ata mërziteshin dhe shqetësoheshin, siç ndodhi me Ebu Bekrin gjatë rrugës së migrimit për në Medine. Profeti a.s kur e pa të shqetësuar, i tha:”Mos u mërzit, Zoti është me ne!”
Një herë tjetër, Profeti a.s i tha mikut të tij, Ebu Bekrit:”Zoti të faltë o Ebu Bekër! A nuk lodhesh, a nuk mërzitesh, a nuk rrezikohesh nga mjerimi ndonjëherë?”
Tek këta njerëz konstatojmë dhe momente dobësie ndonjëherë, siç shohim qëndrimin e Omerit, Zoti qoftë i kënaqur me të, në Hudejbije. Ai u pendua më pas dhe tregon se për të shlyer atë qëndrim, ka bërë vepra të shumta të mira.
Ata nuk u shkëputën nga petku i njerëzores, për të qenë engjëj që riprodhohen në tokë, por bën çdo përpjekje që të jenë në nivelet më të larta të njerëzores, sigurisht pas profetëve. Edhe pse synonin nivelet më të larta, ata ndaheshin në kategori të ndryshme; prej tyre kishte njerëz që jepeshin pas kësaj bote në disa momente dhe të tjerë që jepeshin pas ahiretit në disa qëndrime, por në tërësi, tek të gjithë prevalonte ahireti ndaj dynjasë. Megjithatë, ata nuk harronin të marrin hisen e tyre nga kjo botë. Ata i sheh të ekspozuar ndaj momenteve të forcës por edhe të dobësisë, kishte prej tyre të specializuar në dije, të tjerë në adhurim, të tjerë në ftesë etj… por tek të gjithë nuhasje thelbin e besimit dhe esencën e tij. Përveç këtyre specialiteteve, ata i gjeje të angazhuar në çështjet e dynjasë, punim toke, interesa, tregti, martesa, fëmijë, shijim të kënaqësive të kësaj bote. Përbri tyre, jetonin edhe të tjerë të cilët përzienin punët e mira me gjynahe, të tjerë që shpresonin rahmetin e Zotit, të tjerë që gjynahet i kishin gozhduar por që vazhdonin të manifestojnë besnikëri ndaj islamit, e donin Zotin dhe të dërguarin e Tij.
E përveç këtyre që lartpërmendëm, shoqëria e atëhershme kishte dhe shtresën e mynafikëve, atyre që fshihnin mosbesimin dhe shfaqnin besimin falë të cilit gëzonin disa privilegje materiale. Ata i bashkonte ligësia, shfrenimi dhe cinizmi. Megjithatë, ata llogariteshin si pjesë e shoqërisë islame, si individë të saj, shisnin dhe blinin, martoheshin, riprodhoheshin, lindnin dhe vdisnin, trashëgonin dhe trashëgoheshin, merrnin pjesë në kuvende me njerëzit e tjerë, disa njerëz i shihnin me dyshim e disa të tjerë kishin pritshmëri pozitive. Kishte prej tyre që pendoheshin por edhe të tjerë që vdisnin në atë gjendje. Hudhejfe, kur lexonte ajetin:” atëherë luftoni kundër krerëve të mosbesimit…” (Teube, 12) thoshte:”Nga ata që përfshin ky ajet, nuk kanë mbetur veçse tre persona.”
Të tilla janë shoqëritë njerëzore. Por, a thua do të na bëjë fajde kjo në perceptimin e drejtë për shoqëritë tona sot dhe si mund të jenë në të ardhmen?
 
Përktheu: Elmaz Fida
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit