COX’S BAZAR (AA) – Menisa Fazil Hahman, një muslimane e Arakanit, tregon se ushtria e Mianmarit vrau bashkëshortin e saj. Ajo tregon se zgjidhjen e ka gjetur duke shkuar në Bangladesh pas humbjes edhe të fëmijëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për AA, Menisa, duke thënë se rreth një muaj më parë ushtria e Mianmarit sulmoi fshatin e saj në Mongo, thotë se ka qenë prezente kur ushtria vrau bashkëshortin e saj duke i prerë fytin.
“Bashkëshortin tim e vranë duke i prerë fytin. Isha prezente. Më pas trupin e tij e hodhën në një pus uji. Ndërsa vajzën dhe djalin tim nuk arrij ti gjej. Në Bangladesh erdha pas 3 ditësh udhëtim duke ikur përmes pyjeve”, thotë Menisa, duke treguar me lot në sy tmerrin e përjetuar.
Ndërsa motra e saj, Sovfan Nisa thotë se ka ikur pas ngjarjeve të 2012-ës duke u strehuar në Bangladesh.
Duke theksuar se nuk ka mundur të mbrohet nga zullumi i ushtarëve të Mianmarit, Nisa më pas shton: “Për këtë arsye u detyruam të ikim nga fshati jonë, por edhe në vendin ku shkuam nuk ishim të sigurta. Edhe në vendin ku u strehuam erdhën ushtarët. Ushtarët na dhunuan, përdhunuan dhe na morën çdo gjë që kishim. Ata morën të gjithë meshkujt në fshat, ndërsa ne nuk mundëm të qëndrojmë shumë përballë zullumit të tyre. Duke kaluar një lum me varka arritëm të kalojmë kufirin. Nga këtu nuk kam mundur të marr asnjë informacion për vëllezërit dhe motrat e mia.”