-0.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Ish-zyrtari i lartë i BE-së: Elitat e korruptuara të Ballkanit po përfitojnë, shpërngulja e qytetarëve do të vazhdojë

Më të lexuarat

Komesari i dikurshëm i Bashkimit Europian Chris Patten ka pasur të drejtë kur ka thënë: «Ballkani po shtiret se po reformohet, ndërsa ne po shtiremi sikur po i besojmë», thotë në intervistën për Al-Jazeera, Stefan Lehne, profesor në think tank-un Carnegie Europe, drejtor i dikurshëm për çështje politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë dhe drejtor për Ballkan, Europë Lindore dhe Azi Qendrore në Sekretariatin e Përgjithshëm të Këshillit të Bashkimit Europian.

Ish-diplomati austriak, raportuesi i dikurshëm i BE-së për Ballkanin, thekson se pjesë të mëdha të elitave të korruptuara në regjionin e Ballkanit Perëndimor përfitojnë nga status quo-ja, ndërsa edhe për një numër të madh të politikanëve europianë zgjerimi i BE-së në Ballkan nuk paraqet prioritet. Me lënien anash të regjionit dhe humbjen e perspektivës për anëtarësim, mendon ai, roli i Rusisë, Turqisë dhe Kinës në regjion pa dilemë se do të rritej dhe atë në llogari të BE-së.

Para do kohe është mbajtur Samiti BE – Ballkani Perëndimor në Sofje, në të cilin edhe njëherë është konfirmuar perspektiva europiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Liderët e BE-së dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar dokumentin me titull «Agjenda e Sofias e prioriteteve». Ndonëse interesi i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor në kohë të fundit është shtuar, fjalët e kryetarit francez Emmanuel Macron në Samitin e Sofjes janë karakterizuar si dush i ftohtë. Ai ka thënë se BE në të ardhmen e afërt nuk do të pranojë anëtare të reja dhe se kjo do të ndryshojë vetëm pasi vendet e BE-së të modernizohen. Si e interpretoni porosinë e Macronit?

Lehne: Për Macronin reforma e BE-së, e sidomos e eurozonës, është në krye të listës së prioriteteve. Ai është i dëshpëruar për shkak të reagimeve të ngadalshme e të përmbajtura të partnerëve të tij. Me theksimin e përparësive të thellimit në raport me zgjerimin ai dëshiron të shtojë presionin mbi anëtaret e BE-së të mbështesin procesin e ripërtëritjes. Përkundër të gjithave, gjatë disa viteve në vijim anëtarësimet e reja edhe ashtu nuk janë në program. «Dush i ftohtë» i vërtetë do të ishte sikur Franca të bllokonte fillimin e bisedimeve mbi anëtarësim me Maqedoninë e Shqipërinë.

A është Bashkimi Europian, sipas jush, duke pasur parasysh problemet me të cilat ballafaqohet, e të cilat Macron i ka përshkruar, i aftë në këtë moment që të shtojë angazhimin në Ballkanin Perëndimor?

Lehne: Bashkimi Europian është organizatë e madhe e komplekse, e cila do të duhej të jetë në gjendje që njëkohësisht të përcjellë objektiva të ndryshëm. Forcimi i angazhimit ka komponentë financiare, politike e administrative. Në Strategjinë e Komisionit Europian gjashtë objektivat e numëruar tregojnë se në çfarë mënyre BE mund të zhvillojë punën në Ballkan. Kapacitetet për këtë duhet të ekzistojnë.

Komesari i dikurshëm i Bashkimit Europian Chris Patten njëherë ka thënë se «Ballkani po shtiret sikur po reformohet, ndërsa ne po shtiremi sikur po i besojmë». Elitave politike në regjionin e Ballkanit Perëndimor shpesh u bëhet vërejtje se po i simulojnë integrimet europiane, ndërsa politikanëve dhe institucioneve të BE-së se po i mbështesin në këtë. Si i shihni marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe elitave politike në vendet e regjionit?

Lehne: Patten ka pasur të drejtë. Pjesë të mëdha të elitave të korruptuara përfitojnë nga status quo-ja, e cila rrezikohet nga reformat, qëllimi i të cilave është vendosja e sundimit të ligjit. Përkushtimi i tyre ndaj perspektivës europiane nuk është i sinqertë. Shoqërisë civile të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetësve të vërtetë të zgjerimit të Bashkimin Europian u mbetet që ta kalojnë këtë blof të dyfishtë dhe t’i japin perspektivës së zgjerimit besueshmëri të re.

Derisa procesi i eurointegrimeve, për të cilin shumë ekspertë thonë se është i burokratizuar, zhvillohet tepër ngadalë, njerëzit nga regjioni, sidomos të rinjtë, po ikin në masë, duke kërkuar jetë më të mirë e perspektivë për veten në vendet e zhvilluara të BE-së. Si të ndalet ky trend?

Lehne: Trendi i shpërnguljes pa dilemë se do të vazhdojë dhe nuk do të ndalojë as me zgjerimin e Bashkimit Europian (shembuj janë Rumania e Bullgaria). Reformat ekonomike, të cilat i bëjnë të mundura investimet, janë rruga më e mirë që shpërngulja të ngadalësohet. Kthimi i atyre të cilët kanë ikur në një afat të gjatë mund t’i jep ekonomisë impulse të reja. Kështu ka ndodhur në Poloni.

Vendet të cilat më së shumti po mbesin prapa kur janë në pyetje integrimet në BE janë Bosnja e Kosova. Bosnja, e ngarkuar me ndasitë e brendshme dhe strukturën komplekse shtetërore të definuar nga Daytoni, tepër ngadalë po i zbaton reformat, derisa Kosova edhe më tej është në kontest me Serbinë rreth pavarësisë. Cilat janë zgjidhjet kur janë në pyetje këto dy shtete?

Lehne: Angazhimi i shtuar i Bashkimit Europian edhe në vendet më të komplikuara në afat të gjatë mund të sjellë përparim. Parakusht për konkretizimin e perspektivës europiane për Bosnjën është reforma e thellë kushtetuese. Kosova duhet të llogarisë në atë se «marrëveshja për normalizim», të cilën e kërkon BE-ja, kërkon koncesione edhe nga ana e saj.

Ballkani gjithmonë ka qenë fushëbetejë e konfliktit të interesit të fuqive të mëdha, ndërsa në kohë të fundit ky konflikt është gjithnjë e më i dukshëm, sidomos në BeH e Serbi. Si e shihni ju praninë e Rusisë e Turqisë në Ballkan?

Lehne: Të dyja vendet për shkak të lidhjeve historike me vende të caktuara kanë ndërtuar praninë në regjion, por megjithatë në krahasim me praninë e BE-së dhe anëtareve të saj janë mbrapa. Pjesëmarrja e tregtisë dhe investimeve kur është fjala për Bashkimin Evropian është rreth 75 për qind, e Rusisë pesë për qind, ndërsa e Turqisë dukshëm më e vogël. Politika e Rusisë duket se është e orientuar drejt asaj që me sa më pak përpjekje t’i pengojë maksimalisht përpjekjet e BE-së. Kur është fjala për Turqinë, nuk është qartas evidente se interesat e saj qëndrojnë në kundërshtim me ato të Bashkimit Europian.

A mundet Bashkimi Europian i vetëm t’u rezistojë këtyre ndikimeve, cilin rol ia përshkruani ShBA-së?

Lehne: Ndikimi i vendeve të treta më së shumti do të varet nga ajo se a do ta njohë BE-ja potencialin kolosal të regjionit. Me lënien anash të regjionit dhe humbjen e perspektivës për anëtarësim roli i Rusisë, Turqisë dhe Kinës pa dilemë se do të rritej dhe atë në llogari të BE-së. ShBA-ja mbetet partner i rëndësishëm BE-së, ndonëse në epokën e (Donald) Trumpit parashikueshmëria dhe angazhimi i ShBA-së do të mund të zvogëlohet.

Çfarë prisni nga samiti londinez i Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet më 9 e 10 korrik në atë qytet. Ministrja austriake e punëve të Jashtme Karin Kneissl në një intervistë të paradokohshme për al-Jazeera ka thënë se në fokus para së gjithash do të jetë zgjidhja e kontesteve bilaterale, dhe se Strategjia e Komisionit Europian qartas ka bërë me dije se këto çështje duhet të zgjidhen para anëtarësimit eventual në Bashkimin Europian.

Lehne: Në Londër para së gjithash do të bisedohet mbi lidhshmërinë dhe bashkëpunimin në sektorin e sigurisë, ndërsa çështjet e kontesteve bilaterale mbesin temë e rëndësishme. Kërkesa e Komisionit që këto probleme të zgjidhen nga anëtarësia po has në mbështetje të fuqishme të vendeve anëtare. Shikuar realisht, për zgjidhjen e këtyre problemeve nevojitet kohë, por edhe përpjekje. Prandaj nuk duhet humbur kohë./dialogplus

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit