9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Ish-ushtarja dhe diplomatja amerikane: Më vjen turp nga SHBA-ja për mbështetjen ndaj Izraelit

Më të lexuarat

“Çdo administratë, demokrate apo republikane, mendon se është e rëndësishme të mbrohet Izraeli, pavarësisht se çfarë krimesh kryen”, tha Wright

Ish-ushtarja dhe ish-diplomatja amerikane Ann Wright tha se i vjen turp për vendin e saj, SHBA-në, për mbështetjen ndaj Izraelit, i cili ka shkaktuar tragjedi njerëzore me sulmet e tij në Gaza.

Wright, e ardhur në Istanbul për Flotilën Ndërkombëtare të Lirisë, e cila u formua me iniciativën e shumë organizatave joqeveritare nga 12 vende dhe pritet të lundrojë në Mesdhe në ditët në vijim, zhvilloi një intervistë me korrespondentin e Anadolus.

Wright, ish-ushtare dhe ish-diplomate amerikane, tregon se në vitin 2003 dha dorëheqje nga posti sepse kundërshtoi Luftën në Irak.

Ajo deklaroi se misioni i Flotilës Ndërkombëtare të Lirisë është “të thyejë bllokadën e paligjshme detare të Izraelit ndaj Gazës dhe t’i shpërndajë ushqim popullit të Gazës që po vdes nga uria për shkak të gjenocidit të shkaktuar mbi popullin e Gazës nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara”.

“Ajo që po bëjnë izraelitët është gjenocid. Ky është spastrim etnik”, tha Wright, duke shtuar:

“Më vjen turp nga SHBA-ja për rolin e saj në mbështetje të Izraelit, ndërsa Izraeli vrau më shumë se 33 mijë njerëz, plagosi më shumë se 75 mijë dhe la mijëra njerëz të vdesin nën rrënoja. SHBA-ja i siguron armë Izraelit, i jep miliarda dollarë dhe refuzon të përdorë kartat e tij për ta bërë Izraelin të ndalojë vrasjen e palestinezëve”.



– “Ndjenja 75-vjeçare e fajit po përdoret për të mbrojtur gjenocidin e kryer nga Izraeli”

Wright vuri në dukje se mbështetja e Izraelit është një pjesë tragjike e historisë diplomatike të SHBA-së.

“Çdo administratë, demokrate apo republikane, mendon se është e rëndësishme të mbrohet Izraeli, pavarësisht se çfarë krimesh kryen”, tha Wright.

“Dhe pjesa tjetër e botës po pyet: ‘Çfarë po bën Amerika?’ Pse po e bëjnë këtë? Mendoj se është një gjë psikologjike nga Lufta e Dytë Botërore, kur Shtetet e Bashkuara nuk bënë hapa të shpejtë për të shpëtuar njerëzit që po masakroheshin në Gjermani dhe Austri. Nuk i pranoi të mbijetuarit e Holokaustit. Mendoj se këtu ka një psikologji faji. Kjo ndjenjë faji 75-vjeçare tani po përdoret për të mbrojtur gjenocidin e Izraelit kundër popullit të Gazës”, vlerësoi ajo.

Duke theksuar se konfliktet në rajon do të vazhdojnë për aq kohë sa të vazhdojë okupimi i Bregut Perëndimor dhe Gazës nga Izraeli, Wright tha se kryengritja e njerëzve të shtypur është jashtëzakonisht e natyrshme dhe se veprimet e Izraelit janë kundër ligjit ndërkombëtar.

Wright shtoi se bojkotet kundër Izraelit janë veprime shumë efektive jo të dhunshme.

/AA/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit