Një ish-ushtar amerikan u njoh me Islamin dhe u bë musliman, e kjo ndodhi teksa vizitonte një Qendër Islame, të cilën ai planifikonte ta bombardonte për shkak të “urrejtjes”, transmeton AA.
Teksa kanë shpërthyer debatet mbi racizmin e bardhë dhe islamofobinë pas sulmeve terroriste në dy xhami në Zelandën e Re, ish-ushtari amerikan Richard McKinney rrëfeu përvojën e tij të rrallë.
Richard McKinney, nga një ish-ushtar që mendonte të kryente një sulm me bombë në Qendrën Islame në Indiana, ka ndarë me shtypin lokal rrugën e tij se si ai u bë kryetar i të njëjtës qendër.
McKinney kishte kryer detyra për shumë vite brenda Trupave Detare të SHBA-ve në rajone si Lindja e Mesme, Somali, Filipine, Amerikë e Jugut dhe pas kthimit në vendin e tij, bëhet e ditur se ishte shumë i mbushur me “urrejtje kundër muslimanëve”.
Ai ka shpjeguar se kishte në mendje që të shkatërronte një xhami, të vriste ose të plagoste shumë muslimanë dhe me bomba artizanale kishte projektuar që të sulmonte Qendrën Islame “Muncie”.
Duke vënë theksin se në atë kohë nuk i interesonte që do të kapej dhe burgosej, McKinney tha se një rastësi e bëri që të njihet me muslimanët. Ai kishte shkuar në Qendrën Islame në lagje, pasi vajza e tij e vogël një ditë i tregoi për veshjet e një fëmije musliman që kishte ardhur e re në klasën e tyre.
Aty, muslimanët i kanë lexuas pjesë nga Kur’ani dhe, sipas rëfimit të tij, ai u ndikua nga Islami në një kohë prej 8 javësh.
“Fillova të shpenzoj më shumë kohë çdo ditë në xhami dhe çdo gjë filloi të më bëhej më e logjikshme. Deklarova shehadetin, doja të bëhesha musliman dhe u bëra”, tha McKinney.
E tani, McKinney është kryetar i Qendrës Islame “Muncie”, ku ai dikur kishte planifikuar të kryente sulm me bombë.
“Do të bëj gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur Qendrën Islame dhe njerëzit këtu”, thotë McKinney.
Ai thekson se vazhdon të mbështesë komunitetin musliman duke korrigjuar mendimet dhe ndjenjat e gabuara për Islamin.