Si e justifikon Ashraf Ghani largimin nga vendi në gusht
Ish-presidenti afgan Ashraf Ghani u përpoq të justifikonte largimin nga vendi në mes të gushtit ndërsa talebanët iu afruan kryeqytetit Kabul, duke thënë se fluturimi ishte i paplanifikuar dhe ai e bëri këtë për të parandaluar gjakderdhjen në qytet.
“Në mëngjesin e asaj dite, nuk e kisha idenë se do të largohesha pasdite”, tha Ghani për BBC.
Këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, Hamdullah Mohib, ishte “fjalë për fjalë i tmerruar” dhe i dha atij “jo më shumë se dy minuta” për të vendosur se çfarë të bënte.
“Vetëm kur u ngritëm u bë e qartë se po largoheshim. Pra, ishte vërtet e papritur”, shtoi Ghani.
Planet e mëparshme për t’u zhvendosur në Khost ose Jalalabad u braktisën sepse atij iu tha se edhe këto qytete afgane ranë në duart e talebanëve.
Ghani u largua nga Kabuli më 15 gusht pasi luftëtarët talebanë rrethuan kryeqytetin afgan dhe kishin pushtuar tashmë të gjitha qytetet e tjera me shpejtësi rrufeje.
Zyrtarët talebanë thanë më pas se nuk kishin ndërmend të sulmonin kryeqytetin, por Ghani tha se këshilltarët kryesorë të sigurisë i kishin thënë atij se talebanët kishin thyer një premtim për të mos hyrë në Kabul.
Largimi i Ghanit e bëri të pamundur një dorëzim ligjor të pushtetit dhe i lejoi talebanët thjesht të mbushnin vakumin e sigurisë.
Shumë afganë akuzojnë Ghanin, i cili ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe, se thjesht ua ka dorëzuar talebanëve.
Por ai pretendon se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse ta bënte këtë për të shpëtuar jetë. Ghani tha se ai ishte kthyer në një “kokë turku” për krizën aktuale dhe kaosin në Afganistan.
Ai vuri në dukje se kishte gabuar që “u besonte partnerëve ndërkombëtarë” duke thënë se ai vazhdimisht ishte nën presion dhe minuar nga autoriteti i tij.
Supozimi se durimi i komunitetit ndërkombëtar do të zgjasë përgjithmonë ishte një “gabim i madh”, tha Ghani. /tesheshi.com/