2.9 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Ish-i burgosuri palestinez kujton 33 vitet e kaluara në burgjet izraelite

Më të lexuarat

Më shumë se 200 palestinezë vuajnë në burgjet izraelite për më shumë se 20 vite, kurse 25 prej tyre janë burgosur para nënshkrimit të Marrëveshjes së Oslos

Fakhri al-Barghouthi kaloi 33 vite në burgjet izraelite për rolin e tij në luftën e armatosur kundër pushtimit izraelit.

I frymëzuar nga lëvizjet për liri në të gjithë botën dhe duke besuar në mundësitë për çlirimin e Palestinës nga sundimi izraelit, ai së bashku me shumë palestinezë të tjerë iu bashkuan rezistencës para më shumë se 40 vitesh.

Palestinezi 69-vjeçar, i cili vjen nga fshati Kaubar në veri të Ramallahut, u arrestua me kushëririn e tij Nael në vitin 1978 dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Ata u liruan në vitin 2011 në një shkëmbim të burgosurish mes Hamasit dhe Izraelit. Por në vitin 2014, ushtria izraelite përsëri e arrestoi Naelin së bashku me shumë palestinezë të tjerë që u liruan në shkëmbimin e të burgosurve dhe ata janë ende në burg.

Sipas Shoqatës së të Burgosurve Palestinezë, 25 palestinezë janë duke vuajtur në burgjet izraelite që para nënshkrimit të Marrëveshjes së Oslos në vitin 1993, e cila kishte për qëllim t’i jepte fund luftimeve disa dekadëshe midis izraelitëve dhe palestinezëve, ndërsa 243 të tjerë janë burgosur për më shumë se 20 vjet.

Ndërsa bota shënon Ditën Ndërkombëtare të Nelson Mandelës të hënën për nder të presidentit të ndjerë të Afrikës së Jugut dhe aktivistit për të drejtat civile, dhe luftës së tij për liri dhe drejtësi, Anadolu Agency (AA) zhvilloi një intervistë me Al-Barghouthin.

“Liria asnjë kombit nuk i vjen falas. Nuk vjen as me slogane. Ajo vjen vetëm nëse e ndjen brenda vetes dhe mendimeve të tua dhe më pas vepron si një qenie njerëzore e lirë”, tha ai.

Al-Barghouthi tha se populli palestinez meriton të jetë i lirë dhe të ketë një shtet të pavarur, pasi ata kanë luftuar për këtë që nga Deklarata e Balfour-it, deklaratës publike të lëshuar nga qeveria britanike në vitin 1917, duke shpallur mbështetjen për “krijimin e një shteti për popullatën hebreje në Palestinë”.

“Ne meritojmë të kemi vendin tonë të pavarur, gjeografinë dhe kulturën tonë të pavarur. Që nga fillimi i pushtimit na u konfiskuan tokat dhe identiteti ynë kulturor, deti, shkretëtira dhe jeta jonë. Por ne e meritojmë t’i rifitojmë, kështu që jemi ende në një luftë të vazhdueshme”, tha ai.

Luftëtari palestinez i lirisë rikujtoi momentet e luftës së tij brenda burgjeve së bashku me shokët e tij të burgosur kundër politikave izraelite për të mbrojtur identitetin e tyre kombëtar dhe konceptet kulturore dhe për të pasur një jetë të denjë.

“Ne luftuam përmes grevave të urisë shumë herë në vitet 1980 dhe humbëm shumë nga shokët tanë të burgosur për të shpëtuar të tjerët nga vuajtjet dhe për t’u dhënë atyre dinjitetin e tyre në burgje. Ne luftuam për lirinë e njerëzve, për dinjitetin njerëzor, brenda dhe jashtë burgjeve”, rrëfen ai.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit