Irani ka njoftuar fillimin e prodhimit të një vaksine lokale kundër koronavirusit të ri (COVID-19), përderisa vaksina hyri në fazën e tretë të provave njerëzore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç raporton agjencia gjysmë-zyrtare iraniane e lajmeve “Fars”, kreu i Komitetit shkencor iranian në luftën kundër pandemisë COVID-19, Mohammad Mokhber, njoftoi se brenda një muaji Ministrisë së Shëndetësisë do t’i dorëzohen 1 milion doza të vaksinës lokale ‘COV-Iran Barekat’.
Mokhber tha se 3 deri në 3,5 milionë doza të tjera të vaksinës lokale do të prodhohen deri në muajin qershor, ndërsa deri në fund të muajit shtator parashikohet të prodhohen deri në 50 milionë doza.
Po ashtu edhe një vaksinë tjetër lokale iraniane, e quajtur ‘COV-Pars’, më 28 shkurt hyri në fazën e provave njerëzore dhe në fillim të qershorit pritet të kalojë në fazën e dytë të provave klinike me gjithsej 500 vullnetarë.
Numri i infeksioneve me COVID-19 në Iran ka arritur në pothuajse 2,38 milionë, përfshirë 69.120 vdekje. /aa