Irani ka paralajmëruar se do të nis pasurimin e uraniumit deri në 60 për qind pastërti, dy ditë pas një sulmi në qendrën kryesore bërthamore Natanz. Për këtë sulm është fajësuar Izraeli. Ky paralajmërim ka ardhur disa orë pasi një diplomat i lartë iranian ka thënë se sulmi i supozuar në Natanz ka qenë “lojë shumë e keqe”, e cila do të forcojë dorën e Teheranit në bisedimet për ringjallje të marrëveshjes bërthamore, që Irani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015. Irani ka informuar Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Atomike rreth synimeve për “nisje të pasurimit deri në 60 për qind”, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve IRNA më 13 prill. Press Tv, televizioni shtetëror iranian në gjuhën angeze, ka thënë se pasurimi do të nisë më 14 prill. Pasurimi i uraniumit deri në 60 për qind do të përbëjë shkallën më të lartë të arritur nga programi bërthamor i Iranit, ndonëse nevojitet 90 për qind pastërti për përdorim ushtarak. Sipas marrëveshjes bërthamore, Irani është zotuar për të mbajtur nivelet e pasurimit në 3.67 për qind. Së fundmi zyrtarët iranianë kanë thënë se marrëveshja bërthamore nuk është duke u zbatuar dhe kanë pasuruar uranium deri në 20 për qind. Njoftimi i Teheranit ka ardhur pasi zyrtarët iranianë kanë thënë se shpërthimi i 11 prillit ka shkaktuar ndërprerje të energjisë në Natanz, çka ka prekur edhe gjeneratën e parë të centrifugave të Iranit. Ky shtet është zotuar se do të “hakmerret” dhe do të rrisë aktivitetet bërthamore.