Intimja si pjesë e hapësirës publike
Armand Bora
Shfaqjet e shpeshta në publik të veprimeve apo sjelljeve të cilat jo shumë kohë më parë konsideroheshin si të papranueshme për hapësirën publike janë një tregues i qartë se shoqëria postmoderne po përpiqet dita-ditës jo vetëm ta zhbëjë kufirin ndarës midis publikes dhe privates së individit, por, për më tepër, po synon që ta kthejë këtë demonstrim shfrenues në një normë të zakonshme dhe pjesë të kulturës së saj. Këtë fenomen e tregon më së miri ajo që shpesh shohim në median e shkruar dhe atë elektronike. Emisione televizive, kryesisht të formatit reality show (por jo vetëm të atilla), synojnë rritjen e audiencës përmes shpalosjes së aspekteve private e intime, deri te më banalet, në një hapësirë publike siç është televizioni. E njëjta gjë ndodh me median e shkruar, revistat apo botime të tjera, ku histori të quajtura “rozë”, intervista apo foto ku mbizotëron lakuriqësia e trupit njerëzor, i gjen ngado që hedh sytë, të ekspozuara në vende publike. Kodi i veshjes, kjo trashëgimi e kulturës së shoqërive konservatore, gjendet i pafuqishëm për të përballuar shpërthimin gati dhunues të tendencave liberale të cilat kanë si qëllim vetëm tërheqjen e vëmendjes. Vetëm kjo shpjegon p.sh. kur të ndodh të shikosh përpara institucioneve qendrore të vendit një gazetare të veshur gati si me rroba banje që pretendon të bëjë punën e gazetarit apo të tjerë të cilët në një ditë zakonshme i sheh sikur janë të veshur për një festë private. Përplasja midis frymës konservatore dhe asaj liberale sa i përket stilit të veshjes nuk është një përballje estetike: e ngjyrave, e modeleve apo e linjave. Përplasja kryesore ka të bëjë me anën funksionale të veshjes. Si çdo produkt tjetër i prodhuar prej dorës së njeriut edhe veshja, përpos anës estetike, ka edhe atë funksionale. Prej momentit kur çifti i parë human mbi tokë, i shtyrë prej ndjenjës së turpit, vendosi gjethen përpara trupit të zhveshur, funksioni kryesor i veshjes u bë mbulimi, fshehja e trupit. Më vonë këtij funksioni të parë iu shtua edhe funksioni i mbrojtjes dhe i ruajtjes së trupit. Funksionet e tjera estetike apo dalluese të cilat u shtuan në kohën kur shoqëria u nda me klasa janë funksione më të vona. Duke prekur funksionin bazë të veshjes, shoqëria postmoderne e ka kthyer veshjen nga një nevojë apo domosdoshmëri për të mbuluar, fshehur apo mbrojtur trupin në një mjet për të zbuluar, treguar dhe shpërfaqur deri edhe pjesë fare intime të trupit njerëzor. Kërkesa kryesore për veshjen është që ajo të tregojë format e trupit. Edhe kur ato nuk janë në forma harmonike apo kanë defekte të ndryshme, realizohen modifikime të ndryshme të formave të trupit cilat pastaj duhet të tregohen dhe të ekspozohen përmes veshjes.
Kjo përmbysje funksionale shpjegon faktin që debati në këtë fushë nuk mund të shtrohet dhe zhvillohet si një debat estetik, por si një debat parimor. Të kërkosh sot një kod apo etikë për veshjen, sjelljen, komunikimin në publik nuk është një kërkesë që ka të bëjë me estetikën e kohës ku jetojmë, me shije të reja apo të vjetra, por është diçka që ka të bëjë me parime, koncepte dhe bindje. Kaq e fortë është bërë sot dëshira për të ekspozuar intimitetin human, sa çdo qëndrim apo veprim i kundërt shkakton një reaksion i cili shkon deri në dhunë verbale, fizike apo edhe institucionale. Situata shkon dhe bëhet deri absurde kur dëgjon se zhveshja në publik konsiderohet si një e drejtë dhe liri e individit për të zgjedhur vetë mënyrën dhe formën e shpërfaqjes së tij në publik, kurse veshjen apo mbulimin nuk e konsiderojnë brenda të drejtave dhe lirive të individit, por si diçka të imponuar, madje edhe me dhunë. Privimi dhe ndalimi për të pasur dhe ruajtur hapësirën private është në thelb të tij një veprim i dhunshëm dhe tipar i shoqërive diktatoriale dhe aspak i shoqërive të drejta. Ka qenë komike përpjekja e shoqërisë shqiptare kur, si pasojë e imitimit të zhvillimeve që solli revolucioni kulturor kinez, u bënë përpjekje për të hequr deri edhe perdet e dritareve me qëllimin që askush të mos kishte se çfarë t’i fshihte partisë dhe shoqërisë. Nga ana tjetër, nuk kanë munguar rastet ku institucione apo deri edhe shoqëri që krenohen me sakrificat dhe luftën e bërë në drejtim të arritjes së të drejtave dhe lirive të barabarta për qytetarët e saj, dhunojnë qytetarët e tyre duke u refuzuar atyre të drejtën për t’u shpërfaqur në publik sipas parimeve që burojnë prej bindjeve të tyre fetare.
Përshtatja dhe raporti që individi, si pjesë e shoqërisë, ndërton me hapësirën publike nuk është një proces i ngurtë. Trajektorja që ndjek zhvillimi i këtij procesi varet dhe është e ndikuar prej shumë faktorëve. Ndër ata më kryesorët janë faktorët socialë, kulturorë dhe ekonomikë. Gjithashtu, një faktor i rëndësishëm është edhe vetë individi si qenie jo vetëm biologjike, por edhe sociale me norma, rregulla, kod komunikimi dhe sjellje të ndërtuara jo detyrimisht konform apo në harmoni me kodin dhe etikën mbizotëruese të shoqërisë. Vetë historia e shoqërisë njerëzore ka njohur qasje dhe qëndrime nga më të ndryshmet sa i përket raportit dhe marrëdhënies që krijohet midis asaj që është intime tek individi dhe hapësirës publike.
Në pozicionet më ekstreme me njëra-tjetrën qëndrojnë, nga njëra anë, shoqëritë që kanë tentuar ngrenë një mur të lartë ndarës midis pjesës publike dhe asaj private duke përjashtuar kështu çdo mundësi dhe rrugë komunikimi midis njëra-tjetrës dhe nga ana tjetër, shoqëri si kjo e sotmja që po tenton të zhdukë çdo shenjë ndarëse midis privatësisë dhe pjesës publike. Në dallim nga njëra-tjetra, shoqëritë e qasjes së parë kanë prodhuar dhe janë udhëhequr prej normave dhe nga një moral i cili parashikonte deri edhe ndëshkime të ashpra për këdo që nuk respektonte apo dilte kundër normave të shoqërisë. Nga ana tjetër, shoqëritë moderne, përmes teorisë së relativitetit, mbollën fillimisht dyshimin dhe pastaj tronditën muret ndarëse midis koncepteve dhe kategorive të kundërta si e mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara, moralja dhe imoralja, për të shkuar deri te relativizimi i dallimit midis të lejueshmes dhe e të palejueshmes. Fare pak gjëra i kanë mbetur kësaj shoqërie që mund t’i konsiderojë si të turpshme, të pamoralshme apo të shëmtuara. Sa më shumë që i hapet udha relativizimit të normave dhe kodeve etike mbi të cilat ngrihet morali i një shoqërie, aq më shumë shtohen rastet e shfaqjes së intimes dhe banales në hapësirën publike dhe që për më tepër, në shumicën e këtyre rasteve, ajo nuk përbën asnjë interes dhe vlerë publike. Me fjalë të tjera, shoqëria e ditëve të sotme është bërë një shoqëri ku “s’ka ma turp”.
Mungesa e turpit dhe prirja për të shpalosur në publik aspekte intime banale, edhe pse në thelb duket si një veprim individual dhe i lidhur tërësisht vetëm me një person të caktuar, në momentin kur shfaqet në një hapësirë publike, ajo ndikon mbi të gjithë këtë pjesë publike. Dita-ditës shihet se si mungesa e kujdesit, shpengimi dhe lehtësia për të zbuluar në publik privatësinë e individit është kthyer në një normë të lejuar duke sjellë gradualisht modifikimin e vetë kulturës së shoqërisë. Nuk është e rastësishme që në studime të ndryshme shkalla e zhvillimit apo e emancipimit të shoqërisë vlerësohet pikërisht prej raportit që shoqëria ka vendosur me këto dy kategori: aspekti privat dhe ai publik. Sipas këtyre studimeve, sa më e lartë dhe e dukshme të jetë shkalla e Public Display of Affection (PDA), aq më e zhvilluar, e emancipuar dhe e civilizuar është shoqëria. Për sociologun amerikan Peter Berman religjioni është një faktor me ndikim të rëndësishëm për shkallën e zhvillimit të shprehjes së ndjenjave private në publik. Për studiuesit e shkallës së shprehjes së ndjenjave dhe intimitetit në publik në shumë vende perëndimore është diçka e zakonshme të shohësh sjellje apo veprime të shpenguara në publik. Ndërkohë që kultura të tjera ofrojnë kode të tjera të sjelljes në publik. Një rast tipik vjen prej trashëgimisë së shkollës filozofike të Konfucit. Njëri prej ndjekësve më të afërt të filozofit kinez ka qenë Mencius Li Lou I. Sipas këtij filozofi etika në komunikim midis dy personave të gjinive të ndryshme është e përcaktuar deri në detajet më të imta. Sipas kë tij kodi komunikimi “është etike që femrat dhe meshkujt nuk duhet t’i lejojnë vetes të prekin duart e njëri-tjetrit ndërsa janë duke shkëmbyer apo dhënë diçka”. Shembuj të tjerë të përkujdesjes dhe etikës së komunikimit ka edhe në vende dhe kultura të tjera.
Përpjekjet e kareshme për të shpërbërë një traditë konservatore në këtë fushë, për të futur një kulturë liberale dhe për të shpenguar komunikimin, si dhe për të ndryshuar raportin mes intimes dhe publikes kanë prodhuar një situatë ku dallohet qartë mungesa e rregullave. Në këtë klimë çdo debat apo diskutim që tenton rregullimin apo disiplinimin e marrëdhënieve mes privates dhe publikes në shoqëri etiketohet si një thirrje për t’u kthyer me fytyrë drejt së shkuarës, drejt kulturave të caktuara apo duke shkuar deri te frika absurde e ngritjes së një policie morali.
Të ngresh zërin i shqetësuar për fenomene të tilla, pasi gjendesh në një situatë ku si individ nuk e ke mundësinë për t’i refuzuar dhe të jesh i mbrojtur nga shfaqje dhe sjellje që kanë hyrë dhunshëm deri edhe brenda privatësisë tënde, nuk do të thotë se po idealizon apo se po kërkon një shoqëri ku dy hapësirat – ajo private dhe publike – nuk duhet të takohen me njëra-tjetrën vetëm se në sinorët ndarës. Natyrisht që jo. Duhet thënë se janë të shumta pikat e takimit dhe mundësitë e ndërveprimit midis jetës private dhe hapësirave publike. Madje ndodh shpesh që përmes këtij bashkëveprimi të prodhohen të mira publike me një ndikim pozitiv në përmirësimin e shoqërisë. Historitë profetike janë një shembull se si mundet që, duke bërë publike raportet familjare me bashkëshortet, fëmijët apo të afërm të tjerë, mund të sjellësh këshilla dhe porosi të cilat i shërbejnë të gjithë shoqërisë.
Arti gjithashtu, me të gjitha llojet dhe gjinitë e tij, ofron një tjetër shembujt të mirë të rrugës se si mund të përfitohet prej bashkëveprimit të intimes në një hapësirë publike. Për vetë natyrën e tij arti është një formë e kulluar e një veprimtarie personale. Jo vetëm në kuptimin figurativ, por realisht çdo vepër artistike, nga gjinia më e thjeshtë deri te ajo më e ndërlikuara, gatuhet në privatësinë më të skajshme të individit. Përpos kësaj në disa gjini të artit siç është rasti i letërsisë, shkrimtari qëmton në skutat më të errëta të personazheve të tij duke i nxjerrë në dritë e duke i bërë publike për lexuesit e tij. Janë të shumtë këta shkrimtarë, klasikë dhe modernë, që kanë përshkruar përmes fjalës së shkruar histori dhe ngjarje krejtësisht intime. Në një tjetër gjini të artit, në teatër ndodh i njëjti fenomen, tashmë në një formë tjetër, ku edhe zbulimi e intimitetit bëhet në teatër, në një hapësirë akoma edhe më publike. A nuk është në thelb të tij aktrimi një akt i shpalosjes në publik i intimiteteve të personazheve të shkruara nga autori? Ndryshe nga intimitetet banale të shpalosura në publik, këto intimitete kanë vlerë pasi sjellin të mira publike si edukimi, informimi apo edhe qoftë argëtimi, për audiencat. Në çdo rast të tillë, artisti, qoftë ai shkrimtar, aktor, piktor apo muzikant shërben vetëm si transmetues i pjesës intime në hapësirën publike dhe nuk përpiqet në asnjë rast të identifikohet me këtë histori, gjest apo emocion intim. Krejt e kundërta ndodh me shpërfaqjen e intimitetit banal në mediat apo hapësirat publike. Personi jo vetëm që e identifikon veten e tij me këtë intimitet, por pikërisht përmes tij kërkon të marrë edhe vëmendjen e publikut.
Shpërfaqja e intimiteteve të tilla jo vetëm që nuk sjell asnjë të mirë publike, por përkundrazi imponon shembuj dhe modele aspak pozitive të arritjes së suksesit.
Si përfundim, për një shoqëri normale, hapja e diskutimeve të tilla është e domosdoshme pasi krijimi i modeleve publike ka të bëjë me atë se si do të jetë e ardhmja e shoqërisë. Në fund të ditës gjithsecili vendos vetë për modelin që zgjedh të ndjekë në jetë, por detyrimi për t’i ofruar shoqërisë një model që buron prej trashëgimisë më të mirë konservatore është një detyrim që buron pikërisht prej të drejtës për të zgjedhur këtë apo atë model shoqëror.
Burimi: Medius Communication Institute