8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

INTERVISTA/ Taip Erdogan: Jemi të gatshëm t’u japim çfarë do lloj mbështetje shqiptarëve – ekonomike, politike dhe ushtarake (VIDEO)

Më të lexuarat

Turqia sheh me shqetësim përplasjen e fundit mes Presidentit të zgjedhur, Ilir Meta dhe Kryeministrit Edi Rama.Deklarata është bërë në një intervistë ekskluzive që Presidenti i Turqisë i dha Top Channel.

Gjatë bisedës në Top Story, gazetarin Sokol Balla, Presidenti Erdogan foli për forca që duan destabilitetin e Shqipërisë dhe përmes saj edhe Ballkanit, por palajmëroi se Turqia nuk do ta lejojë këtë.

Erdogan foli dhe për rrezikun e ngjashëm me grushtin e shtetit të një viti më parë në Turqi, që sipas tij, i kanoset Shqipërisë nga institucionet e Fetullah Gylenit.

Erdogan foli edhe për raportin e tij me Kryeministrin Edi Rama.

Intervista e plotë

Sokol Balla: Zoti President faleminderit për mikpritjen në shtëpinë tuaj

Presidenti i Turqisë, Recep Taip Erdogan: Dua të falenderoj shqiptarët për mundësinë që më dhatë të jemi së bashku këtu në selinë presidenciale në Stamboll.

Sokol Balla: Zoti President, si e shikon Turqia Shqipërinë dhe shqiptarët, duke marrë parasysh të kaluarën?

Presidenti Erdogan: Marrëdhëniet mes Turqise dhe Shqipërisë janë të një thellësie të pashoqe mes vendeve të tjera. Ne kemi qenë së bashku për 500 vjet dhe ajo bashkësi ka qenë shumë e fortë dhe që nga ajo kohë kemi vazhduar në mënyrë të angazhuar. Shqipëria është një vend unik me shumëllojshmëri fetare dhe kulturore dhe në këtë aspekt ka një respekt reciprok mes myslimaneve dhe të krishterëve. Kjo bashkëjetesë në këtë drejtim është një pasuri dhe unë lutem shpesh që kjo të mbështetet edhe më tej nga Shqipëria. Por, ka edhe nga ata që po përpiqen që ta ndajnë dhe përçajnë Shqipërinë. Lutem që ata të thyejnë kokën në mur. Këto çështje të harmonisë fetare, që për një vend tjetër mund të jetë sensitive, e bëjnë Shqipërinë një vend edhe më të bukur dhe këtë pasuri nuk duhet ta prekë askush. Shqiptarët dhe qeveria nuk duhet t’ua lejojnë të tjerëve ta shkatërrojne. Dua t’i uroj fat mikut tim të dashur, Kryeministrit Edi në përpjekjet e tij, po ashtu, edhe Presidentit të zgjedhur. Personalisht jam për solidaritet mes tyre. Zgjedhjet në Shqipëri do të shënojnë fillimin e një epoke të re dhe unë besoj që shqiptarët do të fuqizojnë të ardhmen e tyre.

Sokol Balla: Duket që jeni të mirëinformuar pasi ditët e fundit mes Kryeministrit Rama dhe Presidentit të zgjedhur Meta ka pasur disa debate të forta mbi zgjedhjet, ndaj shpresoj që ata ta kuptojnë si duhet këtë mesazh.

Presidenti Erdogan: Të themi të vërtetën më shqetëson të shohim këtë debat të kohës të fundit mes dy institucioneve të shtetit, mes Presidentit të zgjedhur dhe Kryeministrit. Këto gjëra e bëjnë një vend të humbë shumë. Unë e di që debatet në këtë periudhë do të ndreqen dhe zgjedhjet do t’i bashkojnë shqiptarët duke u dhënë më shumë forcë për të qëndruar mbi këmbët e veta. E di që do të arrini shumë në të ardhmen.

Sokol Balla: Kujt i referoheni ekzaktesisht kur thoni se ka forca që duan të ndajnë dhe përçajnë Shqipërinë dhe çfarë do të bëjë Turqia që të solidarizohet dhe mbështesë Shqipërinë në lidhje me këtë?

Presidenti Erdogan: Nuk do të përmend emra. Politikanët në Shqipëri ndajnë opinionet dhe këndvështrimet e tyre me ne kur takohemi dhe çfarëdolloj ndihme, politike, tregtare, kulturore, ekonomike, ushtarake, ne mund t’ua japim. Jemi të vendosur të japim çdolloj mbështetjeje për Shqipërinë sa herë që duhet, sepse mendojmë që Shqipria është një vend i rëndësishëm në Ballkan. Është burim solidariteti. Përsa i përket rujtjes së stabilitetit, mendoj se Shqipëria luan një rol thelbësor. Stabilitet i Ballkanit është shumë i rëndësishëm, ndaj një vend që ka këtë rol domethënës në Ballkan nuk duhet të ketë asnjë dobësi, ndryshe ne do të shqetësohemi shumë për Ballkanin dhe nëse Shqipëria është e dobët. Ndaj duhet ta mbajmë të bashkuar Shqipërinë, të solidarizuar dhe nuk duhet të lejojmë që të tjerët të përfitojnë nga ndonjë mundësi për të bërë të kundërtën.

Sokol Balla: A janë shqiptarët një investim special në vizionin tuaj të ri personal dhe atë të Turqisë ndaj Ballkanit?

Presidenti Erdogan: Ne nuk e perceptojmë kështu situatën. Jo çdogjë duhet të konsiderohet ekonomikisht. Duhet të keni një vizion civilizimi dhe historik. E përmenda më parë e marrëdhëniet tona datojnë 500 vjet më parë, ndaj nuk është ajo mënyra sesi ne i qasemi Shqipërisë. Ne kemi shumë artefakte historike nga pararadhësit tanë në Shqipëri dhe kemi lidhje të afërta farefisnore dhe gjaku me shqiptarët dhe jo vetëm me shqiptarët, por kudo në Ballkan me të cilët jemi kushërinj, në Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë. Kjo është ajo që shihni ju. Ne të gjithë këtë hapësirë ne shohim vetëm të afërm ndaj nuk duam përçarje. E njëjta gjë vlen edhe për Serbinë. Ne gëzojmë një thellësi historike të lidhjeve tona dhe duam që këto lidhje të mbeten të forta. Ato duhet të ruhen dhe të zgjerohen dhe të forcohen në mënyrë që këto vende të jenë të forta.

Sokol Balla: Kryeministri Edi Rama, miku juaj ka deklaruar se refuzimi i vendeve të BE ndaj integrimit të Shqipërisë do të bëjë që forca të tjera të ndikojnë dhe gjejnë zgjidhje të tjera, apo ndoshta të detyrojnë shqiptarët të bashkohen kudo që janë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni në krijimin e një Shqipërie të madhe. Mendoni se ekziston kjo mundësi, perspektiva apo rreziku i diçkaje të tillë?

Presidenti Erdogan: Nuk është ajo që do të donim të mendonim. Çdo vend duhet të konsiderohet në kushtet e tij gjeografike. Ndërhyrje si ato që kemi parë në histori janë të gabuara. Çfarëdo që po ndodh në Lindjen e Mesme, në Irak, Siri ne shohim pasojat e këtyre ndërhyrjeve në portat tona dhe nuk duam të shohim ndërhyrje të ngjashme në Ballkan. Ekzistojnë ata që po bëjnë llogari të tilla me Ballkanin dhe ne nuk do t’i lejojmë ata që të arrijnë synimet e tyre. Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit duhet të respektohet njëherë e përgjithmonë. Këtë mbrojmë ne dhe kështu duhet të jetë. Maqedonia, Bosnje-Hercegovina, Shqipëria, apo Serbia s’ka rëndësi emri, për asnjë nuk duhet të luhen më këto lojëra. Të gjitha këto vende duhet të ruajnë integritetin territorial, siç ka qenë në të kaluarën, e siç duhet të jetë në të ardhmen.

Sokol Balla: Shqipëria ka një shumicë të moderuar popullsie myslimane. Jo pak herë në disa qarqe të caktuara europiane ky është parë si problem, sidomos kur vjen puna tek integrimi europian. Mendoj se edhe Turqia ka të njëjtin problem. Si duhet të reagojnë vendet me shumicë myslimane që kanë mbështetje popullore për anëtarësim në BE ndaj ashpërsisë së vendeve europiane?

Presidenti Erdogan: Është shumë e vështirë të parashikosh çfarë nuk ka ndodhur ende. Ne jemi një vend negociues me BE. Ne nuk jemi vend anëtar ende. Ndaj s’është shumë e saktë të flasësh për diçka që s’ka ndodhur, por do jem i qartë; cilido qoftë besimi fetar dhe në Shqipëri ka shumë prej tyre që bashkëjetojnë në paqe, ata që s’e gëlltisin dot këtë unitet dhe nëse duan që të ndajnë atë vend ne u themi se na duhet ta ruajmë atë vullnet për bashkëjetesë. Për këtë do të bëjmë thirrje gjithmonë. Në Bosnje, për shembull, është e qartë ç’po ndodh. Zbatimi i Dejtonit nuk solli atë që pritej. Ne kemi një thënie që e këmi përdorur në aleancën e civilizimeve: diferencat tona janë burim mirëqënieje, ndaj nuk duhet t’i frikësohemi, duhet të ndjehemi mirë me këtë. Ky është një parim themelor në botëkuptimin tonë e që duhet të mbrohet. Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova do të përfitojnë nga kjo.

Sokol Balla: Ekziston një bindje në Ballkan se Presidenti Erdoan në Turqi favorizon një grup të caktuar partish në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri. A është e vërtetë kjo? A ka ndonjë gjë të vërtetë?

Presidenti Erdogan: Ky është një pretendim i shëmtuar dhe s’është një gjë e bukur ta thuash. Mund të ketë parti politike me të cilat ndajmë të njëjtën ideologji, ose mund të ketë edhe në Europë. Shumë parti politike në Ballkan i shprehin pikëpamjet e tyre dhe ka nga ata që duan të përfitojnë nga eksperienca jonë, që duan të mësojnë nga ne dhe ne jemi mëse të kënaqur t’i ndihmojmë. Nga pikëpamja intelektuale, kjo s’duhet të shqetësoje askënd. Është ndarje njohurish, s’duhet të shqetësojë. Por, ne si Turqi nuk do të përfshihemi në garën politike. Kjo s’do të ishte e drejtë dhe gara s’do të kishte kuptim. Por duke folur në planin ndërkombëtar, nëse disa parti kërkojnë njohuritë tona, ne do të jemi të kënaqur t’i ndajmë me to.

Sokol Balla: Tani që më kujtohej gjatë kohës që keni qenë Kryeministër ju keni qenë mjaft i afërt me kryeministrat shqiptarë, madje si President i keni ftuar ata në eventet personale, si dasmat e fëmijëve tuaj dhe përurime veprash të mëdha. Çfarë mbani mend nga tre kryeministrat, gjëja me interesante nga ata?

Presidenti Erdogan: Sigurisht nuk është një gjë që e bëjmë vetëm ne. Në mbarë botën ftohen liderët në ingaurime investimesh të rëndësishme. Duan të shohin prezencën e miqve. Është domodoshmëri e të qënit politikan vizionar. Unë ftoj shumë miq të mi nga Ballkani, nga BE në inaugurime, nga Lindja e Mesme, Berluskoni është ftuar në shumë evenimente dhe ceremoni inauguruese. Ngjashëm edhe nga Shqipëria u ftua një kryeministër, dhe zoti Karamanlis i Greqisë u ftua në dasmeë e fëmijës tim këtu në Stamboll. Këto ftesa forcojnë lidhjet tona. Kështu e shoh unë situatën. Këto kujtime mbajmë mend me kalimin e viteve. Kur martova vajzën ftova shumë miq nga e gjithë bota dhe kjo na lumturoi, që nga kyeministri pakistanez deri te gruaja e sheikut të Katarit. Mirënjohje Edi Ramës që pranoi ftesën time dhe mori pjesë në ceremoni si inagurimi i urës.

Sokol Balla:…dhe ju ishit shoferi i tij.

Presidenti Erdogan: Këto janë hapa përpara që ndërmerren nga vizionarët

Sokol Balla: Zoti President, le të flasim për një zhvillim delikat, si po shkojnë punët në Turqi pas përpjekjes për grusht shteti?

Presidenti Erdogan: Pas përpjekjes për grusht të shtetit dhe ndërhyrjeve të organizatave terroriste të Fetulllah Gylen ne kemi arritur disa përparime. Të ardhurat tona për frymë janë më shumë se 11 mijë dollarë dhe po rriten. Këtë vit në tremujorin e parë ne kemi një rritje 5 përqind, çka është shumë e rëndësishme. Ekonomikisht renditemi të tretët pas Kinës dhe Indisë dhe do rritet më tej. Kemi marrë shumë masa sidomos përsa u përket eksporteve. Eksportet më shumë se 2,5 përqind në këtë rritje dhe bashkë me këto hapa kemi marrë edhe në drejtim të investimeve të huaja dhe vendase. Investimet e huaja po rriten e po ashtu edhe investimet e brendshme për shkak të rritjes së besimit. Ne do të bëhemi më të fortë përsa i takon konkurencës në nivel global.

Sokol Balla: Shqiptarët do të vazhdojnë të vijnë në vendin e preferuar për pushime, në Antalia?

Presidenti Erdogan: Do të jemi mëse të lumtur t’i mirëpresim. Kemi lidhje të ndryshme dhe të forta me shqiptarët dhe të mos harrojmë se ka shumë turistë që shkojnë nga Turqia në Shqipëri, sepse Shqipëria është shumë e fortë në terma të turizmit bregdetar, ka shumë bukuri për të ofruar. Ka shumë qytetarë turq që shkojnë në Shqipëri, përveç kësaj, investuesit turq po angazhohen gjithnjë më shumë në Shqipëri me aktivitete turistike.

Sokol Balla: Kur Edi Rama u zgjodh në 2013-n bëri bujë ndryshimi i kursit, jo me Greqinë, por Turqinë. Ka shumë njerëz që thonë se investimet turke nuk mjaftojnë. Duhet të ketë më shumë…

Presidenti Erdogan: Investimet turke në Shqipëri kanë arritur në nivele shumë serioze. Rreth 3 miliardë investime. Nuk e di sa investime keni marrë nga vendet e BE, por tonat nuk do të ndalen, në të kundërtën do të mbështesim rritjen e tyre, në veçanti në turizëm. Do të ketë disa nisma dhe Turqia, Italia e Greqia do të jenë partnerët e parapëlqyer për tregti dhe do të ketë gjithnjë e më shumë investitorë turq. Në Shqipëri ne kemi një rreze të gjërë investimesh dhe disa ditë më parë disa sipërmarrës turq biseduan me mua në lidhje me perspektivën e investimeve në Shqipëri pas zgjedhjeve. Ata do të duan të shohin panoramën dhe do të ketë një përparim domethënëse në fushën e investimeve tona.

Sokol Balla: Zoti President, ju përmendët rolin e Fetyllah Gulen në përpjekjen për grusht shteti të vitit të kaluar. Televizioni im, Top Channel publikoi këtë vit detajet sesi ambasadori turk u kaloi një dokument non paper autoriteteve shqiptare për investime të prezumuar të interesave të Gylen në Shqipëri. A ka kërkuar Turqia zyrtarisht kontroll, konfiskim, ndërprerje të bizneseve të caktuara që i konsideron të mbështetura nga Gyleni në Shqipëri?

Presidenti Erdogan: Kjo është ajo që dua të them. Kam një thirrje të veçantë për shqiptarët: ju lutem mos dërgoni fëmijët në shkollat e Fetullah Gylenit dhe së dyti: i dashur miku im Edi Rama, unë kam të njëjtën kërkesë dhe për Presidentin e zgjedhur: ju lutem mos kini më besim në këto shkolla, por kontaktoni ato të Fondacionit Marif, të themeluara nga ministria turke e Arsimit, sepse ata nuk do të viktimizojnë rininë shqiptare dhe do të edukohen në mënyrën më të mirë. Ndaj ju lutem, mos shkoni më në shkollat Fetyliste. Në shumë vende, shkollat e Maarif Foundation kanë vendosur lidhje të ngushta me OJQ dhe Ministritë e Arsimit. Fetyllahistët janë kthyer në një rrezik për Turqinë dhe unë do të jem shumë i qartë në këtë drejtim: Shqipëria është një vend me popullsi të vogël dhe ata mund të përbëjnë një rrezik edhe më të madh. Kanë si synim të tërheqin fëmijët e familjeve të shëndosha dhe i arsimojnë e rrisin në një mënyrë të atillë që të indoktrinohen dhe të infiltrohen në institucionet shtetërore duke rrezikuar kështu shtetin shqiptar, ndaj s’duhet t’ua jepni kurrë këtë mundësi.

Sokol Balla: Kjo është më shumë një këshillë, apo kërcënim. Prindërit duhet t’i çojnë fëmijët në shkolla të tjera turke, si Maarif Foundation, apo qeveria juaj në të vërtetë planifikon të ushtrojë presion ndaj Tiranës që të mbyllë shkollat ekzistuese?

Presidenti Erdogan: Së pari, me një vend mik si Shqipëria, unë nuk do ta përdorja një shprehje që do të tingëllonte si kërcënim në lidhje me çështjet tuaja të brendshme. Por kjo organizatë terroriste mund të bëhet burim kërcënimi për Shqipërinë dhe mund të jetë tepër vonë. Një vend si Turqia me 80 milionë banorë u bë objektiv i një organizate terroriste si Feto. Ata janë infiltruar në Forcat e Armatosura, polici dhe ne tani po i pastrojmë fetullahistët nga këto shërbime. 249 qytetarë u martirizuan në duart e fetullahistëve dhe 2194 janë bërë veteranë invalidë. Shqipëria duhet të nxjerrë mësime nga ajo që kemi kaluar ne, sepse nëse ia dolën në Turqi mund të bëjnë të njëjtën në Shqipëri nesër apo pasnesër. Po ju flas si vëlla. Sigurisht, nuk dua kurrë që të vijë puna deri te ky rrezik, por vetëm dua t’jua kujtoj parakohe që ekziston kjo mundësi që disa lojëra të caktuara teëmos luhen në Shqipëri dhe të merrni masat e duhura dhe që Fondacioni Marif të vendosë kontakte me autoritetet shqiptare në mënyrë që rinia atje të ndjekë shkollat e reja që do të hapen.

Sokol Balla: Doja t’ju bëja dhe dy pyetje të tjera. Shumë njerëz në Turqi ju shohin si hero. Pas tentativës për grusht shteti pati kritika për shkelje të të drejtave të njeriut. Cila është përgjigjia e Presidentit Erdogan ndaj këtyre pretendimeve?

Presidenti Erdogan: Njerëzit e mi u dhanë përgjigjen më të mirë atyre akuzave në prill. Nuk kemi nevojë të japim përgjigje të tjera. U votua dhe pas referendumit të 16 prill, 52 përqind e turqve mbështetën sistemin ekzekutiv presidencial. Ky është një hap i rëndësishëm përpara dhe në nëntor 2019 do të organizojmë zgjedhje mbi bazën e këtij sistemi të ri. 52 përqind e votave s’arrihen lehtë nga ndonjë parti politike.Ne arritëm diçka. Në këmbim të kësaj, njerëzit e mbështesin Taip Erdoan dhe lëvizjen politike AK. Zgjedhja e tyre, vullneti i tyre e bëjnë demokracinë dhe me këtë nuk spekullohet. Kur u zgjodha president mora 52 përqind të votave dhe sërish 52 përqind në referendum. Këto janë fakte, por kjo është një fushatë e nisur nga fetyllahistët dhe unë e kam të vështirë të kuptoj pse miqtë tanë perëndimore i ndjekin këto manipulime dhe po ju pyes: a do të mbështesni një President të zgjedhur në mënyrë legjitime, apo ata që u munduan të përmbysin qeverinë me një grusht shteti? Nëse ju mbështesni demokracinë dhe mbështesin ata që rrëzojnë një president të zgjedhur në mënyrë demokratike atëherë ju nuk jeni të sinqertë.

Sokol Balla: Pyetja ime e fundit. Erdha këtu me një taksist dhe ai më tha të lutem përshëndete Presidentin tonë. Ishte nga “Ciragan Taks Agency” dhe ju ka takuar vitin e kaluar. Unë në Tiranë shkoj te berberët turq. Sigurisht ata janë të ndarë, por shumica ju do. Bota po ndryshon shpejt, cili është roli i individëve të fortë si ju, si Putin, Trump, kancelarja Merkel në këtë fazë të re?

Presidenti Erdogan: Rezultatet nga kutitë e votimit legjitimohen vetëm nëse u shërben njerëzve. Nëse e bën këtë, nëse ua mbush zemrat njerëzve, ata nuk të neglizhojnë kurrë. Si Kryeministër dhe tani president, gjatë 14 viteve të fundit u kam shërbyer njerëzve të mi pa pushim dhe populli turk s’na la kurrë pas dore.Votat tona u shtuan e u shtuan dhe erdhëm këtu ku jemi sot. Vendi kur e morëm ne drejtimin ishte një katastrofë, po rrënohej në çdo aspekt dhe ne e rritëm këtë vend: të ardhurat për frymë janë 11 mijë dollarë, nuk ishte me shumë se 2 mijë dollarë dhe në nivel fuqie blerëse renditemi të 14-t, si ekonomi globale të 17-t. Njerëzit nuk janë të verbër. Ata e shohin çfarë është arritur. Ju folët për shoferët e taksive dhe unë mendova menjëherë urën e re. Kemi ndërtuar kohët e fundit urën e tretë në Ngushticën e Bosforit dhe urën e Osmangazit që lidh Stambollin me rajonin e Egjeut. Nën Ngushticën e Bosforit kemi ndërtuar Tunelin e Marmarasë dhe një tunel për automjete. Janë projekte shumë të rëndësishme për transportin në Stamboll. 79 vitet e fundit janë ndërtuar vetëm 6100 km autostrada, 15 vitet e fundit në kemi ndërtuar 19 mijë km autostrada. Njerëzit mund t’i shohin këto.Kemi 55 aeroporte. Në avionë në të kaluarën çmimet e biletave ishin shumë të shtrenjta, sot turqit mund të kenë luksin e fluturimit me çmime të ulta. Turqit i admirojnë këto gjëra. Njerëzit të duan po u shërbeve. Ata do të të mbështesin dhe gjithçka do të shkojë më mirë, ndaj po punojmë me ritme maramendëse.

Sokol Balla: Zoti President ju falenderoj shumë që na kushtuat kohën tuaj. Ishte kënaqësi dhe nder i madh t’ju kisha në emisionin tim në Top Channel. Më duhet ta bëj përshëndetjen edhe në shqip në fund të programit.

Presidenti Erdogan: Tani dua të të falenderoj! Të përshendës gjithë shqiptarët personalisht dhe në emër të të gjithë popullit turk, ju përcjell ndjenjat më të thella nga zemra dhe ju lutem qëndroni të bashkuar dhe mbajeni Shqipërinë tuajën./TopChannel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit