Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dha një interviste ekskluzive nga Ankaraja për televizionin izraelit “Channel 2”, transmetuar të hënën në mbrëmje…
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se e ka të pamundur të harrojë vdekjen e mijëra civilëve në bombardimet izraelite të vitit 2014 kundër Gazës.
“Nuk miratoj as ato çfarë ka bërë Hitleri dhe as ato të Izraelit”, theksoi ai.
Gjatë një interviste ekskluzive nga Ankaraja për televizionin izraelit “Channel 2”, transmetuar të hënën në mbrëmje, Presidenti Erdogan bëri vlerësime në lidhje me tentativën për grusht shteti në Turqi, ndërmarrë më 15 korrik nga organizata terroriste guleniste/struktura paralele në shtet (FETO/PDY), marrëdhëniet Izrael-Turqi, konfliktin izraelito-palestinez dhe zgjedhjen e Donald Trumpit si president i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kreu i shtetit turk e nisi fjalën e tij duke shpjeguar procesin, që ai vetë jetoi pasi u vu në dijeni të tentativës për grusht shteti të 15 korrikut.
“Ishte data 15 korrik dhe ne po përgatiteshim që të ktheheshim nga Marmarisi. Personi i parë që i telefonova natën e 15 korrikut ishte Kryeministri (Binali Yildirim), pastaj kreu i Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës (Hakan Fidan) dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura (Gjeneralarmate Hulusi Akar); por, ndërkohë, natyrisht që në çastet e para, nuk arrita të kontaktoj me asnjërin prej tyre. Këtë herë u binda se ishte e domosdoshme që t’i drejtohesha të gjithë popullit tim që ta informoja përmes medias dhe FaceTime”, u shpreh lideri turk.
I pyetur nga prezantuesja e famshme izraelite, Ilana Dayan-Orbach, nëse i kishte shkuar në mendje që avioni presidencial mund të qëllohej në ajër nga gjuajtësit “F-16” të puçistëve gjatë fluturimit drejt Stambollit, Erdogan u përgjigj duke thënë se kjo është krejtësisht e natyrshme.
“Patjetër që e menduam këtë gjë, mirëpo ne besojmë se duhet të jemi të përgatitur për këtë botë sikur s’do të vdesim kurrë dhe për jetën e amshuar sikur do të vdesim në çdo çast; kështu i jemi futur kësaj rruge. Në qoftë se një lider fshihet prapa gurit apo shkëmbit, atëherë shoqëria apo populli do të fshihet prapa malit. Prandaj lideri duhet të qëndrojë në këmbë i palëkundur, i paepur; duhet të jetë pararojë në mënyrë që populli i tij, i cili ka besim tek ky lider, ta ndjekë atë në çdo lëvizje dhe të mos fshihet pas malit”, tha Presidenti i Republikës së Turqisë.
Në vijim të intervistës, gazetarja Ilana Dayan-Orbach thotë: “Tani, nëse më lejoni, dua të përdor lirinë për t’ju bërë pyetje të vështira.”
Kurse përgjigjja e kreut të shtetit turk ishte: “Mos vallë ishin të lehta pyetjet e deritanishme? Nëse mendoni se do të vini në vështirësi Tayyip Erdoganin, kjo është e pamundur.”
Gjatë intervistës, prezantuesja izraelite i rikujtoi Erdoganit kritikat se reagimi i qeverisë turke pas tentativës për grusht shteti të FETO-s ishte i ekzagjeruar.
“Turqia ka jetuar shumë grushte shteti dhe kostot, të cilat i ka paguar në çastet kur bëheshin të gjitha këto puçe ushtarake, kanë qenë shumë të rënda; por asnjëra prej tyre nuk është përballur me qëndrimin, që populli turk shpalosi ndaj kësaj tentative për grusht shteti. Për herë të parë një tentativë puçiste u spraps dhe u zbua kësisoj në shkallë kombëtare. Organizata terroriste guleniste, FETO, është ajo që bëri këtë grusht shteti. Ky rrjet është përpjekur gjatë një procesi 40-vjeçar që të infiltrohet në institucione të ndryshme shtetërore, në ushtri, në polici, në gjyqësor, në ministri, me synimin për t’i marrë të gjitha këto nën kontrollin e tij”, theksoi Erdogan.
Sakaq, i ndërprerë në mënyrë të përsëritur nga gazetarja izraelite, Presidenti i Turqisë reagoi me fjalët: “Tani, po qe se dëshironi, më mirë të ndjekim një metodë tjetër; pasi, në rast se fjalët e mia ndërpritet kaq shpesh, teleshikuesit do ta kenë të vështirë të marrin rezultatin e kësaj interviste. Përfundimin e kësaj pune duhet ta kuptojnë shumë lehtë edhe ata.”
Kjo organizatë terroriste – vijoi ai – kushedi se çfarë punësh të këqija dhe problemesh të tjera do t’i kishte hapur ushtrisë, policisë, ministrive dhe shtetit tonë në të ardhmen; sepse mashtrimet, hiletë dhe gënjeshtrat e këtyre s’paskan të mbaruar, ndërkohë që këto zbulohen vazhdimisht nga të kapurit dhe ju jeni të detyruar t’i pastroni.
Presidenti Erdogan u ndal edhe mbi përpjekjet e kohëve të fundit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Izraelit.
Duke rikujtuar se ka kaluar mjaft kohë nga fillimi i këtij procesi, lideri turk tha se pas bastisjes me pasojë 9 të vdekur dhe mbi 50 të plagosur, kryer më datë 31 maj 2010 nga Izraeli në anijen “Mavi Marmara”, e cila dërgonte ndihma humanitare në Gazë, i ka kërkuar Tel-Avivit zyrtar që të përmbushë 3 pika.
“Çështja e kërkesës së faljes u realizua duke më telefonuar personalisht Kryeministri Benjamin Netanyahu, gjithashtu u plotësua kërkesa për dëmshpërblim, ndërsa çështja e bllokadës, që aplikohet ndaj Gazës, mendoj që me shumë mundësi do të hiqet. Kam mendimin që procesit të normalizimit i jemi afruar seriozisht”, sqaroi ai.
I pyetur nëse mund të jepte garanci që Hamasi s’do të përdorë armë kundër Izraelit, Presidenti Erdogan u përgjigj duke reaguar me një tjetër pyetje: “Po ju a mund të më thoni në emër të Izraelit se Gaza nuk do të goditet me këto armë?”
“Ju harroni që Hamasi sulmon vazhdimisht popullatën civile”, tha gazetarja izraelite, ndërkohë që kreu i shtetit turk ia ktheu duke thënë se duhet të merren në konsideratë edhe sa shumë civilë janë vrarë gjatë sulmeve të Izraelit në Gazë.
“Por a duhet të jetë Hamasi një pjesë e zgjidhjes teksa Izraeli e vlerëson atë si organizatë terroriste?”, ishte pyetja e radhës për Erdoganin, sipas të cilit, Hamasi nuk është një organizatë terroriste, por lëvizje politike që buron nga një qëndresë dhe rilindje.
Më tej, lideri turk u pyet nëse do të merrte përsëri një rol ndërmjetësues në bisedimet Izrael-Palestinë.
“Përse të mos i futemi kësaj pune nëse na kërkohet diçka e tillë? I gjithë shqetësimi ynë është që ai rajon të përqafojë qetësinë. Por a i afrohet Izraeli zgjidhjes me dy shtete? Jo. Përse nuk i qaset kësaj zgjidhjeje? Zot i atyre territoreve nuk është Izraeli dhe këtë gjë nuk mund ta injoroni”, nënvizoi ai.
Presidentit të Republikës së Turqisë iu rikujtua një deklaratë e tij gjatë sulmeve izraelite kundër Gazës në vitin 2014, ku ai thoshte se “ato çfarë bën Izraeli janë barbarizma më të mëdha sesa ato të Hitlerit”, ndërkohë që në vijim u pyet nëse ishte penduar apo jo në lidhje me këto fjalë.
“Tani, natyrisht, kjo gjë ndryshon në varësi të ditës. Ka disa çaste që nuk më dalin për asnjë sekondë nga mendja, ku si shembull mund të paraqes bombardimet izraelite në Gazë. Atje u vranë me mijëra civilë dhe e kam të pamundur ta harroj atë moment. Unë nuk miratoj as ato çfarë ka bërë Hitleri dhe as ato të Izraelit. Kur atje vriteshin kaq shumë njerëz, vallë cili është më barbar, njëri apo tjetri, një krahasim i tillë do të ishte i pavend”, tha kreu i shtetit turk.
Pas marrëdhënieve turko-izraelite, prezantuesja Ilana Dayan-Orbach kaloi në çështjen e zgjedhjeve presidenciale amerikane, ku e pyeti Erdoganin nëse ishte befasuar apo jo nga fitorja e Donald Trumpit.
“Jo, nuk jam befasuar. Amerikanët janë ata që janë befasuar më tepër nga fitorja e Donald Trumpit. Sepse unë jam një njeri që beson në rezultatin e zgjedhjeve dhe të votimit. Por kishte të befasuar edhe kur unë u zgjodha për herë të parë kryetar bashkie në Turqi”, u përgjigj ai.
Dayan-Orbach e mbylli intervistën me pyetjen se për çfarë nuk do ta merrte malli Erdoganin kur të pensionohej dhe çfarë urrente më tepër në politikë.
Përgjigja e Presidentit të Turqisë ishte e shkurtër dhe e qartë: “Gënjeshtra!”