Mediat italiane shkruajnë se palët janë shumë pranë një marrëveshjeje e cila do të finalizohet sot
MILANO (AA) – Mediat ilaliane bëjnë të ditur se Interi dhe Borussia e Dortmundit kanë arritur një pajtim për transferimin në Itali të lojtarit të përfaqësueses turke Emre Mor, i cili do të huazohet për dy vite, me mundësi të blerjes së kontratës për 15 milionë euro, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kohë më parë, ”Neroazzurët“ arritën një marrëveshje me futbollistin Mor, mirëpo janë duke zhvilluar negociata të vështira me klubin e tij rreth kushteve të transferimit.
Drejtori Teknik i Interit, Walter Sabatini, të hënën në mbrëmje pranoi për ngecjet në negociata, mirëpo mediat italiane shkruajnë sot se palët janë shumë pranë një marrëveshjeje e cila do të finalizohet sot, me të cilën Mor do të huazohet për dy vite, pas çka Interi do të mund të blejë lojtarin nga Borussia për 15 milionë euro.
Arsyeja e milanezëve për një marrëveshje të tillë është përmbushja e detyrimeve që dalin nga rregullorja e financimit ‘fair-play’ të UEFA-s.
Mor ka lindur në Kopenhagë 20 vite më parë, por pas ndeshjeve në kategoritë e ulëta të kombëtares së Danimarkës, vendosi të përzgjedh kombëtaren e seniorëve të Turqisë.
Në dy sezonet e fundit për Borussian luajti 32 ndeshje konkurruese dhe shënoi tre gola. Fanellën e Turqisë e ka veshur 12 herë duke shënuar një gol.