1.4 C
Pristina
Thursday, November 21, 2024

Interesat shtetërore nuk janë të harmonizuara me interesat kombëtare – Milazim Krasniqi

Më të lexuarat

Nga Prof. Milazim Krasniqi

“Ne na duhet të rivitalizojmë nacionalizmin shqiptar, atë ideologji kombëtare dhe lëvizje kulturore e cila na bëri komb.”

Ne shqiptarët që jetojmë në Shqipëri e Kosovë, po i bjerim vitet duke u çuditur e duke u hatruar me njëri tjetrin. Çmeritja më e re ka të bëjë me iniciatvën e Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila synon të organizojë një kampionat futbolli me federatën serbe të futbollit. Çmeritja e dy ditëve më parë ishte lidhur me iniciativën e Edi Ramës për të formuar një shtet brenda shtetit shqiptar, një gjë e padëgjuar në botë. Çmeritje e hatrime të mëhershme patëm me idenë për Ballkanin e Hapur, e cila sheshit ishte kundër Kosovës.

Ndërsa konfliktet e liderëve tanë janë meny e rregullt: konflikt ndërmjet Edi Ramës e Albin Kurtit, konflikt ndërmjet Sali Berishës e Hashim Thaçit, iritim ndërmjet Ibrahim Rugovës e Fatos Nanos (bile edhe ndërmjet Rugovës e Berishës më heret.) Ka pasur edhe akuza të rënda se gjoja në trazirat e vitit 1997 në Tiranë, ka pasur një falangë proberishiste nga Kosova. Historia e keqkuptimeve nga veprimet “me të futme” është e gjatë. (Unë nuk kam dëshirë ta shkruaj atë histori. Unë dëshiroj ta ndryshojmë atë histori.)

Pse na ndodhin këto gjëra? Na ndodhin për një shkak themelor: interesat shtetërore, nuk janë të harmonizuara me interesat kombëtare. Ne jo vetëm që nuk kemi evidencë mbi interesat tona kombëtare të sotme, po nuk kemi as histori të kombit tonë shqiptar. Ne as nuk po sillemi si një komb. Ne kemi hequr dorë nga nacionalizmi ynë shqiptar, i cili si ideologji kombëtare dhe si lëvizje kulturore na ka bërë komb dhe na ka ndihmuar të formojnë dy shtete. Një gjë duhet ta kemi të qartë 100%: në Europë e sidomos në Ballkan, pa nacionalizëm nuk mbijetohet. Ndërsa për fuqizim të shtetit e të kombit, as që mund të bëhet fjalë. Këtë të vërtetë duhet ta kuptojnë të gjithë ata që bëhen nervozë për iniciativën e FSHSh, për projektin e Bektashistanit cionist, për Ballkanin e paketuar si pansllavist, për intrigat neololonialiste të të huajve. Ata që nuk e kuptojnë këtë të vërtetë, vetëm bëhen kot nervozë, shfryjnë histerizma, kontaminojnë komunikimin brendashqiptar, por bash asgjë nuk mund të bëjnë. Pikë.

Ne na duhet të rivitalizojmë nacionalizmin shqiptar, atë ideologji kombëtare dhe lëvizje kulturore e cila na bëri komb. Natyrisht të përshatur për realitetet e reja kombëtare e gjeopolitike.

P.S. Në librin tim modest “Nacionalizmi shqiptar”, jam munduar ta tërheq vëmendjen në këtë çështje, po ka qenë si me rrahë ujë në havan. Një injorim total! “Njeriu i ri socialist” i Shqipërisë dhe “elitat neokolonialiste” të Kosovës, nuk duan t’ia dinë për kombin. Mënyra e tyre e të menduarit vetvetiu është antikombëtare. Kush refuzon ta kuptojë të vërtetën, rrezikon të mbetet duke u çmeritur.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit